Elena Gjika dhe kultura shqiptare

0
1184

(Materiale nga Konferenca Shkencore e mbajtur më 27 maj 2011, kushtuar Elena Gjikës, Universiteti i Europës Juglindore, Tetovë, – Kolegji Universitar “Biznesi”,Prishtinë, 2011, f. 360.

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Në këtë ditë të shënuar të shkollës shqipe, po e përurojmë një vëllim shkencor kushtuar njërës prej personaliteteve më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në historinë tonë mijëvjeçare shpesh na bie të kujtojmë a përurojmë vepra për personalitete të rëndësishme të botës shkencore a politike, për t’i përligjur ato personalitete me ndikim në jetën mendore dhe politike europiane me origjinë shqiptare, sado, as me jetën dhe as me veprën nuk i kanë dhënë ndonjë kontribut në mënyrë të veçantë historisë së popullit shqiptar.

Prej epokës së Rilindjes Kombëtare e këtej jemi përpjekur të identifikohemi me emra mitikë të antikitetit, me kalorës epikë të mesjetës, me krijues të artit e të shkencës së Rilindjen Europiane, prej referencave të të cilëve kemi ndërtuar krenarinë e kombit e të gjuhës, të idealeve e të virtyteve, të identitetit e të nocionit. Në këta përbërës të ndërtimit të kombit shqiptar emri, jeta, vepra dhe kontributi i Elena Gjikës zë një vend të rëndësishëm dhe shumëdimensional.

Elena Gjika është njëra prej personaliteteve më të shquara të kohës së saj me përmasa europiane dhe më gjerë. Ajo është gruaja që ka përshkuar dhe bartur disa nga proceset e mëdha të zhvillimeve kombëtare gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe disa nga përbërësit e rëndësishëm të zhvillimeve kulturore e politike të Europës dhe më gjerë, prandaj kjo është arsyeja pse në këtë konferencë, kanë marrë pjesë e do të mundë të merrnin pjesë edhe shumë studiues të hapësirës kombëtare dhe më gjerë. Kjo sigurisht është edhe arsyeja pse në këtë konferencë ishin ftuar studiues nga universitete të ndryshme të përvojës kombëtare dhe të përvojës europiane, studiues të fushave të ndryshme kulturore, gjuhësore, historike, publicistike, letrare, folklorike, etnologjike dhe të hulumtimeve të tjera të qytetërimit shqiptar e evropian, dhe sigurisht kjo është arsyeja që për këtë vëllim shkencor kanë shkruar studiues të moshave të ndryshme, prej atyre që mendimet e tyre për princeshën e lavdishme me origjinë shqiptare i kanë mbushur me pamje idilike të saj, deri te ata studiues të mendimit kritik europian, të cilët kumtesat e tyre i kanë shkruar duke vënë theksin në qëndrimin inferior të shoqërisë shqiptare përballë Europës, në krahasim me angazhimin e pakompromis të saj.

Në shikim të parë, ky vlerësim për kumtesat kushtuar Elena Gjikës duket mjaft diferencues por në këtë rast e bëra jo paqëllim. Të parët, janë studiues me përvojë të gjatë në studimet historiko-letrare (Jorgo Bulo, Klara Kodra, Hamit Xhaferi, Bardhosh Gaqe, Agron Xhagolli, Vebi Bexheti, Shyqri Galica etj.), të cilët Elena Gjikën dhe veprën e saj vazhdojnë ta vlerësojnë duke u nisur prej njohjes së misionit të saj shpirtëror dhe krijues në institucionet politike dhe kulturore europiane, pa e ndarë këtu princeshën dhe veprën e saj.

E kuptueshme! Para saj përuleshin në gjunjë princat që me krenarinë e tyre kishin fituar betejat në Lindje e Perëndim të globit, shkrimtarë të përmasave europiane dhe amerikane, mbretër e mbretëresha që mbanin qëndrim prej aristokratësh edhe para udhëheqësve të shteteve më të fuqishme të globit, artistë që ngrinin në këmbë çdo natë sallat e mbushura të teatrove e të operave të qyteteve më të mëdha të Europës.

Dhe pse të mos e bënin këtë! Para dhuntisë së saj, bukurisë së saj, oratorisë së saj, mesazheve të saj për çështjen shqiptare dhe lirinë e popullit, si rrallë ndonjëherë janë mbledhur krijues dhe bardë të Lëvizjeje Kombëtare Shqiptare, duke e nderuar atë edhe me një vëllim me krijime letrare.???të cilat e gjejmë të përmbledhura dhe të botuara këtu==

Grupin e dytë të kumtesave të këtij vëllimi e përbëjnë vlerësimet më të veçanta të kontributit të saj në tërësinë e kulturës shqiptare dhe europiane. Fjala është për një radhë paraqitjesh, duke përfshirë këtu edhe referatin e Konferencës së njohësit dhe krijuesit padyshim më të mirë të saj në dekadat e fundit: Profesor Emin Kabashit, po edhe kumtesat e studiuesve të tjerë të cilët për jetën dhe veprën e saj kanë sjellë të dhëna të reja (Merita Bruci), sinteza të reja (Bahtije Gërbeshi e Bukuroshe Isufi), përmasa të reja (Fotaq Andrea), qasje të reja (Roland Zisi, Mustafa Ibrahimi e Artur Lamaj) dhe dimensione të reja të jetës dhe veprës së saj (Jusra Abduraimi, Samira Idrizi etj).

Kumtesat e tyre në këtë vëllim shquhen për qëndrimin kritik ndaj vendit që i kemi dhënë jetës dhe veprës së Elena Gjikës në historinë e qytetërimit shqiptar dhe sidomos për horizontin e modest të pritjes së veprës së saj në jetën kulturore dhe historike të kombit, për dimensionet e shtrirjes së veprës së saj në jetën mendore, kulturore dhe identitare të shqiptarëve dhe në Europën e shekullit XIX; për perceptimin e veprës së saj ndër shqiptarët pas një shekulli, për misionet e saj me ndikim në qarqet politike, diplomatike, shkencore, kulturore dhe letrare në Europë dhe në Amerikë, për të vënë në pah fatin e shqiptarëve pas Krizës Lindore etj. Janë jo vetëm veprat, diskutimet dhe letërkëmbimi i saj po edhe imazhet vizuale për të, të krijuara nga piktorë të përmasave të mëdha, ato që pas një shekulli dëshmojnë dhe ngjallin ende diskutime për motivet krijuese të disa shkrimtarëve të përmasave klasike europiane e amerikane kushtuar shqiptarëve dhe heronjve tanë. Dua të theksoj këtu, se prej letërkëmbimit dhe sidomos portretizimit të saj përkrah shkrimtarëve, si Lonfellou, nuk është vështirë të kuptohet se nga i erdhi muza atij për poemthin kushtuar Skënderbeut, të cilin më vonë e përktheu Noli ynë.

Për të gjitha këto dhe shumë vlerave të tjera kjo konferencë shkencore Kushtuar Elena Gjikës dhe kulturës shqiptare të periudhës së Rilindjes Kombëtare, kumtesat e së cilës janë përmbledhur në këtë vëllim, ia ka arritur qëllimit të organizatorit të saj, i cili njëkohësisht ka goditur me sukses edhe ditën e përurimit të saj: 7 Marsin, Ditën e Mësuesit!

Faleminderit!

Prishtinë, më 7 Mars 2012

Nga, Begzad Baliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu