FBI: Përpjekje për t’u shitur rusëve kompjuterin e zyrës së Nancy Pelosit

0
439

Sipas një aktpadie, strukturat e zbatimit të ligjit po kryejnë hetime mbi një grua e cila dyshohet se ka marrë një kompjuter portativ ose një usb nga zyra e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi gjatë sulmit të dhunshëm të 6 janarit në Kapitol dhe më pas është përpjekur t’ia shesë pajisjet zbulimit rus.

Një agjent i FBI-së i zbuloi detajet në një deklaratë të shkruar, të bërë nën betim, e cila u bë publike të dielën në mbrëmje, ku përshkruhet një çështje penale kundër Riley June Williams nga Pensilvania e akuzuar për hyrje të paligjshme në ndërtesën e Kapitolit dhe orientimin e njerëzve drejt zyrës së zonjës Pelosi.

Vjedhja e pajisjeve elektronike nga zyrat e kongresit ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm pas sulmit nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump.

Prokurori i Përkohshëm amerikan Michael Sherwin tha pas sulmit se disa nga vjedhjet mund të kishin rrezikuar potencialisht ato që ai i quajti “objekte me vlerë për sigurinë kombëtare”.

Në aktpadinë e paraqitur në Gjykatën e Qarkut të Uashingtonit thuhet se FBI-ja e kishte siguruar informacion nga një person që u tha se ishte një ish-partner intim i zonjës Williams.

Personi që dha informacionin tha se zonja Williams “synonte t’ia dërgonte pajisjen kompjuterike një miku në Rusi, i cili më pas planifikonte t’ia shiste atë shërbimit rus për zbulimin e huaj (SVR)”, thuhej në deklaratën e bërë nën betim.

Sipas personit që dha informacionin “transferimi i pajisjes kompjuterike në Rusi deshtoi për arsye që nuk dihen dhe zonja Williams ose e ka ende pajisjen kompjuterike ose e ka shkatërruar atë”. Strukturat e zbatimit të ligjit po vazhdojnë ende hetimet mbi këtë çështje.

Agjencia e lajmeve Reuters bëri të ditur se nuk ka mundur ta kontaktojë zonjën Williams për një koment.

Sipas FBI-së, duket se zonja Williams jeton në një banesë të cilën ajo ndante me nënën e saj e që ndodhet pranë Harrisburgut në Pensilvani. Ajo ka çaktivizuar gjithashtu numrin e telefonit si dhe ka mbyllur llogaritë e saj në median sociale.

Një zëdhënës i zonjës Pelosi, Drew Hammill, nuk iu përgjigj një kërkese për koment lidhur me rastin.

Dy ditë pas sulmit të dhunshëm në Kapitol zoti Hammill tha se një kompjuter portativ i përdorur për prezantime ishte vjedhur nga një sallë konferencash në zyrën e zonjës Pelosi. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtin kompjuter të cilin akuzohet se ka marrë zonja Williams./voa

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu