Ferri në tokë i një nëne kosovare – në skamje, pa bukë dhe fëmijë të sëmurë me epilepsi

0
691

Zenetije Kosumi

Zenetije Kasumi nga Vitia jeton në skamje të thellë me tre fëmijët e saj. Ata ushqehen me kore të lëna të bukës, derisa jetojnë në një objekt para shkatërrimit. Shteti e la edhe pa banesë për një copë dokumenti që nuk pati para ta rregullonte me kohë. Express sjell rrëfimin e Zenetijes mbi përpjekjet e saj për të mbijetuar

”Valla ftoftë shumë, për mu mos vet, më mirë është me u furrë ne konop sesa të rri kështu”

Deri në këtë gjendje ka ardhur Zenetije Kasumi, e cila është nënë e tre fëmijëve. Në mungesë të bashkëshortit, i cili i ka vdekur para 7 viteve, ajo jeton e vetme me fëmijët në Qendrën Strehimore në Viti.

Krejt çka i kishte mbetur si ushqim, janë këto kore të bukës në këtë qese, pasi që kjo familje nuk ka asnjë të ardhur e as nuk merr ndihmë sociale. Ajo thotë se janë braktisur nga të gjithë.

“Në kete gjendje jetoj, vetëm këtu mos më lëni vetëm. Vinë më frikësojnë, m’i rrahin fëmijët, kur shkoj në polici e marrin për shaka”, thotë ajo.

Djali i saj 14 vjeçar kujdeset me aq sa mundet, duke mbledhur kanaçe për të siguruar bukën e gojës. Për më keq, ai është i sëmurë nga epilepsia, sëmundje që e godet edhe gjatë punës duke e lënë pa vetëdije në mes të rrugës. Mundimet që ia shkakton sëmundja janë ditore.

“Më plas gjaku nga hundët, më ndalet frymëmarrja. Më vjen të shtrihem e të mos zgjohem më”.

Përveç kësaj, si fëmijë pa mbrojtje, ndaj tij shkaktohet edhe dhunë fizike.

“Më godasin me shqelma kur dal të mbledh hekura”.

Përderisa ish-banorët e kësaj qendre kishin përfituar banesa, Zenetija nuk e pati një fat të tillë për shkak të mungesës së dokumentacionit. Duke qenë se është banore e shtetit maqedonas, por e martuar në Kosovë, ajo nuk pati të hollat e mjaftueshme të pajisej me letërnjoftim dhe si pasojë mbeti pa strehë mbi kokë. E kur fëmijët e saj i kishin mbledhur të hollat e mjaftueshme duke kërkuar lëmoshë, ajo thotë se iu bë padrejtësi dhe në vend të saj banesa iu dha një familjeje tjetër që i kishin kushtet më të mira.

Tash 14 vite kjo nënë me fëmijët e saj bredhin ngado duke mos pasur një strehim të përhershëm ndërsa ka dy vite që janë banorë të kësaj strehimoreje, e cila nuk ofron as kushtet elementare për jetë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu