Fatmiri: Azemin e vrava për të marrë hakun e vëllait

0
1198

Deputeti demokrat Azem Hajdari ish te përplasur disa herë brenda harkut kohor të një viti me vëllezërit Haklaj. Përballja e parë kishte ndodhur qysh në momentin që ai ishte prezantuar si kandidat PD-së për deputet në Tropojë në qershor 1997-ës. Fatmir Haklaj e kishte futur Azemin në listën e personave të cilët dyshonte se qëndronin pas vrasësve të Qafë Luzhës. Deklarimet publike të Azem Hajdarit dhe disa fjalime të ashpra tij në parlament ku akuzonte direkt me emër Fatmir Haklajn, çuan në ngjarjen e 4 qershorit në Bajram Curri. I paralajmëruar dhe nga strukturat shtetërore për rrezikun që i kanosej nga Fatmir Haklaj, Azem Hajdari vendosi ti paraprijë të keqes. I bindur tashmë se Fatmir Haklaj ishte një kërcënim që nuk duhej nënvlerësuar, Hajdari preferoi të takonte plakun e Haklajve për të sqaruar pozicionin e tij.
Takimi
Paraditen e 2 shtatorit 1998, Muharrem Haklaj kishte ardhur në Tiranë për punët e veta. Azem Hajdari ndodhej në zyrë, kur u njoftua nga një bashkëpunëtor i tij, se Muharrem Haklajn e kishin parë pranë godinës së PD-së. Ai vendosi të shfrytëzonte këtë rast për ta takuar plakun e Haklajve. Një i njohur i Azemit, ish-shefi i SHIK-ut në Tropojë gjatë qeverisjes së PD-së, u dërgua prej tij për ta ftuar plakun e Haklajve ta takonte në godinën e Partisë Demokratike. Muharrem Haklaj nuk e refuzoi ftesën, përkundrazi u ngjit në zyrën e Azemit, në katin e dytë të godinës së PD-së. Takimi u zhvillua kokë për kokë pa prezencën e askujt tjetër. Por, ngjitja e plakut të Haklajve në zyrat e PD-së, nga ku djemtë e tij ishin akuzuar për shumë ngjarje të rënda krijoi padyshim një habi dhe kureshtje të madhe. Biseda mbeti e panjohur deri në vitin 2000, kur Muharrem Haklaj e bëri publike për median. Sipas plakut të Haklajve, Azemi e kishte sqaruar në lidhje me vrasjen e djalit, Shkëlqimit në Qafën e Luzhës. “Unë nuk kam gisht në vrasjen e djalit tënd. Ai është vrarë prej këtu”, i ka thënë deputeti Hajdari, Muharrem Haklajt. Në një intervistë të mëvonshme në media, Haklaj tha se, i kishte dhënë Azemit 10 ditë kohë për të biseduar me djemtë dhe më pas do ti kthente një përgjigje. Në të vërtetë 10 ditë pas këtij takimi, më 12 shtator, Fatmir Haklaj zbarkoi në Tiranë për ti kthyer përgjigje Azem Hajdarit.
Haklaj
Sipas hetimeve të kryera nga një grup special prokurorësh disa vite më pas, rezultoi se Haklaj kishte zbritur nga Tropoja duke zbardhur 11 shtatori, nëpërmjet aksit rrugor të Qafë Malit. Për tiu shmangur goditjes nga kundërshtarët ai preferonte të udhëtonte në orët e vona, i shoqëruar nga disa makina dhe një numër i madh personash të armatosur. Fakti që ishte person në kërkim nuk e kishte penguar që për udhëtimin e fundit të merrte me vete disa mjete dhe drejtues të komisariatit të Bajram Currit, duke filluar qysh nga shefi i rendit Jaho Mulosmani, shefi i qarkullimit Ismet Haxhia, disa efektivë të policisë dhe furgonin tip Iveko të grupeve të gatëshme. Para së të hynte në Tiranë, Fatmir Haklaj është ndalur në Nikël për të marrë në eskortën e vet dhe një tjetër personazh, Naim Çangun. Gjatë qëndrimit në kryeqytet, Haklaj u takua dhe me truprojën e ish-presidentit Berisha, Izet Haxhia. Nuk dihet çfarë ka biseduar, por sipas hetimit të prokurorisë, ai shfrytëzoi pikërisht këtë njohje për të nxjerrë nga godina e PD-së Azem Hajdarin.
Hajdari

Më 12 shtator, Azem Hajdari ndodhej në një takim të PD-së në qytetin e Fierit. Por atë e kërkuan me insistim në kryeqytet. Dëshmitarë okularë pohojnë se atë ditë Hajdari pati disa telefonata në celularin e tij me persona të rëndësishëm të opozitës, të cilët i kërkonin të kthehej me urgjencë në kryeqytet. Në mesditë, ai zhvilloi një takim në Lushnje dhe pas një ndalese në Shijak, mbrëmja e zuri në Tiranë. Fatmir Haklaj ka pritur mbrëmjen për tiu afruar pa probleme selisë së PD-së. Në vendimin përfundimtar të gjykatës për ngjarjen që njihet si “Vrasja e Shekullit”, thuhet se Haklaj kishte përgatitur një atentat me pjesmarrjen e shumë personave dhe një numri të madh mjetesh. Në të vërtetë Haklaj iu afrua godinës së PD-së vetëm me një autoveturë tip Benz Mercedes, me ngjyrë blu të errët dhe targa VL 06 76. Mjeti për tiu shmangur kontrolleve të befasishëm të policisë në kryeqytet mbante sipër një fenelinë identike me ato të mjeteve të Ministrisë së Brendëshme. Bashkë me Haklajn ndodheshin shefi i rendi i Tropojës Jaho Mulosmani dhe 29 vjeçari nga Nikla, Naim Çangu. Pavarsisht dëshmive të shumta apo deklarimeve të ndryshme askush tjetër nuk ka qenë me Haklajn në atë mbrëmje.
Atentati
Rreth orës 21.13 Azem Hajdari doli nga selia e PD-së krejt papritur dhe me një shqetësim që e shfaqte haptazi në fytyrë. Dy truprojat e tij, Zenel Neza dhe Besim Cera ishin të ulur në një lokal para godinës së PD-së dhe sapo e kanë parë të dalë i janë bashkuar nga pas pa e ditur se ku po shkonte. Në momentin që ai ka mbërritur aty ku sot ndodhet memoriali përkujtimor, ka shkëmbyer disa fjalë me Fatmir Haklajn, i cili si zakonisht ishte i veshur me uniformë kamoflazhi dhe në duar mbante një Kallashnikov. Përpara se të dëgjoheshin të shtënat e para mes Hajdarit dhe Haklajt ka patur një konfrontim fizik. Jaho Mulosmani është futur mes tyre, por ka qenë tepër vonë. Fatmir Haklaj tashmë e kishte marrë vendimin për të tërhequr këmbëzën e Kallashnikovit. Nga breshëria e Haklajt mbeti i vrarë Azem Hajdari dhe truproja i tij Besim Cera. Truproja tjetër, Zenel Neza, për fat të mirë vetëm u plagos. Në momentin që Haklaj hapi zjarr mbi Azemin, në rrezen e të shtënave të tij ishte dhe Naim Çangu. 29-vjeçari nga Nikla mbylli sytë vetëm pas disa orësh në urgjencën e Qëndrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Pas breshërisë së parë Haklaj nuk humbi kohë, por tërhoqi zvarrë deri në autoveturën e tij Naim Çangun dhe u largua me shpejtësi. Fillimisht Benz-i i tij u nis drejt bulevardit dhe më pas mori drejtimin e Rrugës së Dibrës.
Alibia
Një shi rrebesh që nisi menjëherëë pas ngjarjes i krijoi një tjetër avantazh Fatmir Haklajt, duke i dhënë mundësi të largohet qetësisht nga kryeqyteti. Në vendngjarje u gjet dhe një pistoletë me silenciator, e cila nuk kishte kryer qitje. Në vendimin përfundimtar të procesit “Hajdari” deklarohet se në vendngjarje ka patur qitje nga dy armë, një Kallashnikov, me të cilin ka qëlluar Fatmir Haklaj dhe një pistoletë e kalibrit 9 milimetërsh, tip Bereta, me të cilën ka qëlluar Jaho Mulosmani. Haklaj, disa muaj pas ngjarjes, deklaroi se vetëm ai kishte qëlluar mbi Azemin. Askush tjetër nga njerëzit që ndodheshin me të nuk kishte hapur zjarr ndaj deputetit të PD-së. Ai tha se nuk kishte shkuar për ta vrarë Hajdarin, por donte të bisedonte me të për ti dëgjuar me veshët e tij fjalët që deputeti demokrat ia kishte dhënë plakut të Haklajve më 2 shtator. Por në momentin që Haklaj kishte parë Azem Hajdarin të dilte me një pistoletë me silenciator në dorë, ndërroi mëndje dhe vendosi ta qëllonte. Ndërsa vrasjen e Naim Çangut, Haklaj e justifikoi me faktin se krutani i kishte dalë në rrezen e zjarrit. Madje ky fakt sipas Haklajt tregonte që ai dhe njerëzit e tij nuk ishin pozicionuar për ta vrarë Azem Hajdarin, vendim të cilin e kishin marrë aty për aty. Versioni përfundimtar i procesit “Hajdari” ishte i ndryshëm nga ai i Haklajt. Sipas gjykatës edhe Jaho Mulosmani ka qëlluar në drejtim të Azemit dhe truprojave të tij. Por, gjykata nuk sqaroi se e kujt ishte pistoleta me silenciator e gjetur në vendngjarje pas atentatit, duke mos provuar nëse ajo ishte e vrasësve apo e vet deputetit të PD-së, i cili e kishte nuhatur rrezikun që i kanosej.
Dëshmitarët
Procesi maratonë i çështjes Hajdari u mbyll pa deklarimet e tre dëshmitarëve shumë të rëndësishëm për zbardhjen e së vërtetës, kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, ish-truprojës së tij, Izet Haxhia dhe Jaho Mulosmanit. Rrjedha e procesit mund të kishte qenë krejt ndryshe nëse këta tre dëshmitarë do të rrëfeheshin para trupit gjykues. Në vendimin përfundimtar gjykata shpalli si motiv të vrasjes së deputetit Hajdari, hakmarrjen. Sipas saj, Haklaj e kishte vrarë Hajdarin pasi dyshonte se ai ishte implikuar në vrasjen e të vëllait më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës. Ky motiv vazhdon të mbetet i pandryshuar pavarsisht deklaratave të shumta të opozitës dhe liderit të saj Berisha, për një rigjykim të atentatit të 12 shtatorit, që tashmë ka hyrë në histori si “Vrasja e Shekullit”. Jaho Mulosmani u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa Izet Haxhia u dënua me 25 vjet burg në mungesë, si bashkëpunëtor në krim. I vetmi i ndëshkuar shumë më rëndë nga përgjegjësia e vërtetë që kishte në këtë ngjarje është Ismet Haxhia, fajësia e të cilit është vetëm fakti që shoqëroi nga Tropoja në Tiranë dhe pastaj gjatë kthimit, eskortën e Fatmir Haklajt.
Berisha
Pas ngjarjes Fatmir Haklaj dhe eskorta e tij e përbërë nga disa mjete të policisë nuk e kishte të vështirë të largohej drejt veriut pa i ndaluar asnjë postblloku në rrugën nacionale. Shefi i opozitës Sali Berisha doli në një konferencë shtypi vetëm pak minuta pas atentatit. Ai akuzoi për autorësinë e krimit struktura shtetërore të qeverisë Nano, dhe direkt me emër shefin e rendit të Tropojës Jaho Salihi. Nuk dihet se për çfarë arsye Berisha vendosi të etiketonte Jahon me mbiemrin Salihi dhe jo me mbiemrin e tij, Mulosmani. Berisha nuk e përmendi fare vrasësin e vërtetë, Fatmir Haklaj dhe nuk do ta bënte një gjë të tillë publikisht asnjëherë deri në momentin që ai u vra një vit më vonë. Pas deklaratës së Berishës, ish-ministri Teta i kërkoi shefit të krimeve në Tropojë, Kastriot Gjongecit që të verifikonte nëse Jaho Mulosmani ndodhej në banesën e tij në Bujan. Një furgon i grupit të gatshëm të policisë së Tropojës shkoi në banesën e Jahos për të kontaktuar me të disa orë pas atentatit. Drejt kullës së Mulosmanëve u nis polici Çel Pozllumi. Në vend të Jahos atij i doli përpara babai i tij, Sali Mulosmani që punonte si shofer në degën e SHIK-ut në Bajram Curri. Ai u tha Pozllumit se Jaho ndodhej në banesë i sëmurë dhe nuk mund të ngrihej nga shtrati, por të nesërmen ai do të ishte në komisariat. Këtë përgjigje Pozllumi ia raportoi shefit të krimeve Gjongecaj, ndërsa ky i fundit e përcolli te ministri Teta. Në orën 7.00 të mëngjesit të 13 shtatorit Jaho u paraqit në detyrë dhe nëpërmjet telefonit të zyrës së OSBE-së u lidh me ministrin Teta. Ndërsa Haklaj, pasi kishte kryer “Vrasjen e Shekullit” ishte kthyer në kullën e tij në Kërnajë, për të ndjekur nga ek

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu