Exclusive: 50 shqiptarë do të largohen nga MPJ-ja?

0
854

Shkup, 2 prill – Planet e fundit të qeverisë së Republikës së Maqedonisë për reformimin e administratës shtetërore, duket se do të viktimizojnë të punësuarit shqiptar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Siç mëson jo-zyrtarisht “Zhurnal” nga MPJ në të ardhmen mund të largohen rreth 50 të punësuar shqiptarë, të cilët mund të dërgohen në institucione tjera shtetërore ose publike.

Më parë “Zhurnal” kishte njoftuar se në mbledhje qeveritare është marrë vendim që MPJ të dorëzojë në qeveri një listë prej 200 të punësuarve që do të konsideroheshin si tepricë. Edhe pse dikush kishte dashur t’i konsiderojë spekulime informacionet për largimin e të punësuarve nga MPJ, “Zhurnal” ka siguruar dokumentin në të cilin në mënyrë të prerë kërkohet listë prej 200 personave tepricë.

“Obligohet MPJ që deri më 15.03.2012 ( e enjte) deri në Ministrinë për shoqëri informatike dhe administratë të dorëzojë listë të tepricës së kuadrit të punësuar (200)”, thuhet në konkluzionin e mbledhjes së mbajtur më 13.03.2012.

Jo-zyrtarisht mësohet se nga MPJ deri në qeveri kanë dorëzuar listë me rreth 100 të punësuar, që konsiderohen si tepricë, ndërsa gjysma e tyre janë shqiptarë. Zyrtarisht askush nuk ka dashur të prononcohet se deri ku është procedura e transferimit të këtyre të punësuarve, por iniciativa është duke rrjedhur sipas konkluzionit të mbledhjes qeveritare.

Përveç MPJ-së në këtë procesverbal të mbledhjes së qeverisë, obligohen që listë për tepricën e të punësuarve të dorëzojnë edhe Qendra për menaxhimin e krizave dhe Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim (100 persona). Gjithashtu obligohet edhe ministritë tjera dhe organe tjera shtetërore, agjenci, fonde, byro, ente, ndërmarrje publike, shoqata aksionare etj., që të dorëzojë listë të tepricës të të punësuarve.

Nëse realizohet ky plan, në MPJ do të zvogëlohet dukshëm përqindja e shqiptarëve e cila deri më tani është afër 22 për qind, duke u zvogëluar nga 25 për qind sa ishte më parë pas punësimeve të reja të kuadrit maqedonas.

Largimi i 50 të punësuarve shqiptarë do të thotë kthim prapa pas punësimit dhe sistematizimit të rreth 50 shqiptarëve në tre vitet e fundit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu