“Femra misterioze” e zhduk pa gjurmë Fidanin

0
875

Fidan Shabi në mesnatën e ditës së martë të 1 majit ishte përshëndetur me familjen e tij për t’u takuar me personin “misterioz”, i cili për një javë sa kishte kontaktuar me të ishte paraqitur si femër. Kontakti me këtë person ‘misterioz’ ishte vetëm virtual, pasi 20-vjeçari përgjatë asaj jave, sa kishte lidhur kontaktin me personin e panjohur që ishte paraqitur si një femër nga Prishtina, kishte kontaktuar vetëm me mesazhe telefonike.

Familja e djaloshit, në ankth

Një javë nga zhdukja pa gjurmë e tij, familja Shabi nga Peja është nën ankth të pritjes së ndonjë lajmi për fatin e tij. Gazeta “Kosova Sot” ka kontaktuar me familjen e tashmë të zhdukurit Fidan Shabi, e cila shpjegon në detaje rastin nga nisja e kontaktit me personin anonim dhe deri në ditën e fundit, kur Fidani ka dalë nga shtëpia. Kontaktin e gazetës me familjen e të humburit e mundësoi tezja e tij, e cila e shqetësuar me fatin e nipit të saj (jeton jashtë Kosovës) kishte telefonuar në redaksinë e gazetës “Kosova Sot” për të sensibilizuar gjithë opinionin lidhur me këtë zhdukje të çuditshme. Florentina Shabi, motra e Fidanit, thotë për gazetën se nuk janë në dijeni se me kë ka dalë atë natë rreth orës 00:30 të mesnatës, vëllai i saj. Ajo ka pohuar se vetëm një gjë e di se personi me të cilin ka dalë Fidani është ai me të cilin kishte lidhur kontakt me SMS. “Nuk e di me kë ka dalë, mirëpo i ka dërguar mesazh numri i njëjtë me të cilin ka folur një javë ditë. I ka thënë se është një femër e Prishtinës. Ata asnjëherë nuk kanë folur përmes telefonit, por vetëm me mesazhe kanë kontaktuar”, është shprehur Florentina, duke shtuar se ajo është prezantuar vetëm si femër, pasi nuk ka qenë femër. Ajo ka thënë se më 1 maj “ajo” e kishte ftuar të dalin pas 00:30 të natës të takohen. “Një prej të cilëve unë e kam shkruar pasi vëllai më ka thënë, ka qenë “Kur mundesh me dalë” , kurse përgjigjja ka qenë “Kur mundesh ti”, vëllai është përgjigjur: “Prej orës tetë unë jam i lirë”, përgjigjja e personit misterioz ishte “Jo unë pas 12:30 të natës mund të takohem” dhe vëllai ka dalë të takohet dhe pas asaj ditë nuk është kthyer më në shtëpi”, tregon Florentina. Ajo ka thënë se ai e kishte lënë të takohej me personin anonim te shkolla “8 marsi” në Pejë. Zhdukjen e tij e kanë kuptuar pasi kanë marrë telefonatë nga puna e tij, të cilët kërkonin arsye pse Fidani nuk kishte shkuar në punë. “Ai çdo mëngjes ka shkuar në punë herët, të nesërmen na kanë thirr nga puna e tij dhe na kanë thënë pse nuk ka ardhur në punë. Mama ka hy në dhomën e tij me këqyrë ai nuk ka qenë aty. Kemi pritur deri pasdite mos po kthehet, nuk është kthyer dhe ne e kemi lajmëruar rastin në polici”, shprehet Florentina. Ajo shpjegon se si kanë tentuar ta marrin në telefon, por të dy telefonat e tij ishin të shkyçur nga kontakti. “Numri i IPKO-s nuk i ka bërë hiq, numri i VALA-s i ka bërë deri në ditën e dytë. Pas kësaj dite nuk i ka bërë më. Por, edhe gjatë asaj dite që i ka bërë kur e thirrshim nuk është lajmëruar askush”, shprehet Florentina.

SMS-të e shokut të Fidanit, të dyshimtë

Familja e Fidanit dyshon se në zhdukjen e tij është përfshirë një nga shokët e tij, mesazhet e të cilit kanë qenë të fundit të gjetur në ‘Facebook’-un e Fidanit pas zhdukjes së tij. Sipas tyre, SMS-at e shokut të personit të zhdukur në rrjetin social ‘Facebook; janë të dyshimtë. Një nga fjalitë e dyshimta të shokut të tij ishte: “Shoki merre ketë numër mos e shpërndaj”. Ata thonë se Fidani i kishte shkruar disa herë shokut të tij në rrjetin social, por ai nuk i ishte përgjigjur asnjëherë. Sipas Florentines, policia e ka marrë në intervistë personin për të cilin ata dyshojnë, mirëpo ai nuk ka pranuar asgjë. “Ai e ka pranuar që e ka shok, por nuk ka pranuar se ka lidhje me zhdukjen e tij”, ka thënë ajo. Familjarët mohojnë që djali i tyre t’i ketë pasur borxh dikujt. Mësohet se Fidan Shabi është i gjatë 185 centimetra, dhe herën e fundit kur është parë ka qenë i veshur me pantallona të zeza, bluzë të kuqe dhe një xhaketë po ashtu të zezë, si dhe atlete bardhë e zi.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj, ka pohuar se më 02. 05. 2012, rreth orës 20:00, familja e tij e ka lajmëruar rastin e zhdukjes së djalit të tyre në Polici. “Prej atij momenti kanë filluar të zhvillohen hetimet në shumë drejtime. Ne kemi kërkuar ndihmën edhe të qytetarëve, me këtë rast i kemi dhënë të gjitha të dhënat e tij. Për shkak të mosprishjes së hetimeve ne nuk mund të japim asgjë. Ibraj ka thënë se policia është duke i bërë hetimet edhe të telefonatave të fundit të Fidanit, për të rënë në gjurmë tij. “Ne këtë rast e kemi vlerësuar si rast serioz, me rrezikshmëri të lartë për jetën dhe trupin e tij”, është shprehur Ibraj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu