Florim Limaj, i dyshuar për korrupsion, do të flasë kundër korrupsionit

0
1387

Prishtinë, 19mars – Florim Limaj, vëllai i ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, i cili është pjesë e një aktakuze për krim të organizuar dhe pastrim parash, është përzgjedhur të flasë si panelist për luftën kundër korrupsionit, në ditën e parë të punimeve treditore mes Qeverisë, institucioneve të Kosovës dhe Komisionit Evropian, që do të zhvillohet në Prishtinë, në kuadër të procesit të dialogut për Stabilizim – Asociim, shkruan sot “Koha Ditore”.

Punimet do të fillojnë sot dhe në këto takime pritet të ketë diskutime dhe raportime nga ana e institucioneve vendore lidhur me progresin e arritur në kuadër të agjendës evropiane.

Sipas agjendës së këtyre takimeve, pritet që të shtjellohen gjashtë tema kryesore, për të cilat janë ftuar të diskutojnë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, e që janë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, çështjet e brendshme, gjyqësori, të drejtat themelore, si dhe mbrojtja dhe respektimi i komuniteteve pakicë.

Florim Limaj pritet të diskutojë mbi politikat, kuadrin ligjor dhe institucional, progresin, si dhe sfidat që ka Kosova për të luftuar krimin e organizuar. Limaj, në cilësinë e anëtarit të Sekretariatit  për mbikëqyrjen e Strategjisë kundër krimit të organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të japë kontributin e tij në këtë takim edhe lidhur me luftën kundër krimit kibernetik, si dhe luftën kundër terrorizimit.

Limaj qysh nga nëntori i vitit që shkoi ishte përfshirë në hartimin e Projektstrategjisë kundër krimit në kuadër të MPB-së, dhe në po të njëjtën kohë ai po hetohej nga EULEX-i si i dyshuar për përfshirje në krim të organizuar në rastin e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT).

Më 16 nëntor të vitit 2012 ishte ngritur aktakuzë kundër ish- ministrit Fatmir Limaj për krim të organizuar dhe korrupsion, në të cilën ishte përfshirë edhe vëllai i tij, Florim Limaj, si dhe pesë të tjerë.

Veprat penale për të cilat akuzohen kanë ndodhur gjatë periudhave kohore mes viteve 2008 dhe 2010, ndërsa në lidhje me pastrimin e parave mes viteve 2009 dhe 2012, thuhet në një komunikatë shtypi të Misionit të BE-së për Zbatimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.

Të pandehurit në këtë rast, Fatmir Limaj, Florim Limaj, Demir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Gani Zogaj akuzohen, mes tjerash, për manipulimin e procedurave të tenderëve, dhënien dhe marrjen e ryshfetit dhe pengimin e mbledhjes së provave dhe dëshmive në lidhje me tre tenderë në MTPT për përfitime personale dhe/apo materiale. Dëmi ndaj buxhetit të MTPT-së llogaritet të jetë rreth dy milionë euro.

Rroksana Qarri, zyrtare për informim në MPB, lidhur me përzgjedhjen e Florim Limajt, për të diskutuar mbi luftën e krimit të organizuar në Kosovë, gjatë takimit me Komisionin Evropian, ka thënë se Limaj është caktuar “ex officio” (sipas detyrës zyrtare) si anëtar i Sekretariatit për mbikëqyrjen e Strategjisë kundër krimit të organizuar në MPB.

Qarri ka pohuar se Ministria e Brendshme nuk është e njoftuar zyrtarisht për ngritje të aktakuzës ndaj Limajt. “Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka pranuar asnjë informatë  zyrtare  që ndaj  Limajt është ngritur ndonjë procedurë  gjyqësore. Ne i përmbahemi Ligjit të shërbimit civil  Nr. 03/L-149 dhe nuk mund të bazohemi vetëm në  dokumente të institucioneve përgjegjëse”, ka thënë Qarri.

Qarri ka shtuar se qëllimi i këtij takimi është që të diskutohet dhe raportohet nga ana e institucioneve vendore rreth progresit të arritur në kuadër të agjendës evropiane, si dhe të arrihet pajtueshmëri për hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë për adresimin e çështjeve të ndryshme, sa u përket punëve të brendshme dhe sundimit të ligjit.

Ndërkaq në përgjigjen e Zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë, lidhur me këtë çështje, thuhet se përzgjedhja e përfaqësuesve dhe sqarimi i kësaj situate i takon Qeverisë së Kosovës. “I përket Qeverisë së Kosovës të caktojë përfaqësuesit e saj në organet e ndryshme, por edhe për të shpjeguar këtë në publik dhe te partnerët. Pra, ne sugjerojmë të përcillni pyetjen tuaj në organet përkatëse të Qeverisë”, thuhet më tej në përgjigje të Zyrës së KE-së.

Krahas Limajt për këto çështje janë thirrur për të kontribuuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Riza Shillova, këshilltari i ministrit për Punë të Brendshme, Fisnik Rexhepi, si dhe prokurori, Reshat Millaku.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu