Emri i kryeministrit Berisha në telefonatat e Tan Leprit para atentatit

0
1602

TIRANË – Dritan Avllaj, biznesmeni i njohur i ndërtimit pak kohë përpara atentatit ndaj tij, të enjten në mbrëmje mësohet se ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e vendit Sali Berisha.

Një fakt I tillë është bërë I ditur nga burime të “Shekullit” që pohuan se Avllaj dhe Berisha kanë pasur një bisedë mes tyre e cila ka zgjatur disa minuta, ndërsa nuk dihet përmbajtja e bisedës së zhvilluar mes tyre, apo shkaku dhe qëllim I bisedës. Burimet thanë se biseda është zhvilluar pak kohë përpara se Avllajt t’i kryhej atentati me armë zjarri ku ai mbeti i plagosur.

Ndërkaq në lidhje me atentatin zyrtarë të lartë të Policisë së Tiranës thanë se ai po hetohet në të gjitha pistat, përfshirë edhe ngjarjet e vjetra dhe konfliktet që mund të ketë pasur Avllaj me persona të ndryshëm. Vetë ai ka mohuar të ketë pasur ndonjë konflikt të ashpër me ndonjë person, që mund të sillte pasoja të tilla.

Një ditë pas atentatit të dy netëve më parë ndaj biznesmenit të njohur dhe ndërtuesit Dritan Avllaj, policia ka mbledhur disa dëshmi të rëndësishme, të cilat, sipas saj, mund të zbardhin autorët e atentatit. Hetuesit thanë se janë dy dëshmi të rëndësishme dhe disa deklarime të tjera të disa personave që nuk japin informacione të rëndësishme, veç faktit që konfirmojnë se kanë dëgjuar të shtëna.

Burimet thanë nga dy dëshmitë e rëndësishme, njëra i përket shoferit të tij, Agron Hoxha, 28 vjeç, është mjaft e rëndësishme bashkë me dëshminë e një personi tjetër, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia.

Ky i fundit mësohet se është djali i një punonjësi të policisë së kryeqytetit. Ndërkaq, dëshmia e dytë, mësohet se është ajo e një kalimtari, i cili ka parë, motorin të ndjekë veturën dhe një nga dy personat që udhëtonin me motor qëlloi në drejtim të veturës së Avllajt.

Mësohet se Avllaj ka qenë duke shkuar për të takuar një grup personash në një kafe pranë kompleksit “Grand”, ndërsa mësohet se mes tyre ka pasur edhe persona që në të kaluarën e tyre kanë pasur probleme me policinë.

I plagosuri Dirtan Avllaj, i pyetur nga hetuesit iu tha atyre se nuk kishte konflikte me ndonjë person i cili mund t’i kryente atentat. Në polici, ai pohoi se nuk kishte asnjë version apo dyshim mbi ndonjë person konkret, tek i cili mund të ngrinte gishtin. Avllaj, ka shtuar se kishte dëgjuar të shtënat e armës dhe i ishte drejtuar shoferit të tij, që të shtonte shpejtësinë e veturës për t’i shpëtuar nga plumbat e atentatorëve.

Ekspertët e Policisë vijuan gjatë natës së të enjtes të kërkonin elementë të tjerë të nevojshëm për hetimin, duke gjetur në vendin e ngjarjes dhe duke sekuestruar edhe tri gëzhoja të tjera që mendohet se u qitën nga e njëjta armë gjatë atentatit ndaj biznesmenit të njohur Dritan Avllaj, i njohur gjithashtu edhe me nofkën “Tan Lepuri”.

Deri në orët e vona të të enjtes, pak orë kohë pas plagosjes së Avllajt, policia kishte gjetur në vendin e ngjarjes 9 gëzhoja të kalibrit 9 mm, të cilat u administruan nga ekspertët kriminalistë. Ndërkaq, më tej, gjatë kërkimeve të mëvonshme, policia gjeti dhe administroi edhe tri gëzhoja të tjera, të cilat u renditën në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes nga grupi hetimor.

Në total, policia ka pyetur në cilësinë e dëshmitarëve gjashtë persona në total, por veç shoferit dhe një dëshmitari në vend ngjarje deklarimet e tjera të dhëna në polici nuk shërbyen u shumë hetuesve për ngjarjen. Po kështu, burimet thanë se në ambientet e Drejtorisë së Tiranës janë shoqëruar më tepër se 10 persona, të cilët më pas janë lënë të lirë prej tyre.

Dëshmia e shoferit

Menjëherë pasi policia është njoftuar për ngjarjen dhe ka mbërritur në vendin e atentatit, i pari person që është marrë në pyetje prej tyre është shoferi i Dritan Avllajt, Agon Hoxha. Ai i tha policisë se kishin qenë duke lëvizur me mjetin “Mercedez- Benz”, në drejtim të kompleksit të banimit “Grand”, ku Avllaj kishte lënë për të takuar në një kafe disa persona miq të tij.

Kur kanë qenë duke kaluar në rrugën “Mihal Grameno”, pranë shkollës me të njëjtin emër, sapo kanë kaluar një kompleks lavazhesh, pas tyre u shfaq si rrufe një motoçikletë, e cila u afrua me shpejtësi drejt veturës së shtrenjtë në ngjyrë të zezë, në të cilën udhëtonte biznesmeni i njohur. Sipas dëshmitarit, nga kjo motoçikletë, një person nisi të qëllonte me pistoletë në drejtim të veturës së Avllajt.

“Sapo nisën të shtënat, Dritan Avllaj më tha: Jepi shpejt se na vranë, shtoji gazin. I pashë nga pasqyra e veturës, kur motoçikleta po afrohej dhe në atë moment ata nisën të qëllonin me pistoletë drejt nesh veturës”, – mësohet të ketë deklaruar shoferi i Avllajt, përpara hetuesve të zyrës së Hetimit të Vrasjeve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Më tej, mësohet se shoferi iu ka treguar hetuesve se pas të shtënave i kishte shtuar shpejtësinë veturës, duke ndjekur rrugën që të nxjerr tek kompleksi i banimit “Grand”. Sipas hetuesve, kur atentatorët kanë mësuar se Avllaj ishte plagosur, kanë marrë rrugën në kthim duke ecur në drejtimin e kundërt nga ku kishte shkuar vetura.

Pasi ishte siguruar se atentatorët ishin larguar, shoferi i Avllajt, ka njoftuar policinë. Kështu pohoi për hetuesit të kishte vepruar shoferi i Avllajt, Agron Hoxha, 28 vjeç, me banim në Tiranë.

Dëshmia e personit të dytë, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia mësohet se ka përshkruar autorët, të cilët ishin, sipas tij, dy persona, të cilët ishin afruar me një motoçikletë, kishin qëlluar në mënyrë të pandërprerë disa herë në drejtim të veturës luksoze me ngjyrë të zezë dhe më pas ishin larguar për të dalë në rrugën pranë “Tregut elektrik” në Tiranë.

Avllaj u shoqërua për në spital me veturë policie

Pak momente pas atentatit të ndodhur në rrugën “Mihal Grameno”, shoferi i tij është nisur në drejtim të Spitalit Ushtarak, ndërsa më parë ai kishte njoftuar shërbimet e policisë se kishte në veturën e tij një person të plagosur. Menjëherë, një patrullë e policisë ka nisur të hapë rrugën në drejtim të Spitalit Ushtarak për ku u dërgua ndërtuesi i plagosur.

Më tej, shoferi i tij, me orientimin e policisë riktheu veturën në vendin e ngjarjes, me qëllim që ajo të niste hetimin për zbardhjen e krimit, duke krijuar një imazh sa më afër realitetit të ngjarjes. Kjo rrethanë ka shërbyer edhe si pikënisje e hetuesve për të zbardhur rrethanat e ngjarjes së mbrëmjes së të enjtes në rrugën “Mihal Grameno”, ku u plagos në shpatull ndërtuesi Dritan Avllaj.

12 gëzhoja gjeti administroi policia në vendin e ngjarjes mbrëmjen e të enjtes në vendin ngjarjes, pas atentatit ndaj ndërtuesit Dritan Avllaj. Ky i fundit mori një plagë në shpatull nga një plumb i qitur nga një armë e kalibrit 9 mm. Pas atentatit, Avllaj u shoqërua për në Spitalin Ushtarak, ku pas një ndërhyrjeje të shpejtë, ai hoqi plumbin e marrë në atentat. Pas mjekimit të marrë, ai u largua nga spitali.

6 persona në total dhanë dëshmi për hetuesit e policisë së Tiranës, por veç shoferit dhe një dëshmitari në vend ngjarje deklarimet e tjera të dhëna në polici nuk u shërbyen shumë hetuesve për të zbardhur ngjarjen. Deri më tani policia ka cilësuar si kyçe dëshminë e shoferit të Avllajt, i cili ka dhënë detaje të rëndësishme, si dhe dëshminë e një personi tjetër, i cili ka parë skenën e ngjarjes.

3 atentateve të ndryshme iu ka shpëtuar deri më tani Dritan Avllaj, që prej vitit 2001, kur ai u plagos për herë të parë në këmbë, ndërsa ishte në zonën e pasme të “Piramidës”, kur u qëllua me armë zjarri, duke marrë një plagë të lehtë në këmbë. Atentati i dytë, ishte ai i vitit 2007, kur në lokalin e tij pranë Prokurorisë së Përgjithshme u hodh një sasi tritoli, por në këtë ngjarje, nuk pati të plagosur veç dëmeve materiale.

*************************

Atentati, shoferi dhe dopio xhami i makinës shpëtojnë Dritan Avllajn

TIRANE– Plagoset me një plumb në shpatull, duke i shpëtuar një atentati të organizuar Dritan Avllaj i njohur me emrin Tan Lepri. Ngjarja ndodhi mbrëmë vonë rreth orës 22:00 në rrugën “Mihal Gramen”, në kryeqytet pranë një kompleksi banimi në ndërtim. Avllaj mbeti i plagosur në shpatullën e djathtë nga një plumb i kalibrit 9 mm.

Në drejtim të tij dy persona të maskuar me skafandra në një motoçikletë qëlluan 9 herë por xhami dopjo i makinës dhe manovrat e shoferit ia kanë shpëtuar jetën 44 vjeçarit.

Biznemeni i njohur ka marrë një plagë në shpatull dhe dëmtime në mjetin “Mercedez- Benz”, S, prodhim i vitit 2010. Avllaj po lëvizte me makinë në momentin e atentatit. Makina kishte ende targa gjermane EL 412 S, dhe drejtohej nga shoferi i tij.

Sipas dëshmitarëve të pyetur mbrëmë nga Shekulli në vendngjarje vetura me të cilën udhëtonte Avllaj vinte nga rruga Ali Visha dhe kishte kaluar pranë shkollës “Mihal Grameno”, për të dalë pranë tregut elektrik. Në këtë kohë, një motoçikletë, e cila vinte nga pas veturës qëlloi me një armë në të kalibrit 9 mm, së paku 9 herë në drejtim të veturës së Avllajt.

Plumbat e kapën mjetin në xhamin e pasëm të tij ndërsa shoferi gjatë të shtënave devijoi herë pas here rrugën me qëllim për t’iu shmangur plumbave. Nga kjo manovër dhe xhami i dyfishtë, të gjithë predhat e qitura nga një pistoletë (që mendohet të jetë “Zastava”), shkaktuan vetëm një plumb në shpatullën e Avllajt.

Gjatë të shtënave, shoferi i Avllajt devijoi mjetin në kryqëzimin e parë të rrugës duke marë në të djathtë të saj dhe u drejtua për nga kompleksi i banimit “Grand”.

Motoçikleta bashkë me dy personat mori në të majtë të kryqëzimit, duke zbritur tek tregu elektrik për të humbur më pas përmes pallateve. Kur gjithçka përfundoi, shoferi i Avllajt dërgoi atë në spitalin ushtarak, ku mësohet se ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje të shpejtë për të hequr plumbin e marrë në shpatull.

Gjendja e tij mësohet se është jashtë rrezikun për jetën. Më vonë shoferi, ktheu mjetin në vendin e ngjarjes, ku policia nisi të kryente kqyrjen e vendit të krimit si dhe të merrte dëshmi të ndryshme.

Në vend ngjarje, policia sekuestroi, së paku nëntë gëzhoja, të cilat mendohet se janë qitur nga arma e atentatorëve. Policia shoqëroi disa persona në vendin e ngjarjes ndërsa mësohet se një prej tyre ka dhënë një dëshmi shumë të rëndësishme për hetuesit.

Pistat e hetimit

Deri më tani, nuk ka një pistë hetimi të mirëfilltë në lidhje me ngjarjen, por ndaj Avllajt ka patur dy atentate të mëparshme në Tiranë. Në atentatin e parë, të ndodhur në vitin 2001, Avllaj mësohet se ka marrë një plagë të lehtë në këmbë. U plagos pranë Piramidës kur u qëllua nga një person i panjohur. Kurse 3 vjet të shkuara në lokalin e tij përballë Prokurorisë së Përgjithshme, shpërtheu një sasi lënde plasëse.

Miqësia me Thaçin

Biznesmeni i njohur me nofkën “Tan Lepri” ka shërbyer në Kosovë si një ndër protagonistët kryesorë të shtabit elektoral të kreut të PDK-së, Hashim Thaçi. Në Kosovë duket se njeriu i shumëdiskutuar këtej kufirit, është bërë thuajse familjar, në underground-in e politikës kosovare.

Lidhjet e Avllajt me Hashim Thaçin, kanë një histori shumë më të hershme se miqësia e përfolur e tij me Edi Ramën. Kjo miqësi e ka origjinën që prej fillimit të viteve 2000.

Dritan Avllaj u bë një ndër emrat më të përfolur në Shqipëri, kur politika shqiptare u investua dy muaj më parë në një fushatë akuzash dhe kundërakuzash, për një projekt ndërtimi në zonën e Liqenit në Tiranë.

Ai u akuzua nga ana e Partisë Demokratike në Shqipëri, si një ndër njerëzit që ndërtonin në Tiranë, falë mbështetjes që i ofronte kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ky i fundit deklaroi se akuzat janë një fushatë balte, me të cilën Berisha kërkon t’u thotë shqiptarëve se “të gjithë janë hajdutë si ne”.

Kontrata e Liqenit

Kontrata e përfolur e ndërtimit e Avllajt ishte së bashku me burrin e Albana Vokshit dhe Rrahman Selmanllarin tek Liqeni Artificial. Berisha pretendoi se Avllaj kishte marrë 20 për qind të investimit kundrejt detyrimit për të nxjerrë lejen e ndërtimit.

Por Rrahman Selmanllari, që njihet ndryshe si sekser i djalit të kryeministrit, nuk e pranoi këtë në prokurori. Prokuroria mbylli hetimet për çështjen, por marrëdhëniet mes Avllait dhe Selmanllarit dhe Tartarit nga ana tjetër u përkeqësuan.

Emrat e përmendur

Rrahman Selmanllari, i konsideruar si mik me djalin e Kryeministrit dhe Dritan Avllaj (Tan Lepuri) i përmendur për njohjen e tij me kreun e bashkisë së kryeqytetit, u thirrën në Prokurori pas deklaratave të deputetes Albana Vokshi, sipas së cilës bashkëjetuesi i saj Arjan Tartari pagoi 20 % të aksioneve për marrjen e lejes së ndërtimit në zonën e Kodrave të Liqenit Artificial. Për këto hetime u thirrën edhe gardisti-biznesmen Fatos Skeja, Ylber Cami dhe ndërtuesi Ilir Trebicka

Në prag të zgjedhjeve të 2009, granatë në lokalin e Avllajt, pak pasi darkoi Rama

Dritan Avllaj i njohur ndryshe si Tan Lepuri është shfaqur në politikën shqiptare në fillim të viteve 2000. Në atë kohë ai ishte shoferi i Monika Kryemadhit dhe emri i tij është përdorur nga Fatos Nano.

Ky emër është shfaqur në mënyrë periodike në shtypin shqiptar sa herë që afrojnë zgjedhjet. Kështu në vitin 2009, vetëm pak kohë përpara zgjedhjeve, në lokalin e tij u hodh një granatë. Në atë lokal pak para kësaj ngjarje kishte darkuar Edi Rama.

Kohët e fundit emri i Dritan Avllajt është përmendur nga mazhoranca. Deputetët e PD-së dhe kryeministri Berisha kanë akuzuar kryetarin e opozitës se shet lejet e ndërtimit duke përdorur si sekser Dritan Avllajn. Avllaj u thirr në Prokurori dhe ka sqaruar aty marrëdhëniet e biznesit.

Dritan Prifti: Meta prezantoi Tan Lepurin me Ramën, ka qenë shofer i Monika Kryemadhit

Në kohën e debatit të ashpër politik mbi ndërtimet në Liqenin e Tiranës, një nga dëshmitë më interesante ka qenë ajo e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Pyetjes së gazetarëve: “Si ju duket reagimi i LSI-së dhe kryetarit të saj, Ilir Meta, pas largimit tuaj?” ai ju përgjigj:

“..Reagim për të ardhur keq, reagim imoral dhe mafioz. Nga një anë thoshin “rrugë të mbarë” dhe nga ana tjetër thoshin “iku në plehrin e Tan Lepurit dhe tek klubi kokainës”. Unë Tan Lepurin nuk e njoh as për fytyrë dhe nuk e kam takuar kurrë. Ai është shpikje e Ilir Metës.

Ilir Meta e ka prezantuar atë me Edi Ramën, sepse kur Meta ishte kryeministër, Tan Lepuri ka qenë shofer i Monika Kryemadhit. Ai ka filluar të bëjë punë që në kohën e Metës dhe nëse Iliri do ta kishte pyetur Monikën, besoj, nuk do ta lidhte emrin e Tan Lepurit me mua.

Edhe me kokainën unë s’kam pasur kurrë lidhje. Nuk e kam provuar kurrë dhe s’kam asnjë lidhje me askënd që e përdor apo trafikon. Kurse Ilir Metës i kanë arrestuar shofer të bashkëpunëtorëve të ngushtë me kokainë në makinë.

Ai i ka nxjerrë viza miqve të Spartak Brahos që janë arrestuar në Itali me kokainë dhe para pak javësh i arrestuan sekretarin personal të Ministrisë së Jashtme për akuza me trafik kokaine. Këta i shohin njerëzit si peng të krimit, siç janë dhe kanë qenë vetë…”.

**************************

Plagoset me armë Dritan Avllaj

Dritan Avllaj, i njohur ndryshe edhe si ‘Tan Lepri’ është qëlluar me armë pak minuta më parë nga dy persona ende të paidentifikuar, duke i shkaktur plagë në shpatull. Mendohet se dy persona me skafandër e kanë qëlluar ndërsa Avllaj ka qenë dukë lëvizur me makinë. Avllaj ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë, jashte rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur në Rr. Mihal Grameno, pranë tregut elektrik në kryeqytet. Policia ka nisur menjëhere hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Avllaj u be i njohur pasi Berisha e beri personazh per shkak te nje kontrate ndertimi se bashku me burrin e Albana Vokshit dhe Rrahman Selmanllarin tek Liqeni Artificial. Berisha pretendoi se Avllai kishte marre 20 perqind te investimit kundrejt detyrimit per te nxjerre lejen e ndertimit. Por Rrahman Selmanllari, qe njihet ndryshe si sekser i djalit te kryeministrit, nuk e pranoi kete ne prokurori. Prokuroria mbylli hetimet per ceshtjen, por marredheniet mes Avllait dhe Selmanllarit dhe Tartarit nga ana tjeter u perkeqesuan. Partia Socialiste qendroi larg ketij debati dhe kohet e fundit Dritan Avllai ka pasur nje distance edhe me Edi Ramen, per te cilen Berisha e perfoli se ishte mik i tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu