Enver Hoxha: “Tavarish Nikita, ministri juaj të mendojë për sigurimin e kufijve të BS, për tanët mendon Beqir Balluku”

0
986

Selim Pira, kapiteni i Rangut të Parë, rrëfen për vizitën Nikita Sergejeviçit në Pashaliman Marshalli

Malenovski, ministër i mbrojtjes i BS propozoi një bazë strategjike për nëndetëset në liqenin e Butrintit

Enveri: “Tavarish Nikita, ministri juaj të mendojë për sigurimin e kufijve të BS, për tanët mendon Beqir Balluku”

Selim Pira, një ushtarak karriere në Flotën Luftarako-Detare, thotë se vitet ’59-’60 do të tregonin se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik kishin marrë një të çarë të pariparueshme. Ai kujton se për herë të parë për marrëdhëniet e tensionuara mes shtetit shqiptar dhe shtetit më të madh të kampit socialist, i ka marrë vesh kur kuadrot kryesorë të bazës së Pashalimanit u informuan nga një material i Komitetit Qendror, i cili bënte fjalë për konfliktet e hapura të Partisë Komuniste Kineze me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në këtë debat, Partia e Punës e Shqipërisë merrte në mbrojtje kinezët. Ky ishte një material i rezervuar e tepër sekret, me të cilën u njohën sekretarët e parë të rretheve, si dhe drejtuesit e lartë të Bazës së Pashalimanit, me të vetmen arsye se në këtë bazë kishte trupa ushtarake sovjetike. Deri në atë kohë, ne oficerët qëndronim në bazë pa armatim. Por që atëherë filluan të kishin më kujdes për t’i pasur të mbushura pistoletat që mbanin në kasaforta…

..Në fillim të muajit maj 1960, komanda e Brigadës së Nëndetëseve në bazën e Pashalimanit njoftohet se sekretari i Parë i KQ të B.R.S.S, Nikita Hrushovi, gjatë vizitës që do të kryente në Shqipëri, kishte planifikuar edhe një vizitë në ambientet e bazës detare më të njohur të Mesdheut. Kapiteni i Rangut të Parë, Selim Pira thotë se nga komanda e Pashalimanit u morën të gjitha masat organizative për të pritur një personalitet të rëndësishëm, siç ishte Nikita Hrushovi. Madje, për këtë qëllim u urdhërua të përgatitej për udhëtim edhe Baza Lundruese. Kështu, anija më e madhe e flotës, Baza Lundruese, u pastrua dhe u lye për të qenë në gjendje sa më të mirë në pritje të personaliteteve të mëdha të të dy vendeve. Gjatë rrëfimit të tij për gazetën “Shekulli”, Selim Pira, ish-komisari i nëndetëses së parë shqiptare, i cili pak muaj më vonë u zgjodh Sekretar i Byrosë së Partisë në Bazën e Pashalimanit, thotë:

Si e sillnin ndër mend këtë vizitë?

Kur korteu i makinave luksoze “Zim” ndaloi në qendër të Bazës Detare të Pashalimanit, u prit nga marinarët shqiptarë e sovjetikë, të rreshtuar në dy anë. Në protokoll ishte përcaktuar se forca i paraqitej mikut të largët, ndërsa Enver Hoxhës i duhej të qëndronte disa metra më pas. Nikita Hrushovit iu paraqit forca nga komandanti shqiptar i Brigadës së Nëndetëseve, Kapiteni i Rangut II, Xhemal Shani dhe komandanti Sovjetik i Bazës, Igorov. Pas kësaj, ishte organizuar një koktejl, ku u ngritën dolli për mirëqenien e dy popujve miq”,

Ku do të përqendrohej më pas kjo vizitë e Sekretarëve të Parë?

Pas pritjes në Pashaliman dhe një qëndrimi të shkurtër në të, krerët më të lartë të dy vendeve socialiste hipën në Bazën Lundruese dhe u strehuan nëpër kajutat (dhomat) e saj. Unë u caktova me grupin e oficerëve shoqërues që ndodheshin pranë delegacionit shqiptar. Gjatë këtij udhëtimi, Enver Hoxha shoqërohej nga ministri shqiptar i Mbrojtjes, Gjeneral-leitnant Beqir Balluku, ndërsa Nikita Hrushovi nga ministri i Mbrojtjes i B.S. Marshalli Malenovski. Si karakteristikë të këtij udhëtimi, mbaj mend se gjatë gjithë kohës Enver Hoxha dhe Nikita Hrushovi nuk u takuan asnjëherë, përgjatë daljeve në kuvertën e anijes, ku vrojtonin rivierën bregdetare të Jonit. Ata dhe ekipet që i shoqëronin qëndronin larg njëri-tjetrit.

Do të kishte përplasje me fjalë mes dy krerëve?

Në fakt, në kinofilmin e realizuar nga kinostudio “Shqipëria e Re” është paraqitur një Enver Hoxhë i qeshur e i gëzuar, në pritjen që i bëri Nikita Hrushovit, gjatë zbritjes në aeroportin e Rinasit. Por faktet janë krejt të ndryshme nga ajo që kishte të bënte me spektaklin për objektivin e kameras. Gjatë udhëtimit për në Sarandë, pamja e Enver Hoxhës nuk ishte aspak miqësore, por tepër zyrtare dhe me një përmbajtje të brendshme. Kur qëllonte që të ishin të dy mbi kuvertën e Bazës Lundruese, ata shkëmbenin ndonjë fjalë në rusisht. Por Enver Hoxha ishte shumë serioz. Duke e njohur mirë temperamentin e tij, e kisha të qartë se kur ai ishte në gjendje të mirë shpirtërore, të bënte për vete. Por, kur ishte i mërzitur për një arsye të caktuar, i ndihej ashpërsia në fytyrë. Pikërisht, kështu ishte atë ditë. Ndërsa çuditërisht, tepër entuziast po tregohej Hrushovi. Ai kishte mbetur i mahnitur nga pamja që i ofronte bregdeti i Jonit dhe e shprehte hapur një gjë të tillë.

Po provokime nga ana e Hrushovit a pati?

Kur Baza Lundruese u ankorua në portin e Sarandës, titullarët e lartë u pritën nga autoritetet lokale. Për nder të mysafirëve të rrallë e të ardhur nga larg, u organizua një koktejl i shkurtër. Dhe menjëherë pas ceremonive protokollare, korteu i “Zim”-ave të zinj, mori rrugën për në qytetin e lashtë të Butrintit. Dhe sapo është njohur me hartën e qytetit antik, Nikita Hrushovi iu drejtua në rusisht Enver Hoxhës: “Shumë afër e paskeni grekun?” Por Enver Hoxha, sikur ta kishte pritur një gjë të tillë, i është përgjigjur menjëherë dhe qetësisht: “Gjithmonë afër e kemi pasur, por dhe frikën asnjëherë nuk ia kemi pasur”. Në fakt Enver Hoxha dhe Nikita Hrushovi kanë folur gjatë gjithë kohës, pa përkthyes.

A shkelej protokolli në këtë mënyrë?

Deri këtu nuk përbënte ndonjë problem të madh, pasi nuk flitej për bisedime zyrtare apo diplomatike, ndërsa Enver Hoxha e njihte gjuhën ruse aq sa të kishte mundësi të kuptonte dhe t’i kthente përgjigje modeste shefit të Kremlinit. Ndërsa ne si grupi i oficerëve shoqërues qëndruam disa metra më larg dy udhëheqësve kryesorë, por kjo nuk ishte pengesë për të humbur detaje nga ajo që thuhej mes Hoxhës dhe Hrushovit. Pra unë jam një nga dëshmitarët që e kam dëgjuar vetë këtë bisedë.

Prova e fundit që bënë sovjetikët, në fushatën e provokimeve të tyre, ishte ajo e tentativës për të rrëmbyer nëndetësen 4, ku komandant ishte Shyqyri Çuka e komisar Latif Hoxha. Në filmin “Ballë për Ballë” ajo njihet si “nëndetësja 105”. U dha alarmi në bazë dhe marinarët shqiptarë u futën me shpejtësi në nëndetëse, duke zënë me forcë pozicionet luftarake. Ndërsa komandant Shyqyri Çuka i tha komandantit sovjetik që të largohej nga nëndetësja me të gjithë ekuipazhin e tij, pasi ajo ishte një nëndetëse shqiptare.

Propozimi i marshallit

Enveri akuzon Hrushovin: Imperialist!

Gjatë udhëtimit për në rivierën e jugut të Shqipërisë, delegacioni dypalësh është ndalur për të vizituar edhe Ksamilin. Nga kjo vizitë, Selim Pira kujton dhe disa çaste tepër të veçanta të bisedës mes Enver Hoxhës e Nikita Hrushovit. Sipas tij, Hrushovi ishte nën shoqërinë e ministrit të Mbrojtjes, marshallit Malenovski dhe të disa pjesëtarëve të delegacionit sovjetik. Ata po bënin një bisedë, e cila e gjallëroi dhe e bëri entuziast Nikita Hrushovin. Pak çaste më vonë, ai i drejtohet Enver Hoxhës, i cili ndodhej disa metra më larg, nën shoqërinë e Beqir Ballukut dhe të pjesës tjetër të delegacionit. “Tavarish (shoku) Hoxha, afrohu…” Ndërsa Enver Hoxha ia ka kthyer pa shumë qejf: “Çfarë ka Nikita Hrushov?” I përfshirë nga një entuziazëm në rritje, Hrushovi shprehet: “Ministri sovjetik i Mbrojtjes, strategu ynë, mareshalli Malenovski ka një ide të shkëlqyer. Ai mendon se po të thellohet liqeni i Butrintit, bëhet një bazë e shkëlqyer nëndetësesh, më e madhe se ajo e Pashalimanit. Kjo do të jetë një bazë e fuqishme e kampit socialist. Kjo është dhe një garanci e madhe, sepse në këtë mënyrë ne i vëmë kufirin detit Jon, ndërsa Adriatiku mbetet një liqen. Në këtë mënyrë, i japim një goditje të fortë kapitalizmit dhe agresivitetit të Flotës së 6-të Amerikane, e cila ka ardhur nga mijëra kilometra larg, për të bërë karshillëk në Mesdhe”. Selim Pira thotë se, që nga ky çast, Enver Hoxha u nxi dhe më shumë në fytyrë. Madje, sipas tij, Enver Hoxha i është kthyer Hrushovit me përçmim e duke mos i përmendur asnjë parashtesë protokollare: “Nikita Hrushov! Ministri juaj i Mbrojtjes më mirë të mendojë për sigurimin e kufijve të Bashkimit Sovjetik. Këtej nga ana jonë, mendon ministri shqiptar i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Kësaj tavarish Nikita i vjen era imperializëm”. Komisari i nëndetëses së Parë sqaron për gazetën, se pas fjalëve plot ashpërsi të Enver Hoxhës, sekretari i Parë i KQ të B.R.S.S, Nikita Hrushovi, u bë si i çmendur. Vetëm pak çaste më vonë, të dy delegacionet, në një mënyrë fare të hapur e inatçore u hipën makinave për t’u kthyer në Tiranë. Korteu i gjatë i “Zim”-ave mori drejtimin për nga Gjirokastra. Ndërsa oficerët e marinës u kthyen për në bazën e Pashalimanit, ku gjendja nuk do të ishte më e mirë.

Dëshmia

Mehmeti u tregon rusëve kufirin në Detin e Zi

Fill pas vizitës së Hrushovit në bazën e Pashalimanit mbërrin kryeministri Mehmet Shehu. “Na lajmëruan se në orën 10:00 të paradites të gjithë kuadrot dhe efektivat e bazës, të mblidheshin në kinemanë e Pashalimanit. Kryeministri Mehmet Shehu do të mbante një fjalim të rëndësishëm”, tregon për gazetën kolonel Selim Pira. Ai thotë se në fillim të fjalës së tij, kryeministri foli për rolin e rëndësishëm të Bashkimit Sovjetik në kampin socialist. Por Mehmet Shehu gjatë këtij takimi të përbashkët, bëri dhe një retrospektivë, ku foli edhe për rolin e rëndësishëm që kishte ushtria sovjetike në Luftën e Dytë Botërore, nga ku shteti i madh komunist kishte humbur jetën e 20 milionë njerëzve gjatë luftimeve të ashpra për të mposhtur Gjermaninë naziste. Në pjesën e tretë të fjalimit të tij, kryeministri Mehmet Shehu u ndal në ndihmën e madhe që i jepte Bashkimi Sovjetik, një vendi të vogël të kampit socialist, siç ishte Shqipëria. Në këtë aspekt, kryeministri shqiptar përmendi jo vetëm ndihmën në ekonomi, por dhe atë që ishte dhënë në anën ushtarake. Në pjesën tjetër të diskutimit përpara efektivave të përbashkët, Mehmet Shehu vuri në dukje rolin strategjik, që kishte Shqipëria si pjesë përbërëse e kampit socialist, pikërisht sepse deti Adriatik dhe Jon përbënin dhe kufirin perëndimor të këtij kampi. Ish-komisari i nëndetëses së parë shqiptare, Selim Pira mban mend se, Mehmet Shehu gjatë këtij takimi ka thënë: “Roli i Vlorës dhe i Bazës Ushtarako-Detare të Pashalimanit është shumë i madh për kampin socialist. Por, nëse trupat sovjetike do të tërhiqen nga kjo bazë, atëherë dhe kufiri i kampit socialist nuk do të jetë më, as Adriatiku dhe as Joni, por Deti i Zi”. Selim Pira thotë se pas këtyre fjalëve, kishte vënë re se kuadrot e marinarët sovjetikë në sallën e kinemasë, më së shumti dëgjonin me kokën ulur. Por Mehmet Shehu ka vazhduar më tej, duke u shprehur: “Prandaj marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, duhet të vazhdojmë t’i kemi ashtu siç i kemi pasur për vite me radhë. Në rast të kundërt, të dy palët nuk bëjnë gjë tjetër, veçse i hapin rrugën imperializmit”. Selim Pira thotë se, fjalimi i gjatë i kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu u duartrokit herë pas here, por vetëm nga efektivat shqiptarë të bazës. Ndërsa sovjetikët dëgjonin të heshtur dhe me kokën poshtë.

Me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, merrte çdo 3-4 orë në telefon në Pashaliman dhe informohej për situatën nga Hito Çako. Në bazë të informacioneve jepte dhe udhëzimet e përshtatshme

Baza detare, mollë sherri

Që prej vizitës së Sekretarit të Parë të KQ të BRSS, Nikita Hrushovit, në Shqipëri, baza detare e Pashalimanit do të bëhej një mollë sherri mes dy vendeve. Për më shumë se një vit, gjendja në bazë do të karakterizohej nga një tension, që herë mbahej brenda e herë shpërthente dukshëm. Të gjitha incidentet mbaheshin shënim dhe raportoheshin deri në instancat më të larta të shtetit. Selim Pira thotë se, për shkak të situatës, bateritë e artilerisë kundërajrore dhe të armëve të tjera në Sazan dhe Karaburun, mbaheshin në gatishmëri të plotë. Po me ndjenjën e gatishmërisë, jetonin dhe të gjitha familjet e oficerëve, që ishin strehuar në qytetin e vogël të Orikumit.

Justifikimi: “Shqipëria po tradhton kampin socialist”

Në bazë të një marrëveshjeje qeveritare, që në muajin janar të vitit 1959, katër nëndetëse të prodhimit rus, duhet të kalonin plotësisht në administrimin e shtetit shqiptar. Për këtë arsye, edhe ekuipazhi i përbashkët duhej të zëvendësohej me ekuipazh shqiptar. Por një gjë e tillë nuk u kishte pëlqyer palës sovjetike, e cila kërkonte me çdo kusht të mos i dorëzonte nëndetëset, edhe pse për këtë kishte një kontratë të lidhur, në kuadër të Traktatit të Varshavës, organizëm në të cilin dhe Shqipëria bënte pjesë. Për të motivuar shkeljen e kontratës, nga pala sovjetike thuhej se, “Shqipëria po tradhtonte kampin socialist”.

Partizani i Dibrës në nëndetësen e Pashalimanit

Selim Pira tanimë është 86 vjeç. U lind në Lugjej të Dibrës në 1926. Qysh në fillim u lidh me armë në dorë, me pjesëmarrësit e Luftës NAÇL. Fillimisht në çetën partizane të Sllovës, në Batalionin e Dibrës e më pas në Brigadën e 18-S. Luftoi deri në çlirimin e Shqipërisë. Mbas çlirimit, u shkollua e kualifikua si oficer me gradë madhore e kreu detyra të rëndësishme në repartet e njësisë së Ushtrisë Popullore. Fillimisht u emërua në Shkodër, si shef i administratës në shtabin e Korparmatës. Në vitin 1956-‘57 emërohet në Berat, komisar i Batalionit të Tankeve. U specializua në ish-BS për flotën luftarako-detare. Në tetor 1957 MM e emëron; komisar i Nëndetëses së Parë shqiptare. Për disa vite shërbeu në Brigadën e Nëndetëseve në Pashaliman, Vlorë. Nga viti 1962 ka punuar në MMP deri sa doli në pension, në gusht 1982. Për kontributin e tij, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar me 14 medalje, urdhra lufte e pune. Gëzon dy grada: si Kolonel i ushtrisë dhe Kapiten i Rangut të Parë të Flotës Detare.

 

Nga Leonard Veizi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu