Fazliç i kërkoi 1 mil.$ për Partinë Demokratike të Sali Berishes

0
1471

Fazllici

Dy biznesmenë amerikanë që nisën një sipërmarrje të përbashkët me Serbo-Boshnjakun Damir Fazlliç me Shtetesi dhe Britanike pretendojnë se ata i dhanë atij 1 milionë dollarë për t’ia kaluar ato Partisë Demokratike të Shqipërisë në këmbim, thonë ata, të miratimit të marrëveshjes nga ana e qeverisë.

Ndërsa Shqipëria përgatitej  për të hapur tregun e vet të bisedave telefonike përmes internetit, Voice over Internet Protocol (VoIP), në vitin 2006, Fazlliç dhe partnerët e tij amerikanë sakaq kishin krijuar Meridian Telecommunications, dhe po përgatiteshin të përfitonin avantazh të gjerë duke qenë firma e parë që ofronte këtë shërbim në bashkëpunim me kompaninë shtetërore Albtelecom.

Meridian, me bazë në Indiana, SHBA, sipas dokumenteve të mbajtura nga Komisioni Federal i Komunikimit (FCC), organit shtetëror amerikan përgjegjës për rregullimin e kompanive të telekomit që vepronjnë jashtë vendit, është në bashkëpronësi të Fazlliç, i cili zotëron 50 për qind të aksioneve, dhe amerikanëve  Tim Ginn dhe Tony Altavilla.

 

Fazllici dhe Basha gjat fushates

Kompania po shpresonte të realizonte së paku 3 milionë dollarë fitime vetëm gjatë vitit 2007, tregojnë dokumentet e kompanisë, por kishte vetëm një problem. Partnerët amerikanë duhej të bënin dy ‘pagesa për investim’ prej 500 mijë dollarësh secila për Partinë Demokratike në pushtet para 15 dhjetorit 2006, për të arritur marrëveshjen.

Fazlliç, një njeri i lidhur ngushtë me kryeministrin shqiptar të kohës, Sali Berisha, i tha partnerëve të tij amerikanë se këto para nevojiteshin për të bërë pagesën duke qenë se “megjithëse kryeministri aktual i ka edhe tre vite të tjera mandat, ne kemi nevojë për njerëzit e duhur në qeverisjen vendore për të fituar. Kjo ndihmon këtë kauzë para fundit të vitit zgjedhor,” sipas procesverbalit të takimit të mbajtur nga Meridian në shtator 2006 dhe të lexuara nga BIRN.

“Ai [Fazlliç] tha se gjithçka që duhet të bëjmë është të investojmë 1 milionë dollarë për të blerë politikanët atje për shkak se në këtë kohë, ma ha mendja mua, po ndodhin zgjedhjet [vendore]. Ai pretendoi se ne duhet të mbushim arkat e partisë fituese në mënyrë që ne, në fakt, të kishim arkën tonë [të telekomit] të mbushur. Kështu, Tim dhe unë dhamë atë një milion dollarësh,” pretendon Altavilla.

Fazlliç mohoi prerazi pretendimet se ai ia kaloi paratë Partisë Demokratike, ndërsa kjo e fundit refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të BIRN.

Fazllici gjat nje takimi ne Tirane

1 milionë dollarë të depozituara në llogaritë personale të Fazlliçit

Ginn dhe Altavilla i thanë BIRN në intervista të veçanta se ata morën bashkarisht një kredi një milionë dollarëshe dhe ia transferuan paratë Fazlliçit në llogaritë e tij personale në bankën HSBC në SHBA, si dhe në ishullin e Xhersit, parajsë fiskale britanike.

As BIRN dhe as partnerët amerikanë të biznesit nuk kanë qenë në gjendje të konfirmojnë nëse paratë u dërguan më pas te Partia Demokratike dhe megjithëse Fazlliç pranoi se disa ‘investime’ u kryen, ai refuzoi të japë ndonjë detaj se si u shpenzuan këto para dhe mohon prerazi të ketë premtuar se do t’i çonte fondet te partia në këmbim të miratimit të marrëveshjes.

Gjithsesi, sipas një emaili nga Fazlliç të lexuar nga BIRN, marrëveshja mes Meridian dhe Albtelecom u nënshkrua në tetor 2006 nga Lulzim Basha, në atë kohë ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë e Partisë Demokratike. Ky i fundit, Basha, është aktualisht kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe udhëheqës i Partisë Demokratike.

Basha refuzoi kërkesën për një intervistë dhe nuk iu përgjigj pyetjeve me shkrim.

Kontrata që iu dha Fazlliçit dhe partnerëve të tij amerikanë u jepte akses te infrastruktura e internetit të Albtelecom për sipërmarrjen e tyre shqiptare me VoIP për gjashtë muaj.

Marrëveshja me Albtelecom filloi shumë mirë dhe Meridian fitoi së paku 150 mijë dollarë brenda gjashtë muajve të parë të vitit 2007, pretendojnë biznesmenët amerikanë. Të gjitha këto para, thonë Ginn dhe Altavilla, u përdorën për të shlyernjë pjesë të kredisë bankare.

Gjithsesi, probleme teknike sollën ndërprerjen e shërbimit për shkak se kutia e telekomit që përdorej për të drejtuar thirrjet e tyre VoIP fikej vazhdimisht. Fazlliç, kontakti në terren në Shqipëri, fillimisht punoi për të zgjidhur vështirësitë, por, siç pretendojnë partnerët amerikanë, ai papritur nuk iu përgjigj më emaileve dhe telefonatave të tyre.

Në tetor 2007, Albtelecom u ble nga dy kompani turke pas një procesi të gjatë privatizimi.

Kontrata e ‘falsifikuar’

Emailet e brendshme të Medirian të lexuar nga BIRN tregojnë se, ndërsa sipërmarrja e tyre në Shqipëri filloi të tronditej, Ginn dhe Altavilla zbuluan gjithashtu se kontrata e mbajtur nga Albtelecom kishte çmime dhe tarifa të ndryshme nga ato në kontratën që i qe prezantuar atyre nga Fazlliçi.

Jo vetëm kaq, por Steve Slavin, administratori i Meridian, pretendoi se firma e tij në kontratën e Albtelecom qe falsifikuar, emri i tij qe shkruar gabim dhe se ai qe përshkruar në mënyrë jokorrekte me titullin ‘president’. BIRN nuk qe në gjendje të siguronte një kopje të kontratës.

Në emailet e lexuara nga BIRN, Albtelecom argumentoi se kutia  qe fikur për shkak se Meridian nuk kishte paguar faturat e veta, gjë e kundërshtuar nga amerikanët në bazë të faktit se ata dispononin një kontratë tjetër të cilën e kishin firmosur.

Albtelecom i tha Meridian se ata nuk e dinin se kush i kishte dhënë kontratën atyre dhe se ata nuk kishin të dhëna të ndonjë dokumenti alternativ. Fazlliç refuzoi të komentojë.

Ortakët më pas sollën në fushë Obrad Kesiç, një lobist me ndikim në Uashington DC me origjinë serbe, për të gjurmuar Fazlliçin dhe për të rigjallëruar kontratën e tyre me Albtelecom, por pa sukses.

Ginn thotë se në fund ata vendosën të pranojnë humbjet.

“Duke parë sasinë e parave në lojë, unë prisja që ai [Fazlliçi] të qe kujdesur… Tony dhe unë nuk kishim para për ta ndjekur,” i tha ai BIRN.

Fazlliç, bashkëshortja e të cilit Amra është një nënshtetase amerikane, i takoi fillimisht dy biznesmenët amerikanë më 2006 përmes një kontakti biznesi të përbashkët.

Të impresionuar nga lidhjet e Fazlliçit në Shqipëri, trioja hartoi plane për të shfrytëzuar tregun VoIP që pritej të hapej së shpejti atje.

“Mundësia qe aty për shkak se Damiri kishte lidhje politike në Shqipëri. Ai qe mik i mirë me kryeministrin [Berisha] dhe mund të merrte një kuti telekomi në Shqipëri dhe ne do mund të ishim në gjendje të shisnim minuta,” Altavilla i tha BIRN.

Fushata e Berishes 2005

Fazlliç: ‘Partia Demokratike nuk mori asgjë’

Kur BIRN pyeti Fazlliçin mbi marrëveshjet e tij me Albtelecom përmes emailit, ai mohoi të kishte bërë ndonjëherë biznes me ta.

Njësoj i ndrojtur në lidhje me përzjerjen e tij me Meridian, Fazlliç i tha BIRN gjatë një interviste në qershor se ai “kishte punuar me kompaninë”, duke u përpjekur të hedhë dyshime nëse ai qe një aksioner dhe duke refuzuar t’i përgjigjet drejtpërsëdrejti pyetjeve mbi pronësinë, thjesht duke pyetur: “Si isha unë një partner?”.

Gjithsesi, dokumente nga rregullatori amerikan FCC tregojnë se Fazlliç kishte nën pronësi gjysmën e Meridian Telecommunications përmes kompanisë me bazë në Qipro Cleone Limited. Sipas dokumenteve qipriote, Fazlliç është i regjistruar si drejtor i Cleone ndërsa aksioneri i vetëm i saj është kompania me bazë në Londër Morewig Limited.

Morewig është një kompani guackë e themeluar në Londër nga një firmë regjistrimi qipriote, Ergoserve. Ajo është gjithashtu aksionerja e vetme e një kompanie tjetër me bazë në Qipro, Kelena Limited, e cila është e regjistruar zyrtarisht në këtë ishull. Bazuar në dokumentet ligjorë nga regjistri i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit në Shqipëri, pronari i Kelena-s është Fazlliç.

Kur u pyet nga BIRN se pse ai i pati këshilluar Ginn dhe Altavilla për të paguar 1 milionë dollarë, Fazlliç mohoi të ketë patur ndonjëherë qëllim t’i transferonte paratë te Berisha apo te Partia Demokratike.

“Ata [Ginn dhe Altavilla] duhej të bënin investimet dhe çdo gjë tjetër – unë thjesht po them se asgjë nuk m’u dha mua për t’ia dhënë Berishës apo Partisë Demokratike – kjo është deklarata,” tha ai.

“Unë mendoj se ju do të gjeni se kjo [marrëveshje] qe një nga ato gjëra që nuk funksionoi.”

Fazlliç argumenton gjithashtu se ai nuk fitoi asgjë nga marrëveshja mes Meridian dhe Albtelecom për shkak se ajo dështoi, megjithëse emailet e shkëmbyera mes tij dhe partnerëve të tij amerikanë Ginn dhe Altavilla e bëjnë të qartë se ai natyrisht priste të fitonte.

Në këto emaile, të lexuara nga BIRN, Fazlliç kërkoi që të gjitha fitimet të transferoheshin në llogarinë e tij bankare në Ishujt Britanikë Virgjin.

Berisha gjat fushates 2005

Fazlliç: Aksesi politik është ‘i ligjshëm’

Dosja me emaile dhe dokumente të marra nga BIRN gjatë investigimit mbi marrëveshjen mes Meridian-Albtelecom hedh më shumë dritë në mënyrën se si Fazlliçi përdori aksesin e tij te Berisha dhe elita politike për të ndërmjetësuar marrëveshje dhe për të marrë informacion nga politikanët.

Në një email, Fazlliç i thotë partnerëve të tij amerikanë se ai kishte ‘marrëveshjen e Meridian të nënshkruar nga Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit’.

Në një tjetër, një punonjës i Meridian përmbledh një bisedë telefonike me Fazlliç gjatë së cilës Serbo – Boshnjaku flet për takimin me kryeministrin e Shqipërisë për të diskutuar një marrëveshje energjetike ku Meridian po përgatitej të hynte.

Fazlliç qe këshilltar i afërt i Berishës dhe anëtarëve të tjerë të lartë të Partisë Demokratike gjatë fushatës së tyre të suksesshme zgjedhore të vitit 2005, duke rekrutuar kompaninë e lobimit me ndikim në Uashington DC, BGR, për të këshilluar.

Ai këmbëngul se nuk i tarifoi asgjë partisë për ndihmën e tij, duke pretenduar se ai ka ndihmuar thjesht sepse besonte te kauza e tyre.

Pas fitores zgjedhore të Berishës, Fazlliçi me shpejtësi filloi të përdorë kontaktet e tij për të ndërtuar perandorinë e tij të biznesit në Shqipëri – në atë kohë, një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë. Ai themeloi në Tiranë tre kompani – Crown Acquisitions, Virtu Acquisition dhe SRF Developments – duke vendosur kunatin e Bashës, Erion Isufin, si menaxher të tyre.

Lidhjet e tij të dyshimta me pushtetin erdhën nën hetim intensiv kur prokurorët e Shqipërisë – të alarmuar nga përdorimi i bankave nëpër parajsa fiskale dhe blerjeve me para në dorë të tokave – filluan një hetim për pastrim parash në tetor 2008 mbi një seri marrëveshjesh tokash të ndërmjetësuara për Fazlliçin nga vajza e Berishës, avokatja Argita Malltezi.

Hetimi u kritikua rëndë dhe publikisht nga Berisha dhe mbështetësit e tij dhe prokurorët në fund hoqën dorë pasi dështuan të gjejnë dokumente kyçe në lidhje me operacionet e biznesit të Fazlliç nga zyrtarët e Qipros dhe Bosnjës.

Si Berisha ashtu edhe Fazlliçi në mënyrë të përsëritur mohuan akuzat se bosnjaku pati përfituar nga lidhjet e tij politike, por dokumentet e zbuluara nga BIRN në një hetim mbi marrëveshjet e dyshimta të tokave sugjerojnë të kundërtën. Kliko këtu për më shumë mbi investigimin e BIRN mbi marrëveshjet e tokave të Fazlliç.

Në një intervistë me BIRN, Fazlliçi, i cili ka miq të fuqishëm në Uashington dhe Ballkan, pranoi se ai përdori kontaktet e tij për të hapur dyer, por mohoi të ketë bërë gjëra të papërshtatshme.

“A i përdor unë çdo ditë kontaktet e mija për të hapur disa dyer? Po. Një gjë është të kesh akses, një gjë tjetër të bësh korrupsion. Aksesi është një mjet i ligjshëm në biznes dhe kjo është ajo që unë dua ta bëj të qartë,” tha ai.

Përgjatë kësaj kohe, Altavilla ka qenë duke rindërtuar jetën e tij pasi u detyrua të deklarojë falimentin më 2012, ende i bllokuar me gjysmën e kredisë 1 milionë dollarëshe.

“Unë u tregova budalla,” pranon ai, tashmë që ka humbur shpresat se do të shohë investimin e tij sërish.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu