FBI kap një prej 10 kriminelëve më të kërkuar

0
438

Arratia 17-vjeçare e James “Whitey” Bulger, një prej personave më të kërkuar nga FBI-ja, ka përfunduar sot. Bulger u arrestua nga agjentët e FBI-së në Kaliforni, teksa ndodhej në shoqërinë e mikeshës së tij të vjetër, Catherine Greig.

Kapja e Bulger shënon fundin e “gjuetisë” së FBI ndaj kriminelit që u bë frymëzim për personazhin e Jack Nikolson në filmin “The Departed”.

Bulger është tashmë 81 vjeç dhe akuzohet për vrasjen e 19 personave, për zhvatje, shpërndarje droge dhe riciklim të parave të pista, të gjitha krime të kryera në vitet ‘70-’80. Historia e tij kriminale ka nisur me arrestimin e parë në moshën 14-vjeç, kur kaloi tre vjet në burgun famëkeq në Alkatraz. Në vitet në vijim, Bulger u bë një prej krerëve më të rëndësishëm të disa bandave kriminale irlandezo-amerikane në Boston si Winter Hill Gang, e cila akoma zhvillon aktivitete kriminale si trafik armësh, organizim lojërash fati të paligjshme apo rrëmbim personash.

Në vitin 2000, FBI krijoi një skuadër të posaçme për të ndjekur gjurmët e tij. Kërkimet u përqendruan në Amerikën e Jugut e Azi, dhe kohët e fundit edhe në Europë. Gjatë këtyre viteve, FBI ka marrë dhjetëra sinjalizime për vendndodhjen e tij në të gjithë kontinentet, përveç Antarktidës. Në vitin 2007 u raportua se ishte parë në Taormina, por sinjalizimi i fundit më i pranueshëm ishte ai i vitit 2002, kur një biznesmen e kishte njohur atë në palestrën e një hoteli në Londër.

FBI arriti ta gjente të arratisurin pasi i intensifikoi kërkimet muajt e fundit dhe pas transmetimit të disa mesazheve televizive, në të cilat tregohej historia e tij dhe kërkohej bashkëpunimi i popullatës, në këmbim të 2 milionë dollarëve për atë që jepte informacionin e nevojshëm. Në mesazhe flitej edhe për Greig, mikesha e Bulger, e cila dyshohej se e ndihmonte kriminelin t’i fshihej drejtësisë.

Në faqen e internetit të FBI-së, në seksionin dedikuar 10 personave më të kërkuar, një etiketë e kuqe me mbishkrimin “Captured” (i kapur) i është vënë fotos së Bugler. Në “listën e zezë” bie në sy edhe etiketa “Deceased” (i vdekur) mbi foton e atij që kryesonte prej vitesh këtë listë, Osama bin Laden.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu