The first political campaign differently

0
665

Pasi mbarova studimet në Perëndim me rezultate të shkëlqyera, me plot zell dhe dëshirë vendosa të kthehem në Shqipëri. Edhe pse kisha qëndruar në Perëndim për të kryer studimet, asnjëherë nuk isha ndarë nga Shqipëria. Gjithmonë, kisha shkruar në të përditshmet shqiptare për çështje të ndryshme sociale. Gjithashtu, në Itali në rolin e kryetarit të organizatës shqiptare “Gjenerata e Re Shqiptare” kisha organizuar takime, konferenca, programe e projekte që kishin për qëllim mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Itali si dhe isha përpjekur të prezantoja imazhin e Shqipërisë në optikën pozitive edhe kur nuk ishte ashtu.

Pra, Shqipëria deri në momentin që vendosa të kthehesha, qëndronte në zemrën time si një gurë i rëndë që më bënte të ndjehesha krenar dhe plot energji. U ktheva në Shqipëri, si një djalosh që kishte investuar shumë për të ardhmen e tij intelektuale e akademike dhe mezi priste të jepte kontributin e tij në jetën e përditshme shqiptare. Para, se të kthehesha, mendoja, se e njihja mirë shoqërinë shqiptare. Sapo zbrita në Shqipëri dhe kalova javën e parë, e kuptova se nuk e njihja ashtu sic duhej.
Shqipëria, më shfaqej jashtë çdo lloj optike normale perëndimore. Më dukej si një vend që nuk mund ta krahasosh edhe me një vend të lodhur të Afrikës apo të Azisë. Shqipëria, të shfaqet si një vend që ka vështirë të shkëputet nga e kaluara dhe të projektojë të ardhmen. Si një vend që përfaqësohet me njerëz të kaluarës dhe njerëzit e të tashmes sulmohen me çdo mjet që të mos pjesë e asnjë iniciative politike, shoqërore etj.
Për fatin tim të mirë, pas shumë vitesh studimesh në Itali, kthimi im në Shqipëri koncidojë edhe me zhvillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e pushtetit vendor. Për mua ishte një rast i mirë për të studiuar nga afër politikën shqiptare; për ta krahasuar atë me vendet e tjera të Perëndimit. Kështu, fillova të vihesha në kontakt me disa forca politike shqiptare. Mendoja, se politikën edhe në Shqipëri ashtu si në Perëndim e bënin njerëzit me klas, persona që kishin arritur suksese në jetën profesionale.
Për fat të keq, ajo që vëzhgova ishte krejt ndryshe nga jeta politike Perëndimore. Mes personave që merreshin me politikë, njoha shumicën prej tyre që se kishin idenë: ç’është politika, kush është misioni i saj, pse njerëzit duhet të angazhoheshin me politikë, sa rëndësi ka përfaqësimi qytetar në jetën politike etj. Shumica e bisedave që bëheshin mes tyre ishin: me duhet të bëj 70 vota me çdo kusht se më kanë premtuar një vend pune, duhet të konfirmojë 70 vota se ndryshe më heqin nga puna.
Shumë herë i pyesja: po çfarë i thoni qytetarit kur i kërkoni votën? Po ja nuk do të paguash dritat nëse na voton neve, do të kesh uji pa ndërprerje nëse na voton neve, do të fusim ndonjë pjesëtar të familjes në punë etj. Pra, në asnjë rast nuk prezantohej ndonjë program konkret qeverisës i forcës politike që përfaqësonin. Pra, zhvillohej një fushatë krejt pa vizione, por e mbushur me shantazh. Na bëj këtë, të japim atë! Na vota, të ndihmojmë! Na bëjë votat, të fusim në punë! Na bëjë votat, të mbajmë në punë!
Pra, qytetari i “shkretë” ishte i shantazhuar nga politika. Sot, në Shqipëri, pseudopolitikanët kanë krijuar një sistem të tërë politik, i cili bazohet mbi shantazhin, ku qytetari gjendet i marrë peng për çdo hap të jetës. Sot, është krijuar me qëllim një sistem i tillë, që nëse nuk bëhesh pjesë e tij, jo vetëm që nuk mund të jetosh një jetë normale, por mund të kesh shumë vështirësi e probleme. Pra, politika shqiptare, ndryshe nga çdo vend i Perëndimit, nuk përfaqëson një mundësi më shumë për të përmisuar jetën e çdo kujt, por një formë ku jeta e çdo kujt është peng i politikës.
Gjatë fushatës elektorale, kam pasur mundësinë të shikoj CV-të e personave që merreshin me politik dhe pretendonin gjithçka prej saj. Ajo që kam vënë re, ishte fakti, se ishin njerëz pa asnjë lloj forme kualifikimi. Njerëz që kishin në CV, emër/mbiemër, vendlindje si dhe të me të zeza “militant i besueshëm”. Nuk mungonin edhe rastet, ku mes tyre mbrapa shpinës shpreheshin: ai është hajdut lagje; ai tjetër është pa shkollë; ai tjetër është shitës duhani, etj.
Ajo që më bëri të ndjehem keq ishte fakti, se djem të tjerë si, unë, nuk gjeta në politikën shqiptare. Edhe mua, për shkak të arsimit të lartë sa herë që më takonin, lexoja tek sytë e tyre panikun dhe merakun që kishin për përfshirjen time. Aty, e kuptova se sa respekt ka politika shqiptare për të rinjtë e shkolluar me plot sakrifica në Perëndim. Një ditë në një mbledhje analize, erdhi nën kryetari i një partie për degën e Tiranës. Pasi e dëgjova dhe e dëgjova, më në fund vendosa të reagoj! E pyeta- duke qenë se jeni në qeverisje dhe përfaqësoni Shtetin, çfarë keni bërë për ata që kanë kryer studimet jashtë dhe janë kthyer në Shqipëri? Ne si fillim duhet të punësojmë militantët tonë që punojnë shumë për partinë, pastaj të shikojmë se ç’mund të bëjmë edhe për ata janë shkolluar jashtë- tha ai.
Gjithashtu, ato pak të rinj që i shikoja të aktivizuar në politikë dhe që shfaqen me krejt potencë, ishin njerëz të afërt të liderëve. Nuk mungonin edhe rastet, ku injorantë të mirëfilltë, vetëm pse ishin farefis me elitën drejtuese shfaqeshin me krejt potencë si Kaponët e kohëve moderne. Ata, edhe pse nuk ishin askushi përfaqësonin gjithçka. Pra, politika shqiptare është politika klanore, fisnore dhe jo transparente. Edhe mënyra se si zhvillohet fushata elektorale e tregon qartë këtë gjë. Shumica janë të detyruar ta votojnë një forcë politikë, sepse janë farefis me kryetarin, të tjerët janë të detyruar, sepse janë të shantazhuar nga sistemi politik.
Prandaj, për mendimin tim, rezultat politike që dalin nga këto lloj fushatash nuk kanë asnjë lloj rëndësie demokratike, sepse sistemi politik nuk është i tillë që në origjinën e tij. Për këtë arsye asnjëherë në këto 20 vite tranzicioni nuk mund të flasim për zgjedhje të mirëfillta demokratike. Si mund të flasim për zgjedhje demokratike, ku politikani e shantazhon qytetarin mbi kushtet e mjerueshme të jetës së tij? Si mund të quhet demokratike, kur fshatari i mbytur në varfëri për shkak të politikave të qëllimshme e shet votën dhe personalitetin e tij për një thes me mill? Si mund të quhen zgjedhje politike të lira, kur një familje e tërë e shet votën e lirë vetëm për faktin të mos i pushojnë nga puna ndonjë anëtarë të familjes?
Faktor tjetër shumë i diskutueshëm që ve shumë në dyshim demokracinë shqiptare, është fakti se si personat që duhet të përfaqësojnë qytetarët, nuk zgjidhen, por delegohen nga farefiset politike dhe nga klanet e ndryshme. Qytetari thuajse gjithmonë është para provës së kryer duke votuar persona që nuk kanë asnjë vlerë personale njerëzore dhe jo më përfaqësuese politike. Të gjitha këto që i pashë nga afër, vendosën në dyshimi dashurinë e madhe që kisha për vendin tim, impenjimet e mia modeste që kisha bërë në të mirë të vendit tim dhe të qytetarëve të mi. Megjithatë, asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim faktin, se Shqipëria ka qytetarë të mrekullueshëm që nuk meritojnë të përfaqësohen nga politikanët aktual. Gjithmonë kam besuar dhe besoj, se nëse bëhemi më të vetëdijshëm për të ardhmen tonë të përbashkët, do të gjejmë forcën për të çuar në shpi këtë klasë vjetër politike si dhe sistemit politik 20 vjeçar që kanë pjellë.
Shkruan: Alban Daci

Reply

Please enter your comment
Please enter your name here