Falsifikimi në Tenderin 8 milionësh, kompania e afërt me Kamishin futet në listë të zezë

0
336
Falsifikimi në Tenderin 8 milionësh, kompania e afërt me Kamishin futet në listë të zezë

Kompania “Lirigzoni” e afërt me deputetin Bekim Haxhiu-Kamishi është futur në listë të zezë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për shkak të dyshimeve se e njëjta ka paraqitur dokumente false në dosjen për tenderin që pretendonte ta fitonte dhe që peshonte rreth 8 milionë euro.

Kompania “Lirigzoni” nga Skenderaj së paku për gjashtë muaj nuk mund të aplikojë për marrjen e asnjë tenderi.

Biznesi në pronësi të Mehdi dhe Haki Haxhiut, është futur në listë të zezë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Kushërinjtë e deputetit Bekim Haxhiu-Kamishi, dyshohet se kanë tentuar ta mashtrojnë shtetin duke paraqitur të dhëna të rreme në aplikimin për një tender të paraqitur nga Ministria e Infrastrukturës.

“Ne si autoritet kontraktues, duke u bazuar në Ligjin për prokurim publik… kërkojmë nga ju që ta diskualifikoni operatorin ekonomik ‘Lirigzoni’ nga pjesëmarrja në prokurim publik për periudhën 1 vjeçare, për arsye se i njëjti ka paraqitur të dhëna të rreme duke falsifikuar raportin e kontratave të përfunduara nga Komuna e Leposaviqit”, thuhej në kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës, drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit më 25 shtator 2019, shkruan Insajderi.

Dy muaj më vonë – më 19 nëntor 2019 – OSHP ka vendosur pro kërkesës së MI-së.

“Lirigzoni… për arsye se ka paraqitur të dhëna të rreme duke falsifikuar raportin e kontratave të përfunduara nga Komuna e Leposaviqit, dhe atë për periudhën kohore prej gjashtë muaj, të njëjtit operator ekonomik ju ndalohet pjesëmarrjen në aktivitetet e prokurimit publik nga 19.11.2019 deri më 18.05.2020”, thuhet në vendimin e OSHP-së, shkruan Insajderi.

“Lirigzoni” kishte aplikuar në tenderin për rikonstrumin e rrugës R 115, segmenti Prizren-Prevallë – tender ky për të cilin vlera e parashikuar ka qenë 8 milionë e 497 mijë e 546.47 euro.

Për këtë tender – kompanisë i është kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës lista e kontratave të realizuara për periudhën e shkuar tri vjeçare.

E njëjta ka paraqitur një referencë të lëshuar nga Komuna e Leposaviqit, për punimet që ka kryer në atë pjesë të nënshkruar nga Dragan Pesakovac. I njëjti e ka mohuar tërësisht rastin.

“Deklaroj: Që lista referuese në fjalë është falsifikim i rëndë, përkatësisht unë atë listë nuk e kam lëshuar. Që unë nuk i kam parë përfaqësuesit e asaj firme që dy vjet e gjysmë. Me datë 29 tetor 2018 [kur është lëshuar dokumenti] unë nuk kam qenë drejtor i Infrastrukturës”.

“Nga ajo e lartpërmendura, prapë deklaroj se vërtetimi është falsifikim i rëndë dhe ju lus që ta raportoni kompaninë në fjalë tek autoritetet kompetente”, vazhdon tutje reagimi i Pesakovac, shkruan Insajderi.

Duke parë këto veprime, Ministria e Infrastrukturës konsideron se “veprimi i ‘Lirigzoni’ e ka vënë në lajthitje Autoritetin Kontraktues…”.

“Lirigzoni” për dokumentet false: Grupet kriminale bënë shpifje kundër nesh

“Lirigzoni” e pranon se janë futur në listë të zezë, por assesi nuk e pranon se ka paraqitur dokumente false në dosjen e tenderit.

“Ne i kemi kryer këto punë me Komunën e Leposaviqit dhe të gjithë dokumentet janë të vërteta”, thuhet në përgjigjen e kompanisë për Insajderin.

Ne dëshirojmë që të japim këtë sqarim, pasi që ne kemi ofertuar në Ministrinë  e Infrastrukturës në disa projekte ku prej tyre është edhe projekti me titull: Rikonstruimi i rrugës rajonale R 115 segmenti Prizren-Prevallë dhe kemi qenë në disa projekte me çmim më të lirë e gjithashtu kemi ofertuar me çmim më të lirë edhe në këtë projekt, ku besojmë që kemi plotësuar të gjitha kriteret”.

Tutje kjo kompani mendon se gjithçka e “dokumenteve false” është e sajuar.

“Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me grupet kriminale në Komunën e Leposaviqit kanë përgatitur këtë shpifje kundër kompanisë sonë…”.

“Kur themi në bashkëpunim me grupet kriminale themi me përgjegjësi të plotë se edhe eliminimi jonë ka qenë korruptiv nga zyrtarët e MI-së dhe kriminel nga zyrtarët e Komunës së Leposaviqit”.

Për shpifje ndaj kompanisë – “Lirigzoni” është duke përgatitur lëndën për në gjykatë – kundër zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe atyre të Komunës së Leposaviqit.

Madje, në një përgjigje të tyre thuhet se “shteti është dashur të na jep medalje dhe jo të na futë në listën e zezë”.

Për këtë “Lirigzoni” rendit disa arsye.

“Në vitin 2015 kur kemi filluar punimet në këtë komunë… jemi kërcënuar hapur që nëse vazhdojmë të punojmë në Leposaviq do të na vrasin, do të na kallin, ne kemi vazhduar punimet pa ndërprerë ku dhe fillon sulmi i parë i tyre ndaj nesh në rrugën e cila shkon në fshatrat kosovare Koshtovë, Bistricë dhe Cerajë. Në këtë vend me armë zjarri na sulmohen rojtarët, ku të nesërmen na thuhet se ky ka qenë vetëm paralajmërim”.

“Pas një muaji në rrugën Vuqanska Banja na e kallin një ekskavator dhe një kamion”.

“Në vitin 2016 duke punuar tek pishina olimpike në Leposaviq na i kallin edhe një kamion dhe një ekskavator”.

Pas këtyre kërcënimeve dhe të tjerave, kompania “Lirigzoni” thotë se “Republika e Kosovës më shumë është duke mbrojtur kriminalitetin, korrupsionin, shantazhet sesa qytetarët e ndershëm të cilët me punën e tyre, e ndërtojnë këtë vend dhe normalisht jemi viktimë e grupeve kriminale të cilat operojnë në Kosovë të asistuar nga shteti jonë”.

Tenderët e fituar dhe lidhjet e “Lirigzonit” me Bekim Haxhiun-Kamishin

Pavarësisht këtyre problemeve të thëna nga kompania e udhëhequr prej vëllezërve Haxhiu – e njëjta ka fituar goxha shpesh tenderë po nga shteti që e kritikojnë.

Vetëm gjatë dy viteve të fundit – “Lirigzoni” ka fituar mbi 1 milion e 133 mijë e 864.35 euro nga tenderët e shtetit – kryesisht në ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve.

Projekte këto të kontraktuara më së shumti nga Komuna e Mitrovicës, Komuna e Leposaviqit dhe ajo e Skenderajt, shkruan Insajderi

Po në këtë komunë – kjo kompani ka krijuar edhe disa “çarje politike” – po për shkak të tenderëve.

Sami Lushtaku dhe Bekim Jashari janë “armiqësuar” për shkak të tyre. Përplasja e këtyre e dyve është bërë pikërisht për paratë e Komunës së Skenderajt.

Prej ardhjes në krye të Skenderajt të Bekim Jasharit, kompania “Security Code”, në pronësi të familjes së Sami Lushtakut e ka humbur tenderin për sigurimin fizik të objekteve të cilin tradicionalisht e kishte fituar.

Atë e kishte fituar një kompani e miqve të familjes së Ramiz Lladrovcit. Kompania “Rojet e Nderit”, është në pronësi të familjarëve të Xhevë Krasniqi-Lladrovcit, gruas së heroit Fehmi Lladrovcit.

Nuk është vetëm ky tender që kanë humbur njerëzit e Sami Lushtakut.

Është edhe ai për rikonstruktimin e rrugës Rrezallë-Likovc, në vlerë prej afro gjysmë milioni eurosh. Pa këtë shumë parash ka mbetur kompania “Rukolli”, pronë e Rrustem Rukollit, i cili nuk kishte lënë tender pa fituar gjatë qeverisjes së Skenderajt nga miku i tij, Sami Lushtaku, shkruan Insajderi.

Diskualifikimi i kompanisë së tij nga tenderët nuk i kishte pëlqyer aspak Lushtakut. Për këtë arsye ishte revoltuar edhe kundër Bekim Jasharit

Por edhe ky i fundit duket i mirë në “lojërat e tenderëve”. Fitues në këtë tender prej afrogjysmë milioni eurosh ishte shpallur kompania “Lirigzoni”, në pronësi të kushërinjve të deputetit Bekim Haxhiu. Kjo është arsyeja se pse Kamishi është krahë i djathtë i Jasharit. Po ashtu, tenderët janë arsyeja që Lushtaku e kishte përjashtuar Kamishin nga kryesia e degës së PDK-së, në Skenderaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu