Fan Noli si politikan, orator, poet, muzikolog dhe përkthyes i pashoq

1
824
Fan Noli
Fan Noli

Përkujtimorja në Akademinë e Shkencave në 90-vjetorin e kryesimit të qeverisë shqiptare. Studiues, shkrimtarë, akademikë vlerësuan figurën e tij, si pagëzori i artit të diplomacisë së bashku me lindjen e shtetit të pavarur shqiptar

Fan S.Noli u përkujtua dje me rastin e 90-vjetorit të kryesimit të qeverisë shqiptare në gjysmën e dytë të vitit 1924, në Akademinë e Shkencave. Si “shqiptari më i shquar në Amerikë”, politikan, orator, poet, muzikolog, përkthyes i pashoq, Fan S. Noli është konsideruar “kryeministri më i kulturuar i Ballkanit dhe një nga krerët e kulturës europiane të kohës”. Ai ishte ndër të paktit që kishte kryer universitetin e famshëm të Harvardit. Dje studiues të Akademisë së Shkencave dhe të Qendrës së Studimeve Albanologjike, përmes një konference të posaçme shkencore, zbuluan aspekte të këtij personaliteti të shumanshëm.

Akademiku Jorgo Bulo hapi konferencën dhe më pas ia dha fjalën për përshëndetjen e rastit Dhimitër Anagnostit, president nderi i fondacionit “Fan S. Noli”, regjisor dhe ish-ministër i Kulturës, në fillim të viteve 1990.

Profesor dr. Paskal Milo prezantoi: “Fan S.Noli si diplomat”, prof. dr. Nasho Jorgaqi me “Fan S.Noli si kryeministër”, Pëllumb Xhufi me “Revolucioni i vitit 1924 si fitore politike”, prof.dr. Shaban Sinani me “Viti 1924 në poezinë e Nolit”, Hamit Kaba: “Noli për Shqipërinë gjatë luftës antifashiste”. Gjithashtu u promovua një CD me kompozime të Fan Nolit, i përgatitur nga akademiku Vasil Tole. A ishte poezia e Nolit poezi politike? Duke ia paravendosur Revolucionit, siç ndodh shpesh sot, sigurisht që po. Sepse poezia politike, për vetë natyrën dhe funksionet e saj, ka për qëllim të ndërhyjë dhe të ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve

Vështirësitë e panumërta që hasi Qeveria e Nolit

Biografi i Fan Nolit, autor i shumë librave dhe monografive, prof. dr. Nasho Jorgaqi, përmes kumtesës që u kushtohej muajve të parë të Qeverisjes së Nolit, solli fakte dhe detaje nga vështirësitë e panumërta që hasi kjo qeveri, duke iu referuar si dokumenteve, arkivave dhe shtypit të atyre viteve. Sipas Nasho Jorgaqit, “mungesa e iniciativës dhe e vendosmërisë së Nolit për të nisur nga ndryshimet, nuk vinte aq nga shkaku se nuk gjente përkrahjen e kabinetit, sesa nga fakti tjetër që akoma ai nuk ishte bindur se shoqëria e prapambetur shqiptare qe e përgatitur për të t’iu nënshtruar qilizmave serioze politike e sociale. Kësaj të fundit, i shtohej qëndrimi i rezervuar dhe sinjalet shqetësuese që arrinin nga jashtë. Fuqitë e Mëdha i ndiqnin me kujdes zhvillimet në Shqipëri dhe veprimet e qeverisë që kish ardhur në pushtet me dhunë. Sipas tyre, qeveria, përpara se të bënte reforma, duhet të zhvillonte zgjedhjet për t’u legjitimuar. Noli, ndonëse ishte i ndjeshëm ndaj qëndrimit të ndërkombëtarëve, prapë nuk ia vuri veshin kërkesave të tyre për legjitimimin e qeverisë. Por kjo nuk do të thoshte se ai i shpërfillte. Përkundrazi, duke qenë diplomat me përvojë e duke i njohur mekanizmat që vepronin në qarqet politike, të cilët drejtonin fatet e botës, Noli i kushtoi vëmendje të madhe. Madje, siç u duk dhe më pas, atë do ta shqetësonte aq shumë njohja ndërkombëtare e qeverisë sa problemet e jashtme do të zinin më shumë vend në veprimtarinë e tij, sesa ato të brendshmet. Edhe pse legjitimiteti ndërkombëtar i qeverisë së tij varej nga zhvillimi sa më i shpejtë i zgjedhjeve, ai këmbëngulte, përmes një veprimtarie të dendur diplomatike, për njohjen e saj. Nolit iu krijua bindja se SHBA-të mund të bëheshin mbrojtëset dhe bamirësja e Shqipërisë së vogël. Me këtë mendim ai shkoi më 22 qershor në legatën amerikane dhe e përsëriti vizitën edhe më 4 korrik. Ministri amerikan, G. Smith, demokrat dhe dashamirës, që e përbuzte Zogun dhe e kish mirëpritur ndryshimin e regjimit, i dëgjoi me mirëdashje kërkesat e Nolit për njohjen e qeverisë. Kryeministri i ri e sqaroi se revolucioni ishte kryer pa gjak dhe premtoi se do të zbatonte një politikë të matur, ndaj lypte mbështetjen e Uashingtonit. Në këtë bisedë diplomati vuri në dukje se duheshin pasur parasysh interesat amerikane, siç qenë çështja e vajgurit dhe zbulimi e ndëshkimi i vrasësve të dy amerikanëve në Mamurras. Në raportet dërguar qendrës ai shkruan se regjimi i ri “priret në favorin tonë” dhe se e çmonte programin e qeverisë së re. “Nëse do të zbatohej brenda një kohe të shkurtër ky program ambicioz, shkruante ai, që godet privilegjet e vjetra, ky do të ishte hapi i parë i vërtetë në rrugën e progresit politik dhe shoqëror”. Mendime akoma më pozitive i dërgon Departamentit të Shtetit Konsulli i SHBA në Firence, Xh. Hejvn, duke e cilësuar qeverinë e Nolit si qeveri popullore dhe jo qeveri bolshevike, siç spekulohej, si dhe vetë kryeministrin “admirues të sinqertë të Amerikës”. Megjithatë, Uashingtoni nuk u nxitua ta njohë de jure qeverinë.

Noli, diplomat i përkryer me cilësi të shkollës së diplomacisë klasike e moderne

Prof. dr. Paskal Milo u përqendrua në aspektet diplomatike të kryeministrit Fan Noli. Sipas tij, “Noli ishte një diplomat i përkryer me cilësi të shkollës së diplomacisë klasike e moderne, por mbi të gjitha me një kulturë enciklopedike. Noli u pagëzua në artin e diplomacisë së bashku me lindjen e shtetit të pavarur shqiptar. Në ditët e vështira të ngritjes së këtij shteti ai vuri në shërbim të tij, në mbrojtje të pavarësisë e të integritetit territorial, gjithë talentin, vullnetin e kulturën e tij të gjithanshme. Arritjen më të madhe në karrierën diplomatike, siç edhe e ka pohuar vetë, Noli e ka patur kur Shqipëria u pranua anëtare në Lidhjen e Kombeve, në dhjetor 1920. Thuajse të gjitha qeveritë shqiptare të viteve të para të 1920-ve e dëshironin ta kishin si ministër të Jashtëm, por ai pranoi vetëm në njërën prej tyre të bëhej shef i diplomacisë shqiptare e për një kohë të shkurtër. Ishte i pari ministër i Jashtëm i Shqipërisë deri në atë kohë që kishte një formim e kulturë të plotë perëndimore, që nuk vinte nga administrata e vjetër osmane, por nga Universiteti i Harvardit. Një profil të lartë prej diplomati manifestoi Noli si kryeministër në gjysmën e dytë të vitit 1924. Në krye të qeverisë liberal-demokrate ai kërkoi njohjen e qeverisë nga Fuqitë e Mëdha e vendet fqinje; u shpreh për fqinjësi të mirë e marrëdhënie miqësore, mbrojti integritetin territorial të Shqipërisë, zgjidhi një çështje kufitare të mbetur pezull ndër vite dhe mbrojti me pathos e profesionalizëm të drejtat e shqiptarëve në Kosovë e Çamëri”.

Përgjegjësia e Nolit në dështimin e Revolucionit të vitit 1924

Prof. dr. Pëllumb Xhufi trajtoi aspekte politike të revolucionit të vitit 1924, duke e konsideruar këtë si “tentativë të dështuar të betejës për progres në shoqërinë shqiptare”. Sipas prof. Xhufit, “në fillim të viteve 1920, kur Fan Noli u përfshi në jetën politike shqiptare si përfaqësues i shoqërisë “Vatra”, në Shqipëri mbetej pa u realizuar një nga objektivat parësorë të Lëvizjes Kombëtare: çrrënjosja e feudalizmit dhe zhdukja nga skena politike e klasës së vjetër të bejlerëve e të bajraktarëve, të komprometuar keqas me “regjimin e vjetër”. Përfaqësuesit e kësaj klase kishin mundur t’i mbijetonin kolapsit të Perandorisë Osmane dhe pavarësimit të Shqipërisë, duke iu përshtatur rrethanave të reja e sidomos duke shitur interesat e vendit tek të huajt. Pikërisht, lufta midis krahut konservator, obskurantist (qëndrim reaksionar, mohues) e antikombëtar, të përfaqësuar nga Ahmet Zogu, dhe krahut liberal e demokrat, të përfaqësuar nga Noli, i jep përmbajtjen betejës politike që u zhvillua në Shqipëri në vitet 1920-1924. Noli është akuzuar vazhdimisht për rolin e tij në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924. Por ai vetë asnjëherë nuk është penduar për përfshirjen e tij në një lëvizje, e cila u përkrah nga liberalë e demokratë të padyshimtë, si Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Qazim Koculi, Ali Këlcyra dhe vetë Faik Konica, apo nga figura me emër e prestigj të madh në popull, si Bajram Curri e At Gjergj Fishta. Nga ana tjetër, në shkrimet e mëvonshme, Noli ka pranuar përgjegjësitë e tij e të shokëve në dështimin e Revolucionit të vitit 1924. “U armiqësova me çifligarët, kur thashë se do bëj reformën agrare, u armiqësova me fshatarësinë kur nuk e bëra atë”: kjo frazë e Nolit i jep kuptim karrierës së tij të pafat politike”.

Përpjekjet për të kufizuar dhe shtrembëruar krijimtarinë letrare të Nolit 

Prof. dr. Shaban Sinani, me temën: “Viti 1924 në poezinë e Nolit, solli konstatimet e tij për një përpjekje për të kufizuar dhe shtrembëruar krijimtarinë e Nolit përmes manipulimeve ekstra-letrare. Sipas Sinanit, “në çerekshekullin e fundmë vendi i poezisë së Fan Nolit në përdorim shkollor është kufizuar. Në studime është gjithnjë e më e qartë prirja për ta zvogëluar përmasën dhe vendin e saj, pa ndonjë kujdes për koherencë kriteresh në mënyrën e leximit të letërsisë së traditës. Nëse do të kërkohej një shpjegim pse ky dyshim herë i drejtpërdrejtë e herë i mbuluar për vlerat e poezisë së Nolit, përgjigjja është e thjeshtë: fajin e ka viti 1924, fajin e ka Revolucioni. Në një mënyrë a një tjetër është shumë e dukshme përpjekja për ta rivendosur poezinë e Nolit në një kalendar të pavend, anakronik, duke i bartur asaj një rol aposteriorik të pavërtetueshëm. Megjithëse Noli i shkroi poezitë e ciklit biblik vite pasi ishte detyruar të linte vendin e të mërgonte në Perëndim, saktësisht prej vitit 1926 deri më 1932; në një kohë kur ishte thellësisht kritik ndaj vetes dhe ndaj përmbysjes politike të vitit 1924, vërehet një tentim mashtrues për t’i rrënjosur lexuesit bindjen e pathemeltë se ai u bë poet për të frymëzuar e përgatitur revolucionin. Me një zhvendosje të lehtë në kalendar, vetëm dy a tri vjet, cikli biblik i Albumit është paraqitur si frymëzuesi i Revolucionit, megjithëse dihet fare mirë se Noli i shkroi ato poezi në një periudhë të mëvonshme, kur fjala mund t’i shërbente vetëm për ta gjykuar Revolucionin. Sipas këtij studiuesi të letërsisë, “kjo prishje e skemës së komunikimit të poezisë së Nolit, duke i ndryshuar lexuesin e parë, ka për qëllim programimin e leximit te brezat e sotëm. Kur Noli vendosi të shkruante në poezi një histori të Revolucionit që e kishte udhëhequr, duke gjetur analogjitë më të drejtpërdrejta midis tij dhe historisë së lindjes së krishterimit, ai e kishte marrë vendimin e moskthimit më në politikë. Në një letër drejtuar mikut të tij F. Konica në vitin 1933 Noli shprehej: Dua që t’a dini mirë punën dhe kështu të muntni t’a shiguroni qeverinë tonë, që këllëçi im politik është varur në muze, dhe nuk del s’andejm kurrë më. A ishte poezia e Nolit poezi politike? Duke ia paravendosur Revolucionit, siç ndodh shpesh sot, sigurisht që po. Sepse poezia politike, për vetë natyrën dhe funksionet e saj, ka për qëllim të ndërhyjë dhe të ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve. Por, duke e vendosur në një kalendar të saktë, duke e historizuar atë, identifikimi i poezisë së Nolit si poezi politike duket tepër i sforcuar. Më pranë së vërtetës ngjan mendimi i Arshi Pipës, i cili, në artikullin Bariu i popullit, qysh në vitin 1944, vërente se Noli “si të gjithë të mëdhenjtë tanë, i tejkalon caqet e letrarit të thjeshtë, tue u shkri në nji personalitet politik-fetar mâ të gjanë”.

Aktiviteti politik i “Vatrës” në mbështetje të çështjes kombëtare

Prof. dr. Hamit Kaba u përqendrua për veprimtarinë dhe qëndrimet e Nolit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kumtesa e Kabës trajtoi mbrojtjen që i ka bërë çështjes shqiptare Noli dhe “Vatra” gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe qëndrimin në dukje kontradiktor të Nolit, për shkak të mbështetjes dhe mbrojtjes së idesë për të krijuar një qeveri në emigracion të drejtuar nga kundërshtari i tij më i madh, Zogu, dhe nga ana tjetër, mbështetjes që Noli dhe “Vatra” u dhanë qeverive të Frontit Nacional Çlirimtar, duke filluar nga ajo që u doli nga Kongresi i Përmetit e më mbrapa. Aktiviteti politik i “Vatrës” në mbështetje të çështjes kombëtare filloi të rritej sërish, pas hyrjes së SHBA-ve në luftë, në dhjetor 1941, dhe sidomos pas alarmit të shkaktuar nga kërkesat greke për Shqipërinë e Jugut, të shprehura zyrtarisht nga qeveria  greke në emigracion dhe deklaratës së Britanisë së Madhe të dhjetorit 1942, e cila e linte të hapur problemin e kufijve të Shqipërisë. Sipas prof. Kabës, Noli bënte pjesë në kategorinë e shqiptarëve të rrallë që e ndërtojnë jetën mbi bazën e parimeve të shëndosha morale e politike, ku arsyet kombëtare qëndrojnë mbi të gjitha. Nolin mund ta konsiderojmë pa frikë si politikanin më nacionalist shqiptar. Në rrethanat kur në Shqipëri ishte mbajtur Kongresi i Përmetit dhe forcat e brendshme kishin fituar superioritet, kur qeveria amerikane e konsideronte të rëndësishëm përfaqësimin e forcave të rezistencës në Shqipëri dhe kur ngjarjet po shkonin në favor të LNÇL, Noli dhe “Vatra” e tërhoqën mbështetjen për Zogun, dhe njohën përfundimisht këtë forcë të vërtetë të rezistencës në vend dhe qeverinë e saj të krijuar në Përmet, Berat e më tej”.

Fan Noli: Kam pasur dobësi për muzikën

Fjalimi i Fan Stilian Nolit në “Vatër” (1963), ishte regjistrimi audio që çeli dje konferencën shkencore me rastin “90-vjetorit të Revolucionit të Qershorit dhe të Qeverisë së Fan Nolit” në Akademinë e Shkencave.

Zëri origjinal i Fan Nolit 

“Fort i përndershëm imam, fort i përndershëm baba, fort të përndershëm priftërinj, zonja dhe zotërinj. Doktori qëparthi përmendi fyellin e Faikut dhe ai fyelli i Faikut më kujton një mesele. Si Faiku, ashtu edhe unë kam pasur një dobësi për muzikën. Kur vajta në Shqipëri, duke ditur ato hallet që kishim mora dhe një fyell pas, që këtu e atje të harrojmë hallet. Ditën e parë kur gjeta kohë që t’i bie pakëz fyellit ky bashkëfjalim ngjall në kafenenë e parë të Tiranës:

-Si venë punët e Shqipërisë?

-“Keq dhe mos më keq”, thotë ai tjetri.

-Cili është shkaku?

-“Shkaku ti e di, kur kryeministri i bie fyellit dhe Shqipëria digjet bëj hesap”. (salla qesh )

Nuk ishte halli vetëm që kryeministri i bie fyellit, por edhe e ministrit të Luftës, i cili kishte shumë dashuri të madhe për vallet e evgjitkave, gjithnjë thërriste shokët dhe jepte dreka dhe thërriste evgjitkat e Tiranës që të loznin valle atje. U ndodha dhe unë njëherë në një nga ato stafete, dhe t’iu thom të vërtetën u çudita në ato vallet e bukura të Shqipërisë. Pastaj mu kujtua se nuk janë vetëm evgjitkat tona, që lozin valle të bukura, por janë edhe evgjitakt e Spanjës që luajnë ato vallet e Spanjës me famë në tërë botën. Kush i loz më bukur, evgjitkat dhe evgjitët e Spanjës? Janë valle spanjolle dhe jo valle evgjitkash, por ata nuk kanë ndonjë punë të tjatër, të shtrin dhe rrojnë më muzikën dhe me artin edhe ato specializohen në atë degë. Kështu që kemi vallet e bukura të Spanjës që luhen nga evgjitkat, të Shqipërisë, të Hungarisë, që përsëri i lozin evgjitët dhe evgjitkat e Rusisë. Këto të gjitha mu kujtuan këto dy vitet e fundit. U hapën nja dy kompani të Maqedonisë, të Jugosllavisë dhe të Greqisë. Programi kishin vallet e tyre që i quanin kombëtare. Në ato vallet e grekëve, të serbëve dhe të maqedonaseve 80 për qind ishin shqiptare, kjo është përshtypja ime…”, thotë ndër të tjera Noli.

Promovimi i CD-së

“Krijimtaria muzikore në CD”, është botim në kuadër të aktivitetit “Fan Noli-kryeministër me rastin e 90-vjetorit”. Programi i kësaj CD-je përfshin: “ Rapsodi shqiptare” dhe “Uverturë bizantine”, “Gaspari i gjorë”, këngë për tenor dhe orkestër simfonike, poezia Paul Verlaine, “Skënderbeu”, poemë simfonike, me dirigjent Eno Koço, interpretuar nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Publik Shqiptar, dhe “Sonata” për violinë dhe piano, “Sonata pranverore”, interpreton me violinë Ina Kosturi, në piano Rudina Ciko. Regjistruar live nga “Maratona e Muzikës Violinistike”, edicioni i IV-të, (2009), salla “Tefta Tashko Koço” në MTKRS (MK).

Veprat e tij për orkestër simfonike “Skëndërbeg”, Rapsodi shqiptare” dhe “Gaspari i varfër”, për tenor dhe orkestër, janë tipike për sa u përket përsiatjeve tona. Tek to do të hasim si shtratin e muzikës bizantine, prej nga ai nisi formimin muzikor, ashtu edhe shkëputjen prej saj, kjo pasi si kërkues i gjendjeve të përveçme në çdo fushë të veprimtarisë artistike, Fan Noli e synoi këtë shkëputje me tendencë. Situata shfaqet më së miri në organizimin tematik të veprave ku ai përshkruan pothuajse gjithë historinë e krijimtarisë muzikore. Rasti më tipik në krijimtarinë muzikore shfaqet te citimi i drejtpërdrejtë melodik i “Marsejezës” dhe “Internacionales”, si edhe te punimet muzikologjie, të cilat janë kryekëput shkencore dhe akoma më larg botës së fesë etj. Gjithashtu vihet re se, baza e shprehjeve të tij muzikore përbëhet nga disa stilema dhe intonacione kombëtare që burojnë kryesisht nga vetëdija e tij. Së fundi, rëndësia e “skicimit” është shumë e madhe, pasi shënon aktin e parë të emancipimit dhe profesionalizmit të muzikës sonë të re, duke i paraprirë zhvillimit intensiv dhe cilësor të saj pas Luftës së Dytë Botërore, pra në gjysmën e dytë të shek. XX.

Nga: Valeria Dedaj

1 Koment

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu