“Faqe të panjohura të historisë së NDSH-së (Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij)

0
827

Shkruan: Mutafë Krasniqi 

(Pjesa e katërtë)

Arrestimi dhe burgosja e Ramiz Qyqallës

Ramiz Qyqalla ishte burgosur shumë herë. Në burgosjen e fundit, në dhjetor 1947, ishte torturuar rëndë, sa kishte rënë në peshën 27,4 kilogram. Mirëpo, me gjithë torturat dhe vuajtjet, vdekja Ramizin nuk e gjeti. I lodhur tepër dhe i rrahur deri te humbja e vetëdijes, me duar të lidhura, si një Promethe, me forcë ua kthente, si për inat të tyre: – Po, po, unë e di ku i kam shokët e s’u tregoj! Ja, ku më keni, bëni ç’të doni me mua!

– Kur ishte në pyetje familja, atëherë njeriu sikur ligështohet. Isha i vetëdijshëm se sakrifikohej një familje për një njeri, e ai isha unë. Nuk dëshiroja të sakrifikohej familja për mua. Ishte e ditur se më, si organizatë, nuk kishim mundësi të bënim asgjë, se ishim të shpartalluar. Shumë nga shokët ishin vrarë, ishin burgosur ose ishin arratisur. Atëherë vendosa të dorëzohem, – ka shpjeguar Ramiz Qyqalla.

– Para dorëzimit, – ka rrëfyer Ramizi, – tri javë kam qëndruar në grazhd të lopëve, ku kam biseduar vetëm me veten dhe kam menduar shumë, e kam përcjellur çdo lëvizje të UDB-së. I kam dëgjuar se çka flisnin ata kur më kërkonin mua, duke mos kursyer asnjë metodë ndaj familjes, ndaj vëllezërve të mi. Kjo m’u bë barrë e madhe dhe thosha me vete: – A rri burri kështu i ngujuar? Mendja më thoshte: – O Ramiz, dil bre burrë e shpëtoje familjen! Ky mendim çdo ditë e më tepër më mundonte. Në ato mendime, e dëgjova zërin e Milosavit duke e pyetur vëllain tim, Rasimin: – Ku është Ramizi, a mos është parë këndej pari…? – Nuk e kemi parë moti këndej Ramizin – i thoshte Rasimi Milosavit. – Ai më nuk kthehet se e di që nëse kthehet, do ta zini të gjallë.

– Unë nuk ua thosha të vërtetën, – thoshte Rasimi, – edhe pse e dija mirë ku ishte i strehuar, pasi vetë e mbaja dhe e ushqeja. Kur ia dërgoja ushqimin vëllait, më parë shkoja dhe e merrja një krah kashtë. Në kashtë e fusja bukën dhe ujin dhe ia çoja në grazhd. Vizita e Milosavit dhe e xhandarmërisë ishte pothuaj e përditshme. Një ditë, kur erdhi Milosavi,me një taktikë të ndryshuar,m’u afrua e më tha:

– Rasim, a e ke parë Ramizin? Unë, si zakonisht, ia ktheva: – Jo, nuk e kam parë dhe nuk e di ku është. Atëherë ai më urdhëroi: – Thirr, o Ramiz, e ai ndoshta vjen. Unë u detyrova ta thërras, edhe pse e dija se në grazhd është Ramizi. Kisha frikë se ai do të përgjigjet e do të del. Po të mos thirrja, ia shtoja dyshimin se ai ishte aty pari. Kështu, vendosa ta thërras, duke iu lutur zotit që ai të mos përgjigjej. Dhe, e thirra: – O Ramiz-ooo!, – me një zë të shterur. Kur, papritmas më përgjigjet Ramizi: – Ohoja! Për mua ato momente ishin shumë të vështira, veç sa nuk më lëshoi shpirti, sepse isha i bindur se do ta marrin e do ta pushkatojnë.

Më pastaj ka rrëfyer vetë Ramizi: – Dola disi nga ajo birucë. Kur më pa Rasimi, u ba i verdhë si limoni. Kishte arsye, se më kishte vëlla dhe kishte qenë dëshmitar i torturave që ishin ushtruar mbi mua dhe shokët e mi. Rasimi më kishte ushqyer si fëmijën, në grazhd. Pasi u dorëzova, Milosavi më vuri para kalit, dhe më dërguan në drejtim të Fushë – Kosovës. Gjatë rrugës ky çetnik, i hipur në kalë, e ngadalësoi të ecurit dhe m’u afrua, u bë sikur donte tëmë shpëtonte,më tha: – Ramiz, o burrë, ik, se shpëtim nuk ke. Unë kishe po të ndjek e ti shpëton. Unë e kuptova se ky çetnik

donte të më ekzekutonte pa gjykim, gjoja se unë tentova të ikë. Kurse unë ia ktheva: – A s’po më sheh se si jam lodh, nuk mundem as me ik, se me pas pak forcë, nuk isha dorëzuar kurrë në dorën tande, o Milosav. Pas Fushë-Kosovës më dërguan në Burgun e Prishtinës, ku më kanë torturuar sa më tej nuk shkon, sidomos me shkop të rrymës. Kjo torturë ishte më e vështira, sa iu luta zotit të ma mirrte shpirtin e të mos përjetoja më shumë mundime. Për mua nuk kishte më vlerë jeta dhe nuk mendoja më të jetoja. Por isha i vendosur që shokët të mos i tregoja, sepse e dija se do t’i zinin, sikur mua, dhe bashkë me mua, do të na pushkatonin. Një ditë, pasi aq shumë më kishin munduar, u trimërova dhe ju thashë: ”Po, i di ku janë shokët, por kurrë nuk do t’ua tregoj. E mua ja ku më keni, bëni çka të doni me mua. Nganjëherë më merrnin edhe me të mirë: – A po e sheh, bre Ramiz, mbarove ti dhe familja jote. Në katundin tënd janë ndërtuar shtëpi të reja dhe janë pasuruar njerëzit e për ty nuk mërzitet askush. Mos e merr veten në qafë, mos u bën budalla. Pse ti, fukaraja, po e çon kryet? A po e sheh se asnjë pasanik nuk po bën zë? Unë ua ktheja: – Mua nuk më intereson për askënd, më intereson për fytyrën time.

Edhe pse edhe familjen ia kishin burgosur, atij aspak nuk i ishte thyer morali. Sepse Ramizi nuk e donte jetënme njolla, por e donte të pastër, ashtu çfarë ai ishte i bindur dhe i tillë mbeti tërë jetën. Në burg, pos familjes së Ramizit, e kishin marrë edhe familjen e të vëllait të tij, Shabanit, kurse herë pas here e burgosnin edhe vëllain tjetër, Rasimin, i cili kishte mbetur në shtëpi. Kështu, për familjen e tij më nuk kishte se kush të kujdesej.

Për torturat e tmerrshme që i kishin bërë Ramizit, rrëfente edhe bashkëshortja e tij, Hajrija. Ajo rrëfente: – Eh, si e kam pa Ramizin në burg. Kishte lëshuar një mjekër të madhe, deri në gju. S’kishte mbetur as njëzet kile. Mendoja se më nuk do ta shoh kurrë. Kishte mbetur si hije. Fytyra e tij e parruar të trishtonte, ishte si njeri i vdekur. Vetëmhija e tij dukej se rrinte në këmbë!Kur kam shkuar në burg për ta vizituar dhe kur e kam parë në atë gjendje, jam tmerruar. Por njeriu qenka më i fortë se guri. Jam mbajtur mirë dhe e fortë. Isha e detyruar të mbahem. Kam dashur ta mbroj nderin e burrit dhe të familjes sime, por e kisha edhe për inat të atyre të UDB-së, që ishin në burg. Po, më kujtohet mirë, pasi hyra te dera e burgut, më doli përpara tradhtari Ali Shukria, që kishte një fytyrë të çartur: – Paske ardhë ti, gruaja e ballistit, me e pa këtë “tradhtar” të shtetit tonë. Unë ia ktheva: – Kam ardhë me e pa burrin tim, Ramiz

Qyqallën. Ai më tha: – Nëse don ta shohësh burrin tënd, hiqe ferexhenë. Unë ia ktheva: – Kot më mundoni, unë jam gruaja e tij. Derisa ai të më jep leje, unë nuk do ta hiqi ferexhenë. Vetëm urdhëratë e tij i njoh unë.

Kjo nënë trime tregonte edhe për njerëzit që flisnin shqip, por që e bënin punën e huaj, për ata të cilët e përbuznin familjen e Ramizit dhe që ishin të gatshëm të spiunonin te armiku.

Hajrije Konjuhi – Qyqalla, e lindur në fshatin Prugoc, ishte bija e Konjuhëve, e një

familjeje të njohur atdhetare. Nga kjo familje rridhte trimi dhe bashkëluftëtari i Azem Bejtes Mehmet Konjuhi.    Nënë Hajrija pesë muaj ka qëndruar në burg. Ajo ka rrëfyer kështu për vuajtjet në burg: – Në burg kemi vuajtur shumë, edhe pa hëngër e pa pi. Për 24 orë të ditës na kanë dhënë vetëm një të katërtën e bukës dhe grurë të zier me pak kripë e më shumë me ujë. Mbuloja të burgut nuk kemi pasur, por na sillnin nga shtëpia. Por, kush të na sillte kur nuk kemi pasë thuaj se askënd jashtë. Rasimi, i vetëm, kujdesej për shtëpinë, por edhe ai ishte më shumë në burg se sa në shtëpi. Ishte vajza ime e madhe, Ajshja, ajo që kujdesej për shtëpinë, sepse ajo nuk kishte qenë në shtëpi kur UDB-a e mori familjen në burg. Në burg më mbanin më shumë në izolim, sepse nuk tregojsha asgjë për Ramizin dhe për shokët e tij, edhe pse shumë gjëra i kam ditur. Hetimet m’i bënin pothuaj çdo të dytën ditë në një dhomë tjetër, për të mos më parë fëmijët duke më goditur në fytyrë e në kokë. Më goditnin edhe me shqelma, sa më përgjakshin. Kur kthehesha në dhomë, te fëmijët dhe kunata, fëmijët më pyesnin: – Çka u bë, nënë? Kurse unë u thosha: – Kurgjë, kurgjë, u rrëzova në oborr… Hajrije Qyqalla kishte mbetur në shtëpi edhe si burrë e edhe si grua. Ishte mbajtëse e vetme e familjes. Ishte e detyruar të shkonte edhe të priste dru në mal. Në një rast, kur ishte e detyruar të shkonte në mal për të prerë dru, disa bashkëfshatarë të Ramizit bisedonin për të: – O Milosav, gruaja e Ramiz Ballistit ta preu krejt malin! Këto ishin fjalë të rënda për një grua shqiptare, aq më shumë kur burri i saj ishte në burg për lirinë e popullit. Aty kishte qëlluar Ramadan Gashi, i cili, kur i kishte dëgjuar ato fjalë fyese, nuk ishte përmbajtur, por u kishte bërtitur: – Ah, zoti ju marroftë, a s’po ju vjen marre me fol për këtë grue, në vend se t’i ndihmoni!

Kjo grua, e ardhur nga një familje atdhetare e Prugocit të Prishtinës, shquhej për trimëri dhe burrëri. Shpesh thoshte: – Kurrë nuk jam ligështuar, sepse e kam ditur se Ramizi nuk ka dëshirë që gruaja e tij të ligështohet. E kam ditur se Ramizi ka luftuar për këtë popull, e nuk ka bërë ndonjë marre. Për këtë jam përpjekur me çdo kusht të ja ruaj nderin atij dhe familjes sime. Edhe familja ime Konjuhi ka dhënë shumë për këtë vend. Për Ramizin dhe Hajrijen tregonte edhe kushërira e tij, Shemsie Qyqalla – Krasniqi, e martuar në fshatin Shipitullë. Ishte një grua trime, e cila e njihte aritmetikën dhe leximin në gjuhën arabe: – Kjo Serbi na i hëngri djemtë tonë më të mirë. Bali Ramiz ka vuajtur shumë për shqiptarët. Eh, sa e do Shqipërinë dhe Enver Hoxhën! Trupi i tij e di se çka ka hequr. Po edhe inxhja Hajrije ishte një grua, më burrë se shumë burra! Ajo e ka ruajtë nderin dhe ia ka dhënë besën Ramizit dhe familjes. Ka qenë shumë vështirë për të, si grua, sepse ishte edhe grua, edhe burrë, ishte edhe nënë, edhe babë. Edhe inxhia Akile e balit Fetah ka heq shumë. Këta e kanë mbajtur Azem Jashanicën të fshehur shumë kohë.

Ramiz Qyqalla ishte arsimdashës i flakët

Ramizi përherë e përsëriste thënien e tij se “vetëm lufta na e  sjell lirinë”. Ishte njohës i mirë i historisë ballkanike, sidomos i konferencave, i pakteve, i samiteve, i traktateve ndërkombëtare antishqiptare, në të cilat u copëtuan trojet tona. Veç njohurive të përgjithshme, ishte edhe një si gjeodet autodidakt, i cili e njihte një lloj matematike të çuditshme. Në bashkëpunim me disa inxhinierë, e ndau tokën e Bardhit të Madh në parcela për banorët e fshatit. Nuk mund të besohej se ai ishte një person vetëm me gjysmë shkolle fillore.    Disa fshatarëve, të cilët ndërtonin shtëpi si pallate e krijonin pasuri nën okupim, ua zinte për të madhe. Shpesh thoshte: -Armiku nuk do pallate, as pasuri, ai e do pushkën në lule të ballit! Në këtë kohë disa bashkëfshatarë filluan edhe ta përqeshnin, sepse ai po dilte kundër shtetit. Atë shtet Ramizi e shante hapur: – Ua dh… këtë shtet, shtetin e Titës. Ishte kundër atyre shqiptarëve të cilët Titën, siç thoshte ai, e mbanin nën këmishë. Për fat të keq të tillë ka pasur mjaft. Por, nuk duronte dhe ishte i rreptë ndaj atyre që flisnin keq për shtetin amë –Shqipërinë. Të vetmen dëshirë e kishte ta shohë Shqipërinë të bashkuar. I urrente ata të cilët ishin indiferentë ndaj çështjes kombëtare apo që kishin lakmi të tepruar për pasuri.

Ramizi e kishte për shpirt Enver Hoxhën, kur thoshte: -Enver, o i biri i kombit, të lumtë që ua ngrite peshë shpirtin rinisë, që po lufton për të bukurën Shqipëri të Bashkuar! Fjalimet e Enver Hoxhës thuaj se i kishte mësuar përmendësh. Shpesh e përsëriste fjalinë: – O të lumtë na, po na vjen Shqipëria! Me këtë ndjenjë binte e zgjohej çdo ditë. Edhe pse ishte fetar, ai gjithmonë i recitonte vargjet e Pashko Vasës: -Mos shikjoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit asht Shqiptaria.

Ramiz Qyqalla njihej edhe si një arsimdashës i flakët. Çdo hapje të shkollave, kudo që hapeshin, e gëzonte shumë. Hapja e Universitetit të Prishtinës e kishte emocionuar aq shumë, sa kishte filluar të qante nga gëzimi. Veçanërisht i gëzohej shkollimit të femrave. Kudo që i shihte vajzat duke shkuar apo duke u kthyer nga shkolla, u thoshte: – O, ju paça sa malet, shkodranet e bacës!

– Im at, – thoshte Sylejman Qyqalla, – ka ditur përmendësh shumë vjersha e këngë atdhetare. Për herë të parë, si fëmijë, kam dëgjuar nga ai për heronjtë e Shkodrës. E dinte thuajse në tërësi “Lahutën e Malcis” të Gjergj Fishtës. Më kujtohet se në atë kohë baba sillte shumë libra. Ku i merrte, nuk e dija, por e dija se kishte takime me Sadik Tafarshikun, i cili merrej me shitjen dhe shpërndarjen e librave. Këndonte këngë për Çamërinë, për Janinën, për Prevezën, për Dedë Gjo Lulin, për Avni Rustemin, për Azem Bejtën, për Elez Isufin, për Oso Kukën dhe për shumë atdhetarë tjerë.

 

Kënga e tij më e preferuar ishte:

Ah mor Titë, mor qeni plak

Qysh shqiptarëve u hyne n’hak?

More Titë, mor faqezi

A e din se k’tu asht Shqipni?

Mlidhi ment me klysht e tu

Mlidhi ment ti me Dushanin,

Se krejt shqipet pa u faru’

Kurrë Serbisë s’ja lamë vatanin.

Jem’ shqiptarë e kem’me metë

Se këtu jemi para diellit!

Kem’ dragoj, trima me fletë

Bijtë e shqipes, të Skënderit.

Sipas të gjitha gjasave këtë këngë e kishte krijuar vetë Ramizi.

Sylejmani vazhdon rrëfimin për babain e tij: – Kam dëshirë t’i përshëndes dhe t’i respektoj të gjitha familjet ku ka qëndruar im at dhe ku ka gjetur ngrohtësi shpirtërore. Im at më fliste me admirim për shokët dhe për njerëzit të cilët e kishin ndihmuar, për njerëzit të cilët e kishin strehuar. Fliste veçantë për familjen e Behram, Hysen e Avdullah Krasniqit të Shipitullës, pastaj për Ajet e Nebih Mjekiqin, etj. Për familjen Mjekiqi kishte admirim të madh, sepse ajo ishte e përkushtuar për çështjen kombëtare, kurse pasurinë e saj ia kishte dedikuar thuajse tërësisht lëvizjes së rezistencës. Porosi e tij ishte që edhe unë këto familje t’i respektoja e t’u isha mirënjohës. Më duhet të them se baba im ishte shumë i dashur, i qetë e me humor në familje, por gjithashtu i dashur ishte edhe për bashkëfshatarët, të cilët e nderonin dhe e respektonin.

Nuk durohej që kësaj toke t’i digjen edhe rrënjët

Ku s’ka luftë, s’mund të ketë as fitore

(B. Bjornson)

Shqipëria ishte ideali që i bënte trimat të ndihen të fortë, të kenë besim në vetvete. E tërë shpresa e trimave mbështetej në shtetin amë – në Shqipërinë administrative, e cila kishte shtetësi dhe pavarësi pa gjysmën e territoreve të saj. Në saje të këtij besimi, në pjesën e shqiptarëve që gjendeshin nën thundrën e ish-Jugosllavisë së Titos, lindën shumë trima, atdhetarë të devotshëm, të cilët ruanin amanetin e të parëve në zemër: – Ruajeni Shqipërinë. Në radhët e armatës së atdhetarizmit, në

mesin e shumë të tjerëve, u radhitën edhe Ymer Berisha, Gjon Sereçi, Ajet Gërguri, Ukë Sadiku, Ramiz Qyqalla…

Ramiz Qyqalla ka njohur dhe ka bashkëpunuar me personalitete të rëndësishme të atdhetarizmit shqiptar, sime Tahir Berishën, me Rifat Berishën, me atdhetarin e gjuhëtarin e njohur, Selman Rizën, me atdhetarin dhe rapsodin e shquar, Riza Strellcin (ka vdekur në burgun famëkeq të Nishit), me Sadik Tafarshikun, me Mulla Idriz Velekincën e me shumë të tjerë.

Azem Jashanica (1914 – 1947) ka lindur në Bardh të Madh, me prejardhje nga fshati Jashanicë i Toplicës (tash në Serbi). Ishte bashkëfshatar dhe bashkëluftëtar i Ramiz Qyqallës.Veprimtaria e këtij luftëtari të palodhur ishte hetuar nga OZN-a, ndaj ndiqej hap pas hapi.Azemi del në mal më 8 mars 1946, pasi ishte rrezikuar nga organet 83 e sigurimit të shtetit jugosllav, kurse më 21 shkurt 1947 vritet në pabesi në fshatin Prapashticë.

Sa ishte në arrati, për vendstrehimet e tij u kujdes Fetah Qyqalla me bashkëshorten, Akile Qyqallën, të cilët e morën në shtëpinë e tyre. Maliqe Jashanica, bashkëshortja e Azemit, ka treguar se “Azemi e Ramizi kurrë nuk janë ndarë, Ramizi e ruante Azemin mirë, e ushqente, e informonte për situatën, i tregonte për ndodhitë në lidhje me NDSH-në. Ramizi e dinte situatën në gishta, pasi kishte kontakte me ata të mëdhenjtë e NDSH-së”.

Ramadan Berisha Si shumë atdhetarë tjerë, të cilët iu përkushtuan çështjes së Atdheut, padyshim ishte edhe Ramadan Berisha, i lindur më 14. 1. 1920, në fshatin Bardh i Madh. Ishte njëri ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Rizah Strellcit për shpërndarjen e librave shqipe. Shtëpia e tij ishte si një bibliotekë e librave shqipe.

Ky veprimtar i palodhur e atdhetar i përkushtuar dhe i pandalshëm bie në sy të OZN-së dhe u arrestua si armik i Jugosllavisë. Ramadan Berisha u dënua me 20 vjet burg nga një gjykatë ushtarake e Jugosllavisë.

Sadik Tafarshiku, sipas Ramizit, si pjesëmarrës në Kuvendin e Prizrenit në vitin 1945, e ka mbrojtur hapur qëndrimin se Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë, e jo me Beogradin: – Ne jemi shqiptar dhe duhet t’i përkasim Shqipërisë, e kurrsesi Beogradit, – kishte thënë ai. Sadik Tafarshiku, pas shpartallimit të NDSH-së, pothuaj

ishte i vetmi veprimtar i cili i shpëtoi pushkatimit. Ramizi fliste përherë mirë për të. Anëtarët e NDSH-së, që kishin mbijetuar, ishin të detyruar të punonin punë të ndryshme, duke u penguar të ushtronin profesionin e tyre. Sadik Tafarshiku, për të jetuar, u detyrua të shiste libra e gazeta nëpër Kosovë. Çka është edhe më keq, këtë njeri disa filluan ta trajtonin si një lypsar. Qëllimi i armikut ishte që me këto metoda ta poshtëronte rezistencën shqiptare.

Selim Berbatovci. Ramiz Qyqalla e kishte dajë Selim Berbatocin e Dobrajës së Madhe, një njeri që shquhej për trimëri. Familjen e Selimit UDB-a e kishte masakruar. Ishte dhe Ramiz Bërbatovci që kishte kapur armët për krijimin e Shqipërisë etnike.Ai kishte luftuar edhe në kuadër të brigadave të Shqipërisë për ta ndjekur armikun e përbashkët nazist nga Kosova. Po ashtu shquhej për atdhedashuri edhe Hajdin Bërbatovci.

Mehmet Konjuhi ishte luftëtar i patrembur, krah i djathtë i Azem Bejtës. Azem Bejta, kur e kishte Mehmet Konjuhin dhe çetën e tij në krah, e dinte se armiku nuk ka çka t’i bëjë. Në familjen Konjuhi kishte shumë trima atdhetarë, të cilët nuk i trembeshin armikut, si Rexhë Konjuhi – burrë i mençur e luftëtar, Shaban Konjuhi -luftëtar në brigadat e Nacionalçlirimtares, Isak Konjuhi, i biri i Rexhës, i inkuadruar në veprimtarinë ilegale, bashkëveprimtar i Ismail Dumoshit, i Sylejman Qyqallës e i shumë veprimtarëve atdhetarë në Kosovë. Ramiz Qyqalla ishte lidhur ngushtë me familjen Konjuhi, sepse ajo ishte një familje atdhetare, besnike e bujare. Shumë

atdhetarë kanë qëndruar pa frikë në shtëpinë e tyre, sepse aty

kishin një strehë të sigurtë.

Ismail Dumoshi në vitet e gjashtëdhjeta i ftonte në rrugë shqiptarët për të shkuar në shkollë, duke u thënë: – O vëllezër, ejani në shkollë, ju lutem! Kishte për qëllim ta mbushte shkollën me nxënës shqiptarë, në kohën kur dominonin nxënësit serbë.

Ismaili ishte arsimtar në shkollën e mesme të Kastriotit (ish-Obiliqit), një atdhetar i përkushtuar dhe veprimtar i shquar.

Ajet Mjeku (i quajtur edhe Ajet Haxhiu) ishte anëtar i NDSH-së. Ajeti ishte i lidhur ngushtë me Behram Krasniqin, pasi Behrami punonte në mullirin e tij. Kulla e tyre ishte vënë në një kontroll të rreptë nga organet e sigurimit shtetëror.

Familja ishte një bazë e fortë për ushqim dhe furnizim të grupeve të rezistencës shqiptare në zonën eArtakollit. Të njëjtin rol kjo familje e kishte edhe gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së në vitet 1998 – 1999. Si familje e madhe tradicionale, atëherë kishte 48 anëtarë.

 

VIJON:

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu