Familjarët e rehatuar të LDK-së

0
1139

Gra, vëllezër, mbesa e të afërm të tjerë të ish-pushtetarëve të Prishtinës, janë punësuar në pozita të rëndësishme në ndërmarrjet publike komunale. Ish-kryesuesi i asamblesë, Sami Hamiti, është kampioni me numrin e familjarëve të punësuar në sektorët kyçë të komunës më të madhe në vend.

Jo keq me punësime të familjarëve në nivel lokal nuk e ka lënë as ish-kryetari Ismet Beqiri, i cili vëllain e tij e ka punësuar si udhëheqës të sektorit të pronës, në të cilin varen shfrytëzimi dhe qiraja e lokaleve afariste. Edhe pasardhësi i Beqirit në komunë, Isa Mustafa ka punësuar mbesën.

Gazeta “Zëri” ka siguruar një listë të familjarëve të ish-zyrtarëve të Prishtinës të punësuar, ku mësohet se në Ndërmarrjen Publike Banesore dhe atë “Pastrimi”, janë punësuar dhjetëra familjarë të figurave qendrore të LDK-së.

Kryeshefi i Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi”, Feim Salihu, që është djali i tezës së Sami Hamitit, njihet për punësime të mëdha që kanë ndodhur në kohën e tij, duke e rritur numrin e punëtorëve të ndërmarrjes për më tepër se 100 veta.

“Pastrimi” drejtohet prej djalit të tezës së Sami Hamitit

Derisa vetë është në konflikt të mundshëm interesi, meqë mban në të njëjtën kohë, edhe pozitën e këshilltarit komunal, si shef i kësaj ndërmarrjeje, Feim Salihu e kishte shfrytëzuar pozitën e tij, duke punësuar të paktën katër familjarë të afërt, dy prej tyre shoferë. Kësisoj, si shofer është i punësuar djali i axhës së tij, Besnik Salihu.

Në pozitë të njëjtë është i punësuar edhe nipi i Salihut, Ekrem Potera. Por, ky nuk është nipi i vetëm i tij i punësuar në ndërmarrjen që e drejton Salihu. Muhamet Veliu, është nipi tjetër i Feim Salihut i punësuar aty. Po ashtu, mbesa e tij, Fatmire Hajdini është shefe e pagesave në po këtë ndërmarrje.

Ndërkohë, vetë Salihu e ka të kryer vetëm shkollën e mesme ekonomike. Kështu, shkruan në regjistrin e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Këto punësime kishin ndodhur, pavarësisht se Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit e ndalon një gjë të tillë, përmes nenit 3, paragrafit 1.4, ku “Person i afërt me zyrtarin – bashkëshorti ose personi që bashkëjeton, të afërmit në vijë të drejtë të gjakut pa kufizime, të afërmit në vijë të tërthortë deri në shkallën e katërt, adaptuesi, i adaptuari, në gjini të krushqisë deri në shkallën e dytë”. Sipas po këtij ligji, në Nenin 4, paragrafit 1.8, persona zyrtarë llogariten “anëtarët e Bordeve të Ndërmarrjeve Publike, anëtarët e Bordeve të Rregullatorëve, të Komisioneve apo Agjencive tjera të themeluara me ligj apo me ndonjë akt tjetër”.

Ndërkaq, kryeshefin për këto ndërmarrje e emëron Bordi i Drejtorëve, i cili është i zgjedhur nga Komisioni i Aksionarëve. Kurse, Komisioni i Aksionarëve përbëhet prej tre anëtarëve ku dy prej tyre zgjidhen nga Asambleja Komunale, ndërsa një, nga vetë kryetari i Komunës.

Në NPB punojnë familjarët e Isa Mustafës, Ismet Beqirit, Sami Hamitit..

Familjarët e ish-kryesuesit të asamblesë së Prishtinës, Sami Hamitit, nuk janë punësuar vetëm në ndërmarrjen “Pastrimi”. Gjatë qeverisjes së LDK-së, gruaja e Hamitit, Valbona Hamiti ishte punësuar si zyrtarja kryesore për financa të Thesarit, në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Mësohet se asaj, po ashtu, i ishte mundësuar nga ndërmarrja që të trajnohet si dhe të licencohet si auditore. Sipas informatave, ajo nuk është e rregullt në orarin e punës, por kjo nuk i ka përbërë ndonjëherë problem, meqë të dhënat e hyrje-daljeve në punë kontrollohen nga përgjegjësi për IT Granit Tahiraj, i cili kishte ardhur në këtë pozitë pa ndonjë konkurs. Ai njihet si punonjës që ndërhyn në këto të dhëna, duke i rregulluar për disa persona, sipas kritereve të kërkuara në punë. Tahiraj mësohet se është i afërt edhe me ish-presidentin Fatmir Sejdiu, nga radhët e LDK-së.

Kurse në një pozitë tjetër të rëndësishme të kësaj ndërmarrjeje, është i punësuar vëllai i ish-kryetarit të Prishtinës para dy mandateve, Ismet Beqirit. Ilmi Beqiri është udhëheqës i Sektorit të Pronës, nga i cili varet shfrytëzimi dhe qiraja për lokalet afariste.

Ndër të punësuarit është edhe mbesa e kryetarit të LDK-së, Blerina Mustafa. Ajo kishte shkuar në këtë ndërmarrje në cilësinë e praktikantes dhe ishte pranuar aty pa ndonjë nevojë të ndërmarrjes për punëtorë të rinj. Blerina, përpos, që e ka axhë të parin e Komunës atëbotë, Isa Mustafën, ajo e ka dajë vetë kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje, Sabedin Haxhiu.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit nuk ishte respektuar as për të punësuarën e re Zana Halimi. Ajo është vajza e ish-kryetarit të Komisionit të Aksionarëve, Halim Halimi, i cili ka qenë edhe drejtor për Arsim në Komunë. Zana, jo vetëm se është punësuar me të filluar studimet të cilat nuk i ka përfunduar ende, por ajo edhe është avancuar në detyrë.

Për këto punësimet të familjarëve të ish-zyrtarëve të lartë të pushtetit komunal, pritet që sot gjatë ditës të mbahet një konferencë nga grupi i asamblistëve të “Vetëvendosjes”.

 

Nga: Resmije Ballazhi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu