Fakte të reja mbi vrasjen e Artan Santos, qytetari denoncon: I njoh vrasësit!

0
824

Artan Santo

Fakte të reja zbardhen disa muaj pas vrasjes së bankierit Artan Santo. Një qytetar denoncon vrasësit në televizonin News24. “I njoh vrasësit e Artan Santos”, – thotë dëshmitari që ka dijeni mbi vrasjen e bujshme që ndodhi më 26 Qershor të këtij viti.

“I njoh vrasësit e bankierit Artan Santo. Kam kallëzuar më 25 gusht emrat e autorëve tek drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Kallëzova emrat e autorëve të Artan Santos, tregova madje dhe targën e motorit të autorëve. Kam pritur reagimin e policisë ndaj autorëve, por pas heshtjes iu drejtova një prokurori në Tiranë. Më pas iu drejtova televizionit tuaj, News24”.

Realisht vrasja e Santos është mbushur plot mister. News24 ju drejtua më 3 tetor Drejtorit të Policisë Artan Didi, por nuk mori përgjigje.
Televizioni iu drejtua dhe sot kreut të Policisë Didi për një takim me të, dhe kreu i Policisë së Shtetit u përgjigj me një sms, “Drejtohuni në Policinë e Tiranës”.

Televizioni News24 ka heshtur deri më sot për interes të hetimit, por në orën 19:00 përmes gazetarit Artur Cani do të thyejë heshtjen dhe do të japë disa fakte të reja rreth vrasjes së bankierit Artan Santo.

Gjithashtu dhe BalkanWeb do të përcjellë në orën 19:00 dëshminë e plotë të qytetarit.

Biznesmeni Artan Santo, bashkëpronar i medias “Focus Group”, i “Bankës Credins” dhe “TV Scan”, u qëllua mizorisht për vdekje me armë zjarri nga dy persona të maskuar, paraditen e 26 qershorit, në zonën e ish-Bllokut, në zemër të kryeqytetit, pranë selisë qendrore të “Bankës Credins”, teksa ishte duke hyrë në institucion.

ÇIPA: TAGRIN PËR VERIFIKIMIN E INFORMACIONEVE I KA PROKURORIA E RRETHIT GJYQËSOR
Në një lidhje direkte për News24, Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa theksoi se të gjitha informacionet e reja në lidhje me vrasjen e Artan Santos i takojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor.

“Policia e Tiranës çdo lloji informacioni që ka në lidhje me të nderin Artan Santo i ka përpunuar dhe po i përpunon për ti dokumentuar në prova ligjore. Si çdo prova që ka pasur do ti transmetohet Prokurorisë që ka në hetim këtë çështje.”-tha Çipa.

Lajmin nëse ka pasur apo jo një denoncim pranë policisë së Tiranës, Çipa nuk dha asnjë detaj. “Tagrin për të verifikuar çdo të dhënë, që është bërë deri në fund për vrasjen e Santos e ka Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, e cila po merret me çështjen”-tha më tej Çipa. Më tej ai shtoi se: “Çdo e dhënë që i ka shkuar Drejtorisë së Policia ka shkuar në Prokurori. Është punuar dhe po punohet intensivisht deri në zbardhjen dhe vërtetuar autorësinë për këtë vrasje. Besoj që për rastin konkret dhashë përgjigjen e duhur se kjo çështje i takon Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor.”.(BW/INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu