“Fati” i Isa Mustafës dhe i Gjykatës Speciale në duart e “rebelëve” të LDK-së!

0
620

Isa Putini

Paralajmërimi i deputetëve të opozitës se nuk do të votojnë për themelimin e Gjykatës Speciale, ka bërë që “fati” i kësaj gjykate të jetë në duart e deputetëve të rebeluar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Shtatë deputetë të kësaj partie që nuk e votuan koalicionin qeveritar PDK- LDK më në krye Isa Mustafa mund të bllokojnë edhe themelimin e kësaj gjykate.
Burime të Gazetës Blic brenda LDK-së kanë bërë të ditur se kryeministri i vendit Isa Mustafa, ka nisur që t’i bind këta deputetë që të votojnë pro themelimit të kësaj gjykate.
“Lideri i LDK-së dhe njëherësh kryeministri i vendit, Isa Mustafa pas paralajmërimit të opozitës se në asnjë mënyrë nuk do të votojnë pro Gjykatës Speciale, ka bërë që të nis kontaktet me disa nga deputetët e rebeluar të partisë së tij, që t’i bind që të votojnë pro Gjykatës Speciale”, ka thënë ky burim.
Edhe pse koalicioni PDK- LDK dhe minoritetet është një koalicion i numrave, pa votat e deputetëve të rebeluar nuk mund të kalohet ky ligj për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Për kalimin e këtij ligji nevojiten 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Pra, nevojiten më shumë se 81 vota. Koalicioni formalisht i ka gjithsej 84 vota, dhe nëse këta 7 deputetë do të votojnë kundër, atëherë ky ligj nuk mund të kaloj. Prandaj, Isa Mustafa është duke bërë përpjekje të mëdha që t’i bind këta deputet të votojnë pro”, ka thënë ky burim.
Sipas këtij burimi të Gazetës Blic, presioni i ndërkombëtarëve për themelimin e kësaj gjykate është duke u shtuar dita- ditës në drejtim të Isa Mustafës.
Gazeta Blic ka provuar që të kontaktoj me disa nga të rebeluarit, mirëpo këta të fundit nuk kanë dashur të prononcohen.
Të paktën dy prej të rebeluarve i kanë thënë Gazetës Blic se në kushte anonimiteti asnjë mënyrë nuk do të votojnë pro këtij ligji.
Përpos këtyre deputetëve të LDK-së, të paktën edhe tre ish- deputetë të PDK-së, mund të mos votojnë pro Gjykatës Speciale. Margarita Kadriu, Gëzim Kelmendi dhe Shaip Muja edhe pse kanë qenë pjesë e grupit Parlamentar të PDK-së, ata janë larguar në shenjë pakënaqësie me veprimet e udhëheqësit të partisë, Hashim Thaçi.
Në bazë të kësaj përllogaritje, nëse këta 7 deputetë të LDK-së plus 3 të deputetë të pavarur do të votojnë kundër gjykatës, atëherë nuk do të kaloj ky ligj. Koalicioni aktualisht i ka vetëm 77 vota reale, pra katër vota më pak se sa që i nevojiten për të kaluar këtë ligj.
Vjosa Osmani, Doruntinë Maloku, Arben Gashi, Armend Zemaj, Adem Salihaj, Alma Lama dhe Anton Quni janë deputetët që votuan kundër koalicionit me PDK-në dhe kundër Isa Mustafës kryeministër.
Shefi i sapozgjedhur i ekzekutivit, Isa Mustafa në Kuvend kishte shpërthyer ndaj deputetëve të tij.
Menjëherë ai u hakmor ndaj këtyre deputetëve duke mos e vendosur asnjërin prej tyre në krye të komisioneve parlamentare.
Hakmarrja e Mustafës duket se nuk do të ndalet me kaq. Ai në fjalimin e tij me rastin e 25 vjetorit të LDK-së, kishte paralajmëruar këta deputetë se zgjedhjet e brendshme do të mbahen vetëm “me ata që i respektojnë vendimet e organeve të partisë”.
Isa Mustafa i paralajmëroi këta deputetë se mund të “përjashtohen” nga strukturat e partisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu