Fatmir Xhelili, doktori i Nazim Bllacës

0
1405

Ndër më të përfolurit nga Nazim Bllaca, ish-pjesëtari i Shërbimit Informativ të Kosovës e dikur edhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Fatmir Xhelili, në cilësinë e dëshmitarit ka treguar të hënën në gjykatë se e njeh Nazim Bllacën si pacient të tij të dikurshëm por jo si koleg në SHIK.

Ndonëse nuk ka folur për sëmundjet e Bllacës, Fatmir Xhelili ka pranuar se Nazim Bllaca ka qenë në ordinancën e tij në qytetin e Shimest gjatë dy muajve në vitin 2004. Edhe pse emrin nuk ia kishte ditur, Xhelili i cili në mandatin e kaluar qeveritar ka qenë zëvendësministër i Punëve të Brendshme, ka pohuar se Nazim Bllaca gjatë luftës e ka pasur nofkën “Gjeografi”.

Për Bllacën, Fatmir Xhelili nuk ka dashur të flasë gjatë, gjatë dëshmisë së tij, ngase Bllaca, sipas tij, me deklaratat e tij, e ka dëmtuar rëndë atë. “Bllaca në mënyrë publike më ka dëmtuar profesionalisht kur më ka etiketuar si urdhërdhënës për vrasje”, ka thënë mes tjerash Xhelili.

Fatmir Xhelili është paraqitur të hënën në gjykatë me kërkesë të mbrojtësit të Sadik Abazit, avokatit Iljaz Kadolli. Abazi është vetëm njëri nga të akuzuarit në dosjen e prokurorisë të koduar si “Bllaca 2”.

Bashkë me Abazin të akuzuar janë edhe Shpresim Uka, Driton Hajdari, Shaban Syla e Bekim Syla derisa për shkak të gjendjes shëndetësore, javë më parë është veçuar

procedura ndaj të akuzuarit Fahredin Gashi. Tërë kjo listë me të akuzuar, është përpiluar pas dëshmisë publike që ka dhënë Nazim Bllaca, i cili tashmë është i shpallur dëshmitar bashkëpunues i prokurorisë.

Nazim Bllaca në një paraqitje para medieve pati pohuar se ka qenë pjesë e ekipit për ekzekutime në SHIK dhe si i tillë ka marrë pjesë në gjashtëmbëdhjetë raste kriminale duke përfshirë vrasjet, plagosjet, rrahjet brutale e shantazhet. Në mesin e shumë personave që Bllaca ka përmendur në publikimin e tij është edhe Fatmir Xhelili e deputeti i Kuvendit të Kosovës Azem Syla.

Edhe ky i fundit ishte i ftuar në cilësinë e dëshmitarit të hënën në gjykatore, por mbrojtësi i Sadik Abazit ka hequr dorë nga kërkesa për dëshmi të tij. Sipas avokatit Kadolli, dëshmitë e mëhershme të dëshmitarëve por edhe dëshmia e Fatmir Xhelilit ka mbyllur të gjitha dilemat që ka pasur mbrojtja.

“Nga dëshmitarët e mëhershëm që kanë qenë pjesë të SHIK-ut, por edhe sot që ishte Fatmir Xhelili, kemi propozuar në disa rrethana ta dëgjojmë por rrethanat që janë propozuar më herët janë konsumuar sot, si dhe shqyrtimet e kaluara”, ka thënë mbrojtësi Kadolli duke sqaruar arsyen se pse ka hequr dorë nga dëshmia e deputetit Azem Syla.

Në lidhje me klientin e Kadollit, të akuzuarin Sadik Abazi, dëshmitari Fatmir Xhelili ka thënë se nuk e njeh, se i njëjti nuk ka qenë pjesëtar i SHIK-ut e madje asnjëherë nuk e ka parë të ketë lëvizur përreth objekteve ku ka vepruar SHIK-u.

“Xhelili nuk ka dëshmuar në detaje, mirëpo ka dëshmuar se Nazim Bllaca është kuruar për dy muaj rresht gjatë muajve mars, prill dhe maj të vitit 2004 në ordinancën e tij në Shtime… Kjo nuk mund të përcaktohet saktë se çfarë probleme ka, sepse mjeku ekzakt nuk e ka sqaruar këtë për shkak të betimit të Hipokratit, por është deklaruar se ka pasur probleme edhe të natyrës psikike edhe të natyrave të ndryshme”, ka deklaruar mbrojtësi i Sadik Abazit teksa ka komentuar deklaratën e dhënë të Fatmir Xhelilit.

Fatmir Xhelili me dëshminë e tij do të vazhdojë edhe të martën pasdite.

Gjykimi ndaj Sadik Abazit dhe të tjerëve është gjykimi i dytë që po zhvillohet pas deklarimeve të Nazim Bllacës. Në rastin “Bllaca 2”, të pranishmit në aktakuzë akuzohet për vrasjen e Salih Gashit në vitin 1999 në Prishtinë dhe dy tentim vrasjet, njërën ndaj Adem Salihajt dhe tjetrën ndaj Ismet Arifit.

 

Nga Selvije Bajrami

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu