Fazliqi dhe Hamoviqi morën 80 milionë euro nga KEK-u

0
881

Kompanitë e biznesmenëve serbë Damir Fazliq dhe Vuk Hamoviq, për vetëm tre vjet do t’i marrin Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK) rreth 80 milionë euro, në emër të furnizimit me energji elektrike.

Vuk Hamoviq është bashkëdrejtues i kompanisë EFT, dhe kjo e fundit vetëm gjatë periudhës janar 2012, deri mars 2013 pritet t’i shesë KEK-ut energji elektrike, në vlerë prej rreth 25 milionë euro, ndërsa nga kompania “Rudnap” e Fazliqit korporata kosovare për të njejtën periudhë pritet të blejë energji në vlerë prej 6 milionë euro.

Rudnapit do t’i paguhet 84 euro megavat energjetik, pasi që do ta furnizojë KEK-un në periudha emergjente, ndërsa megavati i energjisë elektrike EFT-së do t’i paguhet rreth 80 euro.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se vitin e kaluar Korporata ka blerë energji nga “EFT” në vlerë prej 18.3 milionë euro, ku megavati i energjisë elektrike ishte paguar 69.09 euro, ndërsa çmimi mesatar i një megavati që i është paguar “Rudnapit” kishte arritur në 88.11 euro dhe importi i përgjithshëm 2.3 milionë euro.

Në vitin 2010 EFT i kishte shitur KEK-ut energji elektrike në vlerë prej 22.9 milionë euro me një çmim prej 62.65 euro për megavat, ndërsa Rudnap 3.4 milionë euro me 50.33 euro megavatin.

“Vlen të theksohet se këto kanë qenë kompanitë që kanë ofruar çmimet më të ulëta në tenderin për import të energjisë”, ka shtuar Buzhala.

Sipas tij, KEK-u blen energjinë elektrike në bazë të çmimeve në berzë. “Kompanitë fituese janë ato me koeficientë më të ulëta, prandaj KEK në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik blen mall, në këtë rast energji nga kompanitë që ofrojne çmimet më të ulëta”, ka nënvizuar ai.

Përndryshe, sipas një hulumtimi të realizuar nga gazeta “Zëri”, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka më shumë se një vit që ka bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë.

Bllokimi i këtij projekti nga ana e kryeministrit Berisha, i ka siguruar shtetit të Serbisë monopol në importin e energjisë në Kosovë, pasi që për momentin Kosova të vetmen rrugë për import të energjisë ka fqinjin verior.

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se në mars të vitit 2011, është hapur tenderi për linjën e transmetimit të energjisë, Shqipëri-Kosovë, me kapacitet 400 kilovoltësh, projekt ky i cili financohet nga banka gjermane KFW, ku ndërtimi i kësaj linje midis Shqipërisë dhe Kosovës, do t’i sillte vendit pavarësinë nga linjat serbe.

Sipas këtyre burimeve, biznesmeni serb, Vuk Hamoviq, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim me Damir Fazliqin, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berisha.

“Biznesmenët serbë kanë paguar shuma të mëdha në instanca të larta shtetërore në Shqipëri, për bllokimin e ndërtimit të linjës”, tha burimi i gazetës.

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se pas procedurave të rregulla të tenderit, morën pjesë disa kompani të njohura të kësaj fushe, si: “Dalekovod” nga Kroacia dhe “Energo Invest” nga Bosnjë e Hercegovina.

Më herët Zyra e Hetuesve e Komisionit Evropian (OLAF) kishte publikuar një raport, ku thuhej se kompania EFT ka qenë pjesë e aferave të ndryshme me KEK-un me rastin e shitblerjes së energjisë elektrike.

Importi nga kompanitë serbe

2012 2011 2010

EFT= 25 mil. euro EFT= 18.3 mil. euro EFT= 22.9 mil. euro

Rudnap= 6 mil. euro Rudnap= 2.3 milionë euro Rudnap= 3.4 mil.euro

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu