Fitim R.: Falsifikimin e SMS-ve e urdhëroi prokurori

0
810

Ish-polici kosovar, Fitim R., i cili dyshohet se “ka gisht” në falsifikimin e mesazheve telefonike mbi bazën e të cilave Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj nënkryetarit të parë të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, ka zbardhur detaje të reja në lidhje me këtë rast.

Siç raporton gazeta Epoka e Re, ai të enjten ka qëndruar në redaksinë e kësaj gazete ku ka qarë në prani të babait të tij, i cili është prokuror special, ndërsa ka thënë se ndjenë keqardhje që për shkak të veprimit të tij po i përmendet babai në medie.

Ai thotë se vetë nuk i ka falsifikuar mesazhet telefonike, mbi bazën e të cilave po akuzohet Limaj, por sipas tij, këtë e ka urdhëruar një prokuror vendor me inicialet O.M.

“Falsifikimin thotë se nuk e ka bërë në rrugë as në zyre, dhe thotë se nuk e di kush e ka bërë”, shkruan Epoka e Re.

Fitim R. sipas kësaj gazete nga e ka pranuar se ka të bëjë diçka me këto mesazhe, por thotë se vetëm e ka bartur fleshin (USB) me formatin e fajllit PDF nga Posta në Policinë e Kosovës me urdhër të prokurorit shqiptar në vitin 2009.

Për këtë çështje dy javë më parë ka raportuar “Zëri”, e cila ka treguar në detaje për falsifikimin e mesazheve telefonike, të cilat, Prokuroria pretendon se janë shkruar nga ish-shefi i Kabinetit të ish-ministrit Limaj, Endrit Shala, i cili, sipas mesazheve të falsifikuara ka komunikuar me njërin prej operatorëve ekonomik, Florim Zuka, i cili drejton kompaninë “Tali Compani”, të cilit i ka kërkuar mito për t’ia dhënë tenderët për asfaltimin e rrugëve.

Letra me mesazhet e falsifikuara nga Prokuroria kishte arritur në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ia kishte dhënë Limajt, ndërsa EULEX-i e kishte marrë atë në shtëpinë e Limajt kur e kishte bastisur atë.

Për këtë letër me mesazhe të falsifikuar prokurori ndërkombëtar e ka intervistuar edhe vetë kryeministrin, i cili, siç ka raportuar “Zëri”, nuk ka treguar se nga i ka ardhur kjo letër.

Më poshtë është teksti i plotë, i cili është botuar me 24 janar në “Zëri”:

 

Limaj akuzohet me SMS të falsifikuar!

Mesazhet telefonike mbi bazën e të cilëve është ngritur aktakuza ndaj ish-ministrit të Transporteve, Fatmir Limaj, në rastin e Ministrisë së Transportit, janë të falsifikuara “fund e krye”. Pothuajse e tërë aktakuza ndaj nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limajt, është ngritur duke u bazuar në disa mesazhe telefonike, që EULEX-i pretendon se janë shkëmbyer mes ish-shefit të Kabinetit të Limajt, Endrit Shala, dhe kompanisë ndërtimore “Tali”.

Gazeta “Zëri” ka siguruar aktakuzën e Limajt, ku përveç deklaratave të ndryshme, dyshimeve të Prokurorisë, vend të konsiderueshëm zënë mesazhet telefonike të Shalës me pronarin e kompanisë “Tali”, Florim Zuka. Përveç dosjes së aktakuzës, gazeta ka siguruar edhe historitë e telefonatave dhe mesazheve të Endrit Shalës dhe të Florim Zukës. Të dy këto janë nxjerrë nga PTK-ja dhe të njëjtat ia kanë dorëzuar Prokurorisë së EULEX-it, të cilat dëshmojnë se mesazhet që EULEX-i i pretendon si të vërteta janë të falsifikuara.

Në fakt, mesazhet që posedon EULEX-i, të cilat janë të listuara në një dokument që nuk përmban asnjë dëshmi dhe vulë të ndonjë institucioni, vijnë në kundërshtim të plotë me mesazhet që Endrit Shala dhe Florim Zuka kanë marrë nga PTK-ja.

Mesazhi i parë, i listuar në “dokumentin” e EULEX-it, sipas këtij misioni, është shkëmbyer mes Shalës dhe Zukës, më 15 mars 2009, në orën 15:09, por në historinë e thirrjeve të PTK-së shihet se në këtë kohë nuk ka pasur fare komunikim mes këtyre dy numrave.

Situatë plotësisht e njëjtë është edhe me dymbëdhjetë mesazhe tjera.

“O Endrit shefi, pasnesër çelën senet, çka po ta merr mendja a po mundemi me bë naj sen o shef, e ta kryej obligimin ndaj teje, e ti tani normal ndaj atyre tuve që i ki. Ta jap o shpirt qat 25she me katër xero, kalo mirë e lajmerom”, është mesazhi i tretë, të cilin sipas EULEX-it, Zuka ia ka dërguar Shalës më 23 mars 2009 në orën 10:13.

Por, në të dy historitë e bisedave shihet se asnjëri dhe as tjetri në këtë kohë nuk kanë komunikuar me njëri-tjetrin, dhe se gjatë kësaj kohe që të dy kanë komunikuar me persona të tjerë, përkatësisht, me numra të tjerë të telefonave.

Mospërputhje e tillë ekziston edhe te mesazhet tjera. “O si je Tali kompani, a je mirë, a po lodhesh. Qe edhe unë po pushoj në vikend, ti si je a je mirë, si po të shkojnë punët, të përshëndes e kalo mirë. Tung”, është njëri nga mesazhet që, sipas “dokumentit” të EULEX-it, Endrit Shala ia ka dërguar Florim Zukës më datën 29 mars 2009 në orën 14:02.

Por, sikurse në historinë e telefonatave dhe mesazheve të Shalës, edhe të Zukës, gjatë kësaj kohe, përkatësisht me këtë datë dhe këtë orë nuk ka pasur fare komunikim mes këtyre dy personave.

Megjithatë, nuk janë vetëm trembëdhjetë mesazhet e falsifikuara në “dokumentin” e EULEX-it. Aty vërehet gjithashtu mospërputhje në kohë nga mesazhi në mesazh. Përkatësisht, gjatë radhitjes së mesazheve “hartuesi” i tyre e ka ngatërruar orën. Mesazhi i gjashtë që i takon datës 25 mars 2009 është i shkruar në orën 16:16, ndërsa mesazhi pasues, po ashtu i kësaj date, është i shkruar dy orë më herët, përkatësisht në ora 14:19.

Mesazhet i pa i pari Thaçi

Siç shihet nga aktakuza, “dokumenti” me mesazhet e falsifikuara, para se të bjerë në “dorë” të EULEX-it ka qëndruar paraprakisht te kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

Sipas aktakuzës, Limaj derisa merret në pyetje para Prokurorit të EULEX-it tregon se në vitin 2009 ka shkuar te kryeministri Thaçi, në Kryeministri për të biseduar me të rreth mesazheve të Shalës.

Kryeministri më pas ia ka ofruar Limajt “dokumentin” me mesazhet telefonike, duke ia bërë me dije atij se shefi yt i kabinetit është përshirë në korrupsion. Pas kësaj, siç ka rrëfyer Limaj, është ftuar Shala që të japë dëshmi për çështjen në fjalë.

“Kryeministri ma dha atë (letrën me mesazhe) dhe më tha shikoje këtë. Unë e shikova atë dhe ishte shumë serioze për mua. Unë në të vërtetë isha i alarmuar. Unë e thirra këshilltarin tim (Endrit Shala), i thash shpjego çka ndodhi, ai më tha prit një orë dhe unë do t’i gjej tekstet (mesazhet) e mia se ky është fabrikim. Qëllimi im ishte që të ushtroj padi lidhur me këtë, por nuk kisha ide nëse Endrit Shala e mbante dokumentin apo e kisha unë atë, për këtë arsye ajo u gjet në banesën time (kur është bastisur nga EULEX-i)”, ka deklaruar Limaj në Prokurori, derisa është marrë në pyetje.

Ndërsa, pas një kohë të shkurtër Shala e kishte nxjerrë historinë e telefonatave dhe mesazheve të tij, me të cilën më pas ishte deklaruar e vërteta për mesazhet dhe thirrjet dhe se “dokumenti” që kishte ofruar kryeministri nuk është i njëjtë me atë që kanë dhënë zyrtarët përgjegjës në PTK.

Por, siç shihet nga aktakuza, EULEX-i më pas është “përpjekur” ta sigurojë historinë e mesazheve të Endrit Shalës, por kjo kishte qenë “e pamundur” ngase, prokuroria pretendon se dikush ka mundur t’i fshijë sms-at nga databaza e PTK-së

“Kur hetuesit kërkonin SMS-it, të numrit të Endrit Shalës nga PTK-ja në vitin 2011, mungonin vetëm këto SMS mesazhe fajësuese”, thuhet në aktakuzë.

Thaçi: “Po, unë e kisha letrën me SMS”

Gazeta ka siguruar edhe dy letra që përbëjnë një komunikim mes kryeministrit Hashtim Thaçi dhe prokurorit të EULEX-it, Johannes Pickert, të cilat në krye mbajnë vulën “tepër konfidenciale”.

Më 23 prill të vitit 2012, prokurori ia kishte dërguar një shkresë kryeministrit Thaçi, nga i cili kishte kërkuar që ose të intervistohet nga EULEX-i, ose t’u përgjigjet pyetjeve që kanë të bëjnë me mesazhet telefonike.

Kjo letër kryeministrit i ishte dërguar, pasi që, siç ka shkruar prokurori ndërkombëtar, gjatë marrjes në pyetje të Limajt, ish-ministri ka deklaruar se “mesazhet ishin falsifikuar nga dikush dhe se kryeministri kishte ardhur në posedim nga një burim i paidentifikuar”.

Ndërkaq, kryeministri kishte zgjedhur që në shatë pyetjet e prokurorit Pickeret të përgjigjet me një përmbledhje të shkurtër me shkrim, por nuk kishte treguar se nga e ka marrë letrën me mesazhet e falsifikuara. Ai vetëm kishte thënë se letra të tilla merr shpesh dhe se jo të gjitha i trajton vetë.

“Në të shumtën e rasteve letrat e tilla hidhen si të pavlera, mirëpo në rast se ka ndonjë letër me përmbajtje të ndonjë rëndësie për ndonjë person apo individ i cili punon për Qeverinë e Kosovës, atëherë unë atë letër dhe atë përmbajtje ia përcjell individit të apostrofuar. Pikërisht një letër anonime ka qenë edhe letra për të cilën ju keni kërkuar sqarime përmes shkresës suaj zyrtare. E gjitha çfarë mund të them lidhur me atë letër është se unë ia kam përcjellë ministrit përgjegjës të apostrofuar, sepse e njëjta letër ka pasur përmbajtje që ndërlidhet me ministrinë të cilën ai e drejtonte”, është përgjigjur kryeministri në letrën që mban datën 15 maj 2012.

Ndryshe nga e gjithë kjo, aktakuza ndaj Fatmir Limajt për keqpërdorime në Ministrinë e Transportit ka pësuar “zbutje”. Fillimisht EULEX-i pati deklaruar se janë keqpërdorur tetëdhjetë milionë euro, por kjo shumë tash ka rënë në dyqind e pesëdhjetë mijë euro.

E gjithë përmbajtja e aktakuzës ndaj Limajt dhe katër bashkëpunëtorëve iu referohet tre tenderëve që janë dhënë për ndërtimin e rrugëve, duke pretenduar se zyrtarët shtetërorë kanë marrë njëzet për qind të vlerës së përgjithshme të tenderëve, ndërsa mesazhet telefonike janë pjesë e kësaj reference.

Shala: SMS-të janë të montuara!

Gazeta të mërkurën ka kontaktuar me ish-këshilltarin e Limajt, Endrit Shala, i cili ka deklaruar se mesazhet telefonike janë të montuara dhe se kjo është vërtetuar edhe nga historia e telefonatave, ndërsa mohon mundësinë që “mesazhet fajësuese” të jenë fshirë nga serverët e PTK-së, siç pretendon EULEX-i.

“Ne kemi komunikuar me zyrtarë përgjegjës të PTK-së, të cilët mohojnë në mënyrë kategorike mundësinë e fshirjes apo të montimit të SMS-ve në serverët e VALE-s, e sidomos pa lënë kurrfarë gjurmë. Prandaj, logjikisht rrjedh pyetja se si dhe ku janë montuar këta SMS? Padyshim, dëshmitar kyç për këtë do të duhej të ishte kryeministri Thaçi”, ka deklaruar ai. Sipas tij, nëse prokurori i EULEX-it është i interesuar ta zbardhë të vërtetën për mesazhet, atëherë këtë mund ta bëjë duke i kërkuar ata në Monaco-Telekom, ku sipas tij, ruhen edhe nëse fshihen SMS-të në Kosovë.

Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu