Enver Hoxhës t’i jepet ajo që i takon (VIDEO)

0
876

Ditën e sotme kryetari i Kuvendi, Ilir Meta ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të masakrës së 4 Shkurtit të vitit 1944. Gjatë fjalës së tij Meta u shpreh se dita e sotme është një ditë homazhi dhe reflektimi për të gjithë. Gjithashtu, Meta kërkoi edhe rikthimin e emrit të rrugës në Tiranë, “Dëshmorët e 4 Shkurtit” ndërsa kërkoi që të vihet drejtësia edhe në lidhje me shumë monumente të tjera të Luftës Nacional Çlirimtare.

“Ne sot ndiejmë keqardhje për akte të pafalshme që kanë ndodhur ashtu siç është edhe heqja e emrit të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” dhe është momenti për të bërë një rivlerësim, për të vendosur drejtësinë. Ndaj dhe shpreh kënaqësinë që sot ndodhet këtu edhe prefekti Vorpsi dhe kreu i këshillit bashkiak Dalipi dhe shpresojmë që shumë shpejt të gjendet një zgjidhje, të kemi një memorial ku të jenë shkruar emrat e 84 martirëve. Ndaj është koha për të rivlerësuar edhe monumentin e 5 heronjve të Vigut, që në mënyrë të padrejtë u largua nga qendra e qytetit të Shkodrës”, – deklaroi Meta.

Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, ishte një prej kryesoreve në zonën e ish-bllokut në kryeqytet. Tani ajo ka emrin e ish-presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Sot ka vende shumë më të zhvilluara, të cilat ndjehen të ‘turpëruara’ që nuk shkrepën një armë kundër pushtuesve, ndërkohë që vendi ynë u rreshtua në një moment mjaft të vështirë të historisë, kur askush nuk mund ta parashikonte fundin e luftës, kundër makinerisë së fashizmit. Të përkulemi me nderim para martirëve, veteranëve, dëshmorëve. Masakra e 4 Shkurtit është një tregues i qartë i asaj që Shqipëria nuk u trajtua me dashamirësi nga pushtuesit”, – vijoi më tej Meta.

PASKAL MILO: ENVERIT T’I JEPET AJO QË I TAKON

Nëse nuk do të ishin dëshmorët e 4 Shkurtit, do të ishin vënë në jetë planet e copëtimit të Shqipërisë dhe sot nuk do të kishim Jugun e Shqipërisë. Kështu është shprehur politikani dhe historiani Paskal Milo në aktivitetin e mbajtur sot në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 4 Shkurtit, ditës së dëshmorëve së LANÇ.

Prandaj, sipas Milos, vlera e kësaj lufte është e pazëvendësueshme se ka mbrojtur integritetin e Pavarësinë e Shqipërisë. “Nuk e mbrojmë thjesht si mund të na akuzojnë nesër, se po mbrojmë Enverin. Edhe Enverit do t’i jepet ajo që është për t’i dhënë, për ato që ka bërë e do të dënohet për çfarë ka bërë më vonë, e populli ia ka dhënë dënimin”, tha mes të tjerave Paskal Milo. Ai foli edhe për dhënien e emrit rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.

Sipas tij, ky emër duhet të respektohet. Madje, “ka rrugë qendrore të tjera Tirana që të meritojnë emrin e 4 Shkurtit”. Ashtu si dhe Ilir Meta, ai foli për ngritjen e një monumenti që do të mund të përkujtojë 84 dëshmorët e LANÇ.

“Edhe një obelisk, simbol tjetër i gjallë dhe i prekshëm për dëshmorët e 4 Shkurtit. Ishin 84 njerëz që ishin martirë, dëshmorë, jo viktima. Të gjithë bashkë si ekip që duam të mbrojmë historinë tonë kombëtare, të qëndrojmë kështu për tërë vitin, të mbrojmë një thesar të madh të traditës sonë kombëtare, që për jetë të jetëve do të mbetet i tillë”, përfundoi Milo.

/Shekulli Online/S.H./

http://www.youtube.com/watch?v=NNfjNwQu1Zg



PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu