Fill pas takimit me Thaçin, kërkoi dosjen e Limajt

0
659

Shefi i misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, Xavier de Marnhac vetëm pak kohë pasi kishte takuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, kishte kërkuar nga punëtorët e tij që personalisht ta shikojë dosjen e nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj. Kështu ka bërë të ditur për Agjencinë Lajmeve “Infokusi”, një burim i mirinformuar brenda misionit evropian për sundim të ligjit.

“Dosjen e deputetit Fatmir Limajt, i cili është nën hetime, shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac e kishte kërkuar para tri-katër dite, dhe atë pas takimit që kishte zhvilluar me Thaçin”, ka thënë ky burim, duke mos saktësuar se për çka i është dashur pikërisht dosja e Limajt.

Askush nga EULEX-i nuk ka pranuar që të flasë zyrtarisht nëse Xavier de Marnhac ka kërkuar dosjen e Limajt. Të heshtur kanë qenë edhe zyrtarët e qeverisë së Kosovës, të cilët nuk kanë dashur të flasin në lidhje me këtë çështje.

Hetimet ndaj ish-ministrit të Transportit dhe Postë Telekomunikacionit Fatmir Limaj, nën dyshimin për korrupsion kishin filluar më 24 prill të vitit të 2010. Megjithatë, prokuroria e EULEX-it, edhe përkundër afatit ligjor prej 24 muajsh, nuk kishte arritur që të ngrinte aktakuzë.

Pavarësisht nga kjo, Prokuroria e EULEX-it e ka ftuar sërish për të marrë në pyetje Limajn, ndonëse mbrojtja e tij e ka konsideruar si të jashtëligjshëm hetimin. Tahir Rrecaj, avokat i Limajt kishte deklaruar se hetimet janë të paligjshme, ngase afati ligjor ka përfunduar në muajin prill të këtij viti. Megjithatë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka marrë vendim që Limaj të paraqitet para prokurorit, kur ai e thërret për ta marrë në pyetje.

Sidoqoftë, takimi i kryeministrit me shefin e EULEX-it ndodh pikërisht në kohën kur në Partinë Demokratike të Kosovës, ka pasur një përplasje të madhe ndërmjet krahut të Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, me atë të Hashim Thaçit.

Mediet kanë raportuar se mbledhja e fundit e PDK-së, ishte ajo në të cilën ishin thyer shtizat ndërmjet dy krahëve. Ishte pikërisht nënkryetari Fatmir Limaj me mbështetjen edhe të sekretarit të përgjithshëm të partisë, Jakup Krasniqi ata të cilët ia treguan muskujt Thaçit. Madje, ata e kërcënuan kreun e PDK-së, se nëse ai nuk jep llogari para tyre dhe nuk e ndryshon sistemin e zgjedhjeve brenda partisë, atëherë ata përfundimisht do t’i ndajnë rrugët ndërmjet vete.

Situata brenda partisë më të madhe në vend, u tensionua edhe më shumë, në dy mbledhjet e fundit të Kuvendit të Kosovës, ku kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha publikisht se kjo legjislaturë është me vota të vjedhura. Madje, ai mbajti një fjalim për privatizimin, me të cilin fjalim ai kërkoi ndihmën e SHBA-ve dhe të BE-së për dalë nga kjo situatë.

Analistët politik këtë “luftë” ndërmjet Krasniqit e Limajt me krahun e Thaçit, e kanë parë më shumë si luftë të dy të parëve me njerëzit e ish- Shërbimit Informativ të Kosovës. /Infokusi/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu