Fitoi Ukskana kundër Kiçevos

0
775

Në zgjegjet e djeshme në Uskanë (Kërçovë / Kiçevo) ndodhi një kthesë e madhe. Pas gati dy-mijëvçarëve (që kur kjo trevë është pushtuar nga Perandoria Romake), shqiptarët fituan pushtetin lokal. Rezultati i votimeve për Kryetar komune:
Votues të regjistruar: 48.075 votues, dolën në votime: 32.996 votue, fletëvotime të pavlefshme: 425.
Për BDI-në, e përfaqësuar nga Fatmir Deharin, votuan 17.041 qytetarë (kryesisht shqiptarë), ose 51,65 % e atyre që morën pjesë në votim.

Për VMR, LSDM dhe 26 parti të tjera, të përfaqësuara nga Blagoja Despotoski, votuan 15.530 qytetarë (kryesisht maqedonas) ose 47,07 %

Rroli i emigrantëve – vendimtar

Thuhet se maqedonasit kanë dal që të gjithë në votim.
Në votim nuk duhet të kenë dal rreth 15.079 shqiptarë, meqë këta kryesisht janë në emigracion; nga emigracioni kanë ardhur për të votuar rreth 6 mijë veta, kryesisht burra. Nuk kanë mundur të vinë rreth 9 mijë veta, kryesisht gra dhe emigrantë të brezit të dytë dhe të tretë.

Festimi i fitores – “Uskana, Uskana, Uskana”

Mbrëmë, rreth orës 23.15, u bë i njohur rezultati zyrtar. Rezultoi fitorja e BDI-së. Filloi festimi spontan, meqë udhëheqësit e BDI-së nuk e dëshironin festimin euforik në qendër të Kërçovës, si masë preventive kundër ekceseve me votues maqedonas, të cilët sapo kishin humbur zgjedhjet. Sakaq popullsia, kryesisht të moshës së re, doli rrugëve të qytetit për të festuar fitoren. Parulla dominuese: “Uskana, Uskana, Uskana! – emër ky i vjetër i Kërçovës. Pasonin thirrjet për BDI, Ali Ahmetin, Fatmir Deharin. Flamujt kombëtar shqiptar skuqen rrugët, makina të shumta me boritë e tyre të pandërprera u rreshtuan karavan, fishekzjarrët, daullet dhe zyrlat oshetinin, vallëzimet dhe kënga nuk kishin të ndalur deri në orët e para të mëngjesit.

Disa prapaskena

Të shtunën, gjatë dite dhe në mbrëmje, autobusë pas autobusi sillte emigrantë nga Zvicëra, Gjermania dhe nga vende të tjera të Evropës Perëndimore. Nga aeroportet e Shkupit, Ohrit dhe përmes aeroporteve të Prishtinës e Tiranës vinin emigrantë nga Zvicra, Gjermania dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithandej vinin kryesisht burra. Lokalet e shumta në qendër të qytetit u ngulfaten kryesisht nga emigrantët. Aty po rinjiheshin njëri me tjetrin, sepse nuk ishin pa mes tyre shumë vite. Bisedat kryesore me vendorët ishin për ditën e nesërme, për vendvotime, mënyra të votimit dhe, sigurisht, për rezultatin që e shpresonin.
Bisedohej edhe për rolin që mund të luante gjithë ky emigracion në zhvillim të vendit. Njëri nga ata, i emigruar në vitin 1969 në SHBA, tha: “bashkë me dy vëllezërit, kam harxhuar rreth dy milionë euro për blerje të tokave, të cilat tashmë i kanë mbuluar therrat dhe për ndërtim të tre vilave në Vendlindje, të cilat shfrytëzohet vetëm gjatë vizitave të rralla, një herë në 3-5 vjet. Do të ishte mirë që Komuna, pas fitores së BDI-së, të krijonte drejtori për emigracionin, ku emigrantë do të mund të konsultoheshin dhe të merrnin informata dhe projekte për investime të kapitalit tonë.”

 

Shkruan: Ibrahim Kelmendi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu