Financuesit sekretë të politikës

0
599

Shuma e parave të shpenzuara gjatë fushatës parazgjedhore, por edhe personat që i kanë dhuruar ato, edhe më tej vazhdon të trajtohet si sekret partiak.

Bazuar në Ligjin mbi Financimin e Partive Politike, subjektet politike mund të shpenzojnë për fushatën e elektorale deri në 800 mijë euro. Ligji parasheh qartë se për çdo votues mund të shpenzohet nga 50 centë, ndërsa në ato komuna ku numri i votuese është më i vogël se 5 mijë veta nga 70 centë.

Por, partitë më të mëdha politike edhe pse me letra nuk tejkalojnë shumën prej 800 mijë eurosh, megjithatë praktikat e deritashme kanë treguar se “djegin” miliona euro për qëllime elektorale. Organizatat e ndryshme joqeveritare janë skeptike se partitë politike do të bëhen “të sinqerta” dhe do t’i tregojnë financuesit e tyre më të mëdhenj në garën elektorale, që pritet të zhvillohet vetëm pas pak ditësh për zgjedhjet nacionale.

Fidan Kalaja nga Lëvizja “Fol”, thotë se mënyra e financimit të partive politike mbetet një nga anët më të errëta, e cila shpërfaqet sidomos afër ose gjatë fushatës elektorale.

Ai tha se ky proces vazhdimisht është përcjellë me një mostransparencë të madhe, për çka ka përmendur se ka pasur raste kur bizneset kanë akuzuar publikisht partitë politike se pas financimit të fushatave nuk kanë bërë kthimin e favoreve.

“Çohu” kërkoi qasje në llogaritë bankare

Edhe Lorik Bajrami nga Organizata “Çohu” tregon se organizata e tij ka kërkuar disa herë qasje në xhirollogaritë bankare të subjekteve politike, të cilat marrin financa nga buxheti i shtetit, por që një gjë e tillë nuk i është lejuar në përjashtim të disa partive të vogla politike.

“Dihet se partitë politike gjatë fushatës elektorale shpenzojmë shuma të mëdha parash, dhe duke marrë nga burimet alternative i tejkalojnë shpenzimet e KQZ-së. Kjo reflekton mostransparencën e forcave politike, të cilat në asnjë rast nuk i kanë bërë publike tejkalimet që i kanë në garën elektorale që i marrin nga firmat e ndryshme”, ka thënë ai.

Por, në anën tjetër përfaqësues të partive politike thonë se janë transparente në raport me shpenzimet që i bëjnë gjatë fushatës, për dallim nga partia e kryeministrit Hashim Thaçi, e cila nuk është treguar e gatshme që të flasë. Gazeta ka kontaktuar sekretarin e partisë, Bastri Musmuratin, por ai nuk ka pranuar të flasë.

LDK shpenzoi për fushatë 768 mijë euro

Partia e Isa Mustafës thotë se fushata e ardhshme elektorale do të dallojë nga ajo e kaluara. Ky subjekt politik është treguar i gatshëm që t’i deklarojë raportin e shpenzimeve për zgjedhjet e fundit lokale ku ka shpenzuar gjithsej 768 mijë e 691 euro.

Në bazë të një raporti që ka siguruar gazeta del se vetëm për reklama, reprezentacion dhe konferenca janë shpenzuar hiç më pak dhe as më shumë se 600.391,67, në kuadër të të cilave hyjnë shpenzimet për hapësira, lokale dhe zyrë janë shpenzuar 10.976 euro, për ushqim 77.690 euro…etj. LDK si shpenzime të përgjithshme ka deklaruar 60.380 euro, ku hyn telefoni e interneti 3 mijë e 280 euro, ndërsa si donacione dhe kontribute në natyrë në mallra dhe shërbime janë evidentuar se janë shpenzuar 25 mijë e 30 euro.

Në anën tjetër si shpenzime të transportit janë evidentuar 22.579,17, ku vetëm për karburante janë harxhuar 15.529 euro. Kurse në kuadër të pagave që kryesisht janë shpenzuar për vëzhgues, LDK ka shpenzuar 82 mijë e 231euro. Partia e Isa Mustafës ka deklaruar se fushata e fundit elektorale është përkrahur me mallra dhe shërbime nga Transport “Victor” nga “Univers” dhe “Siprint”, që të gjitha këto nga Prizreni.

Zemaj: LDK-ja do të jetë transparente

Deputeti nga LDK-ja, Armend Zemaj, thotë se partia e tij vazhdimisht ka qenë transparente në raport me shpenzimet e fushatës, derisa ka theksuar se gara e ardhshme elektorale do të dallojë nga fushatat paraprake.

”Do të ketë dallim të madh në fushatën e ardhshme elektorale, pasi që LDK-ja do të zhvillojë fushatë me votuesit, ndërkaq pjesa e marketingut do të jetë pjesë e debateve për të paraqitur ofertën tonë, që do të jetë pjesë e ndryshimit substancional”, ka thënë ai.

Edhe Donika Kadaj-Bujupi thotë se AAK-ja nuk ka bërë ndonjë plan se sa të holla do t’i shpenzojë gjatë fushatës së ardhshme elektorale, por megjithatë deklaron se shpenzimet e AAK-së do të jenë të ngjashme me të kaluarën.

Ndonëse AAK-ja në zgjedhjet e fundit lokale ka deklaruar se ka shpenzuar diku rreth 250 mijë euro, Kadaj-Bujupi thekson se “shpenzimet e AAK-së do të jenë modeste dhe ky është parimi i partisë së saj për të mos ekzagjeruar me investime në një fushatë elektorale”. Ajo nuk la pa përmendur fushatën e parakohshme elektorale të kryeministrit Thaçi, që siç deklaroi ajo, po abuzon me fondet publike.

Gazeta ka kontaktuar edhe më zyrtarët e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, të cilët nuk kanë dhënë informata se sa kanë shpenzuar forcat politike në garën e fundit elektorale. Drejtoresha e kësaj zyre, Miradie Mavriqi, ka sqaruar se Ligji mbi Financimin e Partive Politike e specifikon qartë se nevojitet të bëhet auditim për financimin e partive gjatë fushatës elektorale.

“Një komision nga Kuvendi i Kosovës është ai që i mbikëqyr 10 auditorët që përzgjidhen, të cilët duhet të jenë të certifikuar për t’i audituar raportet e partive mbi financat gjatë fushatës elektorale”, ka thënë ajo.

Mavriqi gjithashtu ka bërë të ditur se derisa nuk ka një ligj të ri për zgjedhjet, atëherë bazuar në Ligjin mbi Financimin e Partive Politike, subjektet politike mund të shpenzojnë për çdo votues nga 50 centë, ndërsa në ato komuna ku numri i votuese është më i vogël se 5 mijë veta nga 70 centë.

“Derisa nuk kemi një ligj të ri, atëherë merret ligji aktual”, ka thënë ajo. Sipas saj, nga 103 subjekte politike që janë certifikuar në zgjedhjet e fundit lokale nga Komisioni Qendror Zgjedhor 10 prej tyre nuk i kanë dorëzuar raportet mbi shpenzimet për fushatën në afatin e paraparë ligjor.

Ajo tha se Zyra që e udhëheq i ka rekomanduar KQZ-së që të shqiptojë gjoba për ato subjekte që nuk e kanë dorëzuar raportin mbi shpenzimet. Mavriqi tha se në këtë mes hyn edhe një parti politike që është e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, duke mos dashur që të zbulojë se për këtë bëhet fjalë.

Por, gazeta ka mësuar se bëhet fjalë për Partinë e Ashkalinjve për Integrim, e cila për 47 ditë sa nuk i ka deklaruar shpenzimet është gjobitur me 3 mijë e 516 euro, kurse për nëntë subjektet tjera politike që nuk janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës baza e gjobës është 1 mijë euro, duke u bazuar në Ligjin mbi Financimin e Partive Politike, ku çdo ditë vonesë llogaritet me 0.01 për qind.

 

Nga: Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu