Familja e aktivistët të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili vdiq sot në Prizren, ka kërkuar nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore, që të mos ia bëjë autopsinë e djalit të tyre pa prezencën e mjekëve të pavarur të caktuar nga vet familja.
Kjo për faktin e deklaratave të autoriteteve kosovare, të cilët e kanë vlerësuar vdekjen e 26-vjeçarit, Astrit Dehari si të dyshimtë.
Ky është reagimi i plotë i familjes së Astrit Deharit:
Për shkak të deklaratave kontradiktore të dhëna nga Prokuroria e Shtetit, Shërbimi Korrektues dhe Policia e Kosovës, familja Dehari kërkon nga Departmenti i Mjekësisë Ligjore që autopsia e trupit të djalit tonë Astrit Dehari të mos bëhet në asnjë mënyrë pa prezencën e mjekëve të pavarur dhe neutralë që do të caktohen nga familja.
Deklarimet institucionale që e cilësojnë si të dyshimtë vdekjen e djalit tonë, si dhe kontradiktat në deklaratat e institucioneve të ndryshme, janë tejet shqetësuese për ne dhe insistojmë që në asnjë mënyrë të mos bëhet autopsia pa prezencën e mjekëve që do të caktohen nga familja.
Familja Dehari,
5 nëntor 2016