Eprorë të SHIK-ut organizuan grupe për të vrarë njerëz pas lufte

0
754

Ibush Kllokoqit iu kishte dhënë fjala që nuk do ta vrasin strukturat e UÇK-së, por e kishte vrarë Nazim Bllaca. SHIK-u nuk ka vrarë njerëz, por epror të SHIK-ut kanë organizuar grupe që kanë vrarë njerëz pas lufte. Bllaca është marr edhe me biznes të kufomave, iu ka marr; ka 10 mijë euro njerëzve kinse ua gjen të zhdukurit. Kështu thotë Naim Miftari, ish- pjesëtarë i UÇK-së, më vonë thotë se ka qenë edhe pjesë e SHIK-ut dhe e Policisë së Kosovës.

Në një intervistë të gjatë për “Standardi.info”, Naim Miftari thotë se SHIK-un e fuqizuan ndërkombëtarët për ta mbajtur nën kontroll një pjesë të komandantëve që përbënin rrezik për Bashkësinë Ndërkombëtare.

Miftari thotë se ka qenë pjesë e G2, grupit për zbulim kundër zbulim (ZKZ) gjatë luftës së UÇK-së, kurse pas luftës shumica e kuadrove të G2 kanë kaluar edhe në SHIK.

“Mirëpo SHIK ka dy kuptime, në kuptimin e parë, menjëherë pas luftës, ka qenë një shërbim që ka punuar kundër interesave serbe, me letra. Mirëpo pas një kohe SHIK është lejuar të punojë me urdhër të Bashkësisë Ndërkombëtare, sidomos të Francës pasi Bernard Kushneri ka qenë shef i PSSP. Edhe detyra kryesore ka qenë mbajtja nën kontroll të disa komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së që Bashkësia Ndërkombëtare ka parapa rrezik nga ta”, thotë ai.

Miftari thotë se nuk mund të gjenden fakte se SHIK-u ka kryer vrasje. “Por që janë takuar një drejtor i një sektori të SHIK-ut dhe i ka mbledh 30 ose 40 njerëz jashtë SHIK-u dhe kanë kryer vrasje, kjo po qëndron. Dhe nuk është Nazim Bllaca i pari që akuzohet për vrasje. SHIK-u akuzohet edhe në vitin 2000 e 2001. Kur drejtorin e SHIK-ut e pati akuzuar Astrit Shabani që ai ka thënë në Gjykatë të Qarkut se Murat Krasniqin e ka vrarë me urdhër të drejtorit të SHIK-ut. Mirëpo a është e vërtet kjo, ende nuk dihet”, thotë ai.

Lidhur me dëshmitë e Nazim Bllacës për vrasjen e Ibush Kllokoqit, Miftari thotë se te Bllaca e kanë dërguar hetuesit amerikanë dhe gjithmonë ka shkuar i armatosur, dhe nuk është kontrolluar asnjëherë .

“Nuk kam shkuar te Bllaca ta dëmtojë, mirëpo dhe as nuk më ka dërguar askush ta dëmtojë procesin. Mirëpo mua më ka interesuar procesi, qysh e njeh ai (Bllaca) Kadri Veselin. Nëse ti dikë e merr në Besë të shqiptarit dhe e liron dhe kryeshefi im, Ferki Aliu ia jep Besën e Shqiptarit se Ibush Kllokoqi nuk do të vritet nga organet e sigurimit të UÇK-së dhe pas një kohe del Nazim Bllaca dhe thotë publikisht se unë e kam vrarë Ibush Kllokoqin me urdhër të Azem Sylës, si ministër i Mbrojtjes dhe kam punuar në SHIK. Unë gjithë kam menduar se Ibush Kllokoqin e ka vrarë një person që para luftës i ka bërë keq. Mirëpo gjithë kemi menduar se Ibush Kllokoqin e ka vrarë dikush jashtë strukturave të UÇK e SHIK-ut”, thotë ai.

Miftari, që thotë se ka UÇK-së, TMK-së, SHIK-ut dhe më vonë e MPB-së, thotë se Bllaca vendosi të flasë kur u prish me shoqërinë e vet, për para.

“Unë e di që ka qenë në Serbi dhe e di më kë është takuar. Ka të dhëna që ka bërë tregti me kufoma dhe njerëzit e pagjetur, kanë informacione për këtë, besoj edhe strukturat tona dhe të huajt, që Bllaca ua ka kërkuar ka 10 mijë e më shumë euro për t’i gjetur kufomat. Unë as s’e kam shok dhe as nuk dua ta kem shok. Besoj se Bllaca e ka vrarë Ibushin edhe pse nuk ka ditur të ma përshkruaj Ibush Kllokoqin qysh është dukur”, thotë ai.

Ish-pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftari, ka thënë gjithashtu se Kadri Veseli është frikësuar nga ai se mos po flet siç ka bërë Nazim Bllaca, dhe për këtë arsye nuk e ka pranuar asnjëherë se ka qenë në SHIK.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu