Familjarët e politikanëve të punësuar në PTK

0
960

Prishtinë, 14 shtator –  Pagat e larta në Postë-Telekomin e Kosovës (PTK), i kanë joshur edhe zyrtarët më të lartë në vend për t’i punësuar familjarët e tyre, ku paguhen më shumë se në çdo institucion tjetër.

 

Kush punësoi në PTK?

Hashim Thaçi – mbesën

Blerand Stavileci – gruan

Bajram Rexhepi – gruan

Nenad Rashiq – gruan

Fatmir Sejdiu – 2 djemë + 2 reja

Fatmir Limaj – vëllanë

Enver Hoxhaj – motrën e gruas

Justina Shiroka-Pula – djalin

Dino Asanaj – motrën e gruas

Sami Lushtaku – gruan

Avni Kastrati – gruan e djalit

Elmaze Pireva – vëllanë

Nuhi Ahmeti – gruan

Sahit Surdulli – djalin

 

Shumica e këtyre punësimeve, sipas burimeve të gazetës “Zëri”, është bërë duke ndërhyrë direkt politika te menaxhmenti i PTK-së, i cili është detyruar t’i realizojë punësimet e caktuara, duke mos u bazuar shumë në aftësitë profesionale të kandidatëve.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile akuzojnë qeverinë se nepotizmi në sektorin publik do ta vështirësojë procesin e vendit në integrimet evropiane dhe se shumica e punësimeve është bërë duke ndërhyrë direkt politika.

Ndërsa në PTK mohojnë që punësimet i realizojnë në bazë të këtyre ndërhyrjeve, por siç thonë ata, rekrutimi i stafit bëhet duke u bazuar në aftësitë e kandidatëve.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, zyrtarët më të lartë të institucioneve qendrore dhe lokale që i kanë të punësuar familjarët e tyre në PTK janë: Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci e ka të punësuar bashkëshorten në operatorin Vala, bashkëshortja e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, është punësuar në zyrën e PTK-së në Graçanicë. Në PTK është punësuar edhe gruaja e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepit, djali i ish-ministres së Energjetikës, Justina Pula, e cila njëherit është edhe deputete e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, motra e gruas së ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Në PTK punojnë edhe 4 familjarë të ish-presidentit, Fatmir Sejdiu, përkatësisht dy djemtë me bashkëshortet e tyre, vëllai i ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, mbesa e kryeministrit Hashim Thaçit, motra e gruas së shefi t të AKP-së, Dino Asanaj.

Nga niveli komunal në PTK e ka të punësuar gruan kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, bashkëshortja e djalit të kreut të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.

Edhe anëtarët e Bordit të PTK-së gjatë mandatit të tyre në këtë ndërmarrje e kanë shfrytëzuar rastin t’i punësojnë familjarët e tyre. Kështu anëtarja e Bordit të PTK-së, Elmaze Pireva, e ka punësuar vëllanë në prokurim të operatorit Vala, gruaja e anëtarit tjetër i Bordit të PTK-së, Nuhi Ahmeti, është punësuar në PTK, ndërsa Sahit Surdulli, anëtar i Bordit të Drejtorëve, e ka të punësuar djalin në këtë kompani publike.

Ndërsa menaxheri për marrëdhënie me publikun në PTK, Menduh Abazi, thotë se Posta dhe Telekomi i Kosovës ka rekrutuar (punësuar) punëtorët e saj duke respektuar të gjitha ligjet në fuqi dhe rregulloret e brendshme të korporatës, të cilat e rregullojnë këtë çështje.

Sipas tij, i gjithë punësimi është bërë në bazë të biznes-planeve të miratuara ndër vite në bazë të kërkesave për punonjës të rinj të njësive të biznesit të PTK-së.

“Ne si korporatë nuk merrmi me emra dhe individë, por zbatojmë ligjet dhe rregulloret e brendshme në fuqi për punësimin e punëtoreve të rinj, proces ky i cili është ndërprerë për shkak të procesit të privatizimit qysh në maj të vitit të kaluar”, thotë Abazi.

Ai ka shtuar se PTK në asnjë proces nuk ndikohet nga jashtë, por kryen obligimet dhe realizon biznes-planin e saj, duke respektuar ligjet në fuqi në vend.

“PTK në vazhdimësi ka pasur performancë pozitive në rekrutimin e stafi t të saj, i cili është shumë profesional dhe një aset shumë i rëndësishëm i yni”, ka potencuar Abazi.

Nga ana tjetër, Avni Zogiani nga Organizata “Çohu”, thotë se gati një e treta e të punësuarve në PTK janë punësuar gjatë mandatit të Qeverisë Thaçi dhe sipas tij, shumica e punësimeve ka ndodhur në bazë të ndërhyrjeve politike.

Zogiani mendon se nepotizmi në sektorin publik do të kthehet në një problem të madh në procesin integrues të Kosovës për në BE, pasi që, sipas tij, është humbur pavarësia dhe paanshmëria në kompanitë publike.

”Nepotizmi realisht është gangrena e ndërmarrjeve publike”, ka potencuar Zogiani.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu