Fogart: Takimi me Xhevdet Mustafën në Zelandën e Re

0
507

Auron Tare

28 shtator 1982.
Komunikata e Ministrisë së Punëve të Brendshme.


“Natën e datës 25 shtator 1982, zbriti në bregdetin tonë një bandë kriminelësh shqiptarë, të arratisur së bashku me banditin Xhevdet Mustafa. Në orën 6 të mëngjesit, banditët u diktuan dhe brenda 5 orëve u asgjësuan të tërë nga forcat e ndjekjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme

 

, njësi të reparteve të Ushtrisë Popullore dhe nga populli i zonës, ku desantuan kriminelët.


Pas likuidimit të bandës, u zunë një sasi armësh automatike e pistoletash të kompletuara me dylbi e pajisje të tjera, radio komunikuese, monedha në dollarë amerikanë, lireta italiane, lekë shqiptare, mjete të nevojshme për makiazh, veshje të ndryshme etj”


Rrëfimi i zbuluesit të Shërbimit Sekret Ushtarak të Zelandës së Re, Vincent Fogart, për përgatitjen e “bandës” që zbarkoi në Shqipëri në 28 shtator 1982. Njohja me Halit Bajramin në Aukland dhe shqiptarët e tjerë. Ndryshimi i atmosferës pas nëntorit 1981, takimi me Xhevdet Mustafën, propozimi për të shkuar në Itali ku do të vrisnin dikë dhe ndërhyrja e shërbimeve sekrete të Zelandës, Britanisë dhe SHBA-ve


Auron Tare


Në pranverën e vitit 1982, agjentë shqiptarë të zbulimit në Perëndim raportojnë Qendrën e tyre në Tiranë se një grup të arratisurish politikë po kërkonin të hynin në Shqipëri me qëllim kryerjen e akteve të sabotazhit dhe eliminimin fizik të liderit komunist Enver Hoxha. Megjithëse Policia Sekrete e asaj kohe duket se e ka marrë seriozisht këtë informacion ideja se regjimi i Hoxhës mund të rrëzohej me një bandë prej tre apo katër vetësh dukej sa naive aq edhe aventureske.


Në një vend ku Policia Sekrete kishte penetruar çdo segment të shoqërisë çdokush nga specialistët e zbulimeve të huaj e kuptonte fare mirë se përpjekje të tilla as që mendoheshin se mund të kishin sukses. Por… nëse dikush nga brenda ishte i interesuar për një vrasje politike të këtyre përmasave, një penetrim nga jashtë mund të sillte rezultatin e dëshiruar.


Regjimi komunist shqiptar në këtë moment ishte tronditur rëndë me vdekjen e Mehmet Shehut bashkudhëtarit të Hoxhës në rrugën e gjatë drejt pushtetit absolut. Askush nuk mund të dyshonte për rolin e Shehut dhe influencën e tij të jashtëzakonshme në jetën e shqiptarëve.


I fortë dhe me një shëndet mjaft të mirë për vitet e tij plot stres në drejtimin e gjatë të pushtetit ai konsiderohej pasardhësi i padiskutueshëm i Hoxhës. A i trembte vallë ky fakt njerëzit e lidhur ngushtë me rrethin e Hoxhës? A ishin ata, njerëzit të cilët e futën në kurth pasardhësin legjitim te Hoxhës?


Logjika të çon mjaft afër kësaj teze aq më tepër që vetë Shehu në letrën e tij të lamtumirës përmend “Jagot e Hrushovët”. Por çfarë lidhje do të kishte vrasja e Kryeministrit më jetëgjatë komunist dhe grupi i vogël i të arratisurve shqiptarë që një natë shtatori do të zbarkonin në brigjet e Divjakës? Nëse Shehu tashmë ishte larguar nga skena politike kush do të përfitonte nga një vrasje e mundshme e Hoxhës?


Nëse me të vërtetë ka pasur një skenar të qartë për eliminimin e Mehmet Shehut ky skenar nuk mund të mbaronte deri këtu.


Mesa duket në prapaskenat e politikës komuniste të kohës janë përvijuar qartazi dy grupe të fuqishme që luftonin heshturazi për vendin që do të mbeste shumë shpejt bosh nga një vdekje e pritshme e Hoxhës.


Nëse grupimi më afër Hoxhës priste me durim një vdekje natyrale të liderit komunist, grupimi i dytë i cili deri në ato momente kishte qenë një aleat i heshtur në luftën për eliminimin e Shehut nuk mund t’ia linte më në dorë të ardhmen e vet, vetëm fatit. Për këtë arsye një hipotezë mjaft e mundshme është se figura kryesore që kishte dominuar Policinë Sekrete prej vitesh të ketë kërkuar ndihmë nga jashtë.


Kjo hipotezë bëhet e besueshme nëse do të kemi parasysh faktin që për operacionin e ardhjes së grupit të Mustafës u shpenzuan fonde shumë të mëdha të cilat nuk mund të vinin dot nga buxheti i varfër i Shërbimit Sekret Shqiptar pa rënë në sy të palës tjetër e cila vigjëlonte për çdo detaj. Kadri Hazbiu, lideri legjendar i Policisë Sekrete i cili kishte eliminuar mjaft shokë të luftës, ishte njeriu me pozicionin me komprometues në të gjithë këtë histori.


Njohës i thellë i rrjetit të agjenturës shqiptare e cila prej vitesh ishte dërguar jashtë dhe operonte në radhët e diasporës, ai mund të ishte njeriu që mbante të gjitha fijet e mundshme të një operacioni të tillë. Sigurisht që pala kundërshtare ishte e aftë të operonte një skenar të ngjashëm për ta larguar njëherë e përgjithmonë Hazbiun nga fusha e lojës.


Por në të gjithë këtë histori të mistershme pyetja është- përse ata do t’i hynin një operacioni kaq të ndërlikuar dhe kaq të kushtueshëm për ta eliminuar Hazbiun i cili në dënimin e Shehut kishte qenë një protagonist nga më kryesorët?


Kush i pagoi për Mustafën 1 milion USD për nxjerrjen me kusht nga Burgu Federal i Neë Yorkut dhe a kishte mundësi zbulimi shqiptar të bënte operacione të tilla financiare pa rënë në sy? Përse një grup i vogël shqiptarësh në Zelandën e largët papritmas vendosin të vrasin Hoxhën pikërisht në dimrin e 1981 kohë kur fati i Shehut tashmë ishte në pikëpyetje të madhe?


A u dërgua kjo “bandë” në brigjet e Divjakës të cilat ruheshin nga kunati i Kadri Hazbiut për ta implikuar atë më vonë në këtë ngjarje? Apo banda erdhi pikërisht në këtë vend pasi një njeri i besuar duhej t’i priste atë natë? Përse njeriu i vetëm që i mbijetoi vrasjeve të ndodhura në Lagunën e Divjakës ishte i lidhur ngushtë familjarisht me Hazbiun?


Apo vallë kjo ishte një rastësi e fatit? Përse zbuluesit të Shërbimit Sekret Ushtarak të Zelandës, Vincent Fogarti, i është thënë se grupi i Mustafës do të penetronte shumë pranë Hoxhës dhe kishte marrë garanci nga një person i rëndësishëm nga brenda Shqipërisë i cili po përgatiste terrenin?Përgjigjja e munguar e këtyre dilemave sjell një hipotezë tjetër.


Mos vallë të dyja palët kanë kërkuar ndihmë nga Shërbimet e huaja për të eliminuar njëra-tjetrën? Përse vallë Shërbimi Jugosllav u akuzua për këtë ngjarje pa pasur ndonjë fakt konkret për implikimin e saj në këtë vrasje politike? Mos vallë të dyja palët e dinin se ishin Jugosllavët ata që po paguanin të gjitha faturat e një ndërmarrjeje kaq ambicioze?
Figura e Halit Bajramit, alias Aldo apo Aleks Bajrami është një pikë kyçe për zbërthimin e kësaj enigme.


Megjithëse deponimet e tij në Gjyqin e mëvonshëm kundër Hazbiut mund të merren me shumë rezerva dhe si të fabrikuara nga Policia Sekrete Shqiptare, përsëri nuk mund të mos shmanget hipoteza se Halit Bajrami me origjinë nga Mali i Zi, njohës i mirë i serbo-kroatishtes dhe partizan i çetës së Pezës mund të ketë qenë një agjent i dyfishtë.


I arratisur nga Shqipëria me një legjendë aspak bindëse, ai mund të ketë qenë rekrutuar shumë herët që në radhët partizane dhe ka qenë një agjent i heshtur në gjirin e diasporës shqiptare për llogari të zbulimit jugosllav. Afërsia e tij me rrethet Zogiste dhe roli i tij si agjent i zbulimit shqiptar mund të kenë qenë një mbulim i shkëlqyer për rolin e tij të vërtetë në shërbim të jugosllavëve.


Fakti që ai kishte njohje të ngushta me emigracionin jugosllav në Zelandë dhe kontaktet e tij me një personazh mjaft të dyshimtë që operonte në këtë emigracion mund të na çojnë drejt hipotezës se në fakt Halit Bajrami apo Aldo mund të jetë futur në lojë nga Jugollavët për të organizuar një “bandë” vrasëse kundër Enver Hoxhës.


Nëse Aldo me të vërtetë ishte një agjent i Zbulimit Shqiptar përse ai nuk ka raportuar për krijimin e kësaj “bande” në nëntor -dhjetorin 1981 por vetëm në Pranverën e 1982?

Hipoteza e mundshme se Halit Bajrami ka vepruar për llogari të jugosllavëve mund të na japë një këndvështrim të ri të kësaj ngjarjeje. Që Jugosllavët ishin përfituesit më të mëdhenj të kësaj historie kjo tashmë dihet nëse do të kemi parasysh ngjarjet në Kosovën e asaj kohe.


Megjithatë, misioni i vërtetë i kësaj “Bande” do të mbetet përsëri një mister pasi ndoshta edhe protagonisti i vërtetë i kësaj ngjarjeje, Halil Bajrami, nuk e dinte se kush ishte porositësi i vërtetë i grupit të “vrasësve” që zbarkoi në brigjet e Divjakës- Shefi i Policise Sekrete Kadri Hazbiu apo grupi i tij rival.


Unë kam lindur në Zelandën e Re. Kam kaluar një fëmijëri normale. U rrita në një fermë të madhe dhe shkova në qytet kur isha vetëm 16 vjeç. Në qytet kishim më shumë mundësi dhe babi kishte një kompani të prodhimit të plastikës.


Kështu që i vogël isha mësuar pranë makinerive.Kur mbarova shkollën babai u kujdes që unë të filloja një trajnim si specialist instrumentesh me precision të lartë si stampa apo vula. Kështu që në moshën 15 vjeç kisha një kontratë për specializim në këtë fushë.


Çdo mëngjez merrja autobuzin për të shkuar në punë. Tek stacioni i autobuzit ishte një repart ku rregulloheshin makina shumë të shtrenjta si Jaguar, Lamborgini, Porshe etj. Këtu takova Aldo Bajramin me të cilin më lidhi më tej pasioni për makinat. Kjo ishte në 1976 dhe në ’77 unë kisha miqësi të tillë me Aldon sa që pija kafe me të dhe takoja miq të tij shqiptarë.


Në mars 1980 unë hyra në ushtri vullnetarisht dhe aty stërvitesha shumë duke vrapur dhe ushtruar aktivitete të ndryshme për trupin. Isha shumë aktiv gjithashtu në gjuajtjet me pushkë. Kisha qëlluar me pushkë që i vogel në shkolle gati 12 vjeç.

Stërvitesha me pushkë në ekipin e shkollës dhe isha shumë aktiv dhe kompetitiv. Ato ku unë u dallova ishin ushtrimet e inteligjencës të cilat përcaktonin se si ti mendoje. Ndërsa në gjuatjet me pushkë isha nga më të mirët.


Në gjuajtjet snaiper mundja këdo. Ushtria më kërkoi që unë të bëhesha specialist i armëve. Problemi ishte që unë vazhdoja të isha nën kontratën në firmën ku punoja më përpara.


Kështu që më regjistruan në forcat territoriale por jo me kohë të plotë dhe më thanë që të punoja me armët. Nuk pranova dhe atëherë ushtria më ofroi vendin e vetëm që ishte vakant në Divizionin e Inteligjencës Ushtarake. Zbulimi ushtarak në Kompaninë C ishte vendosur në zyrat e një godine të madhe në qendër të qytetit të Aukland.

Pra ju u pranuat në zbulimin ushtarak?


Po në zbulimin ushtarak i cili është përgjegjës për sigurinë kombëtare.Unë e pranova këtë dhe iu thashë eprorëve të mi se po më pëlqente shumë kjo ofertë. Aleksi ishte i lumtur të më shikonte përsëri dhe të dëgjonte që kisha dalë shumë mirë në testet ushtarake.


Ishte shume i lumtur që unë do të punoja për Drejtorinë e Inteligjencës ushtarake. Kështu në njëfarë mënyre u ktheva në rutinën time. Shkoja në punë dhe pas pune ndihmoja Aleksin në punishten e tij dhe çdo gjë ishte shumë normale.

Tashmë ju ishit pjesë e Zbulimit ushtarak? Ishte Aleksi i kënaqur me këtë?


Po po shumë.

A mendoni se ndoshta ai po përpiqej të të rekrutonte? Të kishte dikë në radhët e zbulimit ushtarak?


Në atë kohe unë isha i ri. Tani nëse shikoj mbrapa them se po.

Aq më tepër tani që dini më shumë për të?


Absolutisht po.

Gjatë kohës që ju filluat të shërbenit në zbulimin ushtarak po zhvillohej edhe Lufta e ishujve Folkland midis Anglisë dhe Argjentinës, ndoshta Aleksi kërkonte të dinte më shumë?


Në atë kohë e shikonim luftën në Folkland në televizor.Më kujtohet që Zelanda në atë kohë kishte vetëm dy kanale. Unë vija të hënën për shembull dhe i thoja: “Aleks britanikët mbytën “Bellgranon”. Ai më thoshte: “Me të vërtetë?”.


“Po- i thoja- një nëndetëse nukleare mbyti Bellgranon, sapo na erdhi lajmi”. Dhe në darkë ai e dëgjonte këtë në lajme. Kështu që ai e dinte që unë kisha informacione.


Po kështu kur SAS apo Njësia Speciale apo njësia elitare parashutiste 42 ndërmernin veprime kundër forcave argjentinase unë kisha informacione mbi këto operacione. Ky informacion na vinte në teletajp zakonisht i koduar në linjat e inteligjencës. Ai kishte një ide të qartë se çfarë bëja unë.

Pra ai kishte një ide të qartë se ju ishit i përfshirë në zbulimin ushtarak?


Po sigurisht dhe që unë kisha informacion. Megjithatë shumë gjëra une nuk ia thoja. Duhet të kisha kujdes por nëse e dija që lajmi do botohej në gazeta kisha dëshirë që t’ia thoja më përpara. Ai më thoshte: “Hej e pashë në TV atë që më the, ishte e saktë ajo që më the”.

Çfarë ndodhi më pas? Ju më thatë që ai njeri papritmas ndryshoi? Kur e ndjetë ju që ai ndryshoi?


Unë mora me qera një ambient ngjitur me ofiçinën e Aleksit dhe kështu filluam të punonim së bashku. Kjo ishte në 1981. Çdo ditë e shikonim njëri-tjetrin.Shpesh herë pinim edhe kafe.Miqtë e tij shqiptarë vinin shpesh bisedonin në shqip me njëri-tjetrin dhe bisedonin edhe me mua.


Diku rreth muajit nëntor 1981 isha në dyqanin e Aleksit kur pashë që Fred Kaceli, Bon dhe Aleksi ishin në kuzhinë.Unë në pjesën e punishtes duke folur me punëtorin e Aleksit një djalosh me emrin Alfonso. Munda të dëgjoj bërtitje dhe zërat e lartë të cilat dëgjoheshin deri jashtë. Pashë që ata përplasnin grushtat në tavolinë dhe hynin dhe dilnin nga kuzhina.

Pra ishte nëntori 1981?


Po e saktë nëntori 1981. Këtu unë pashë një ndryshim tek Aleksi. Dukej sikur ishte shumë i preokupuar, sikur mendonte gjithë ditën shumë serioz. Në nëntor gati çdo dy tre ditë ata vinin dhe flisnin me njëri-tjetrin.

A mund të thoni që kishte debat mes tyre?


Do të doja shumë të kuptoja shqip që të merja vesh se çfarë bisedonin. Por fatkeqësisht nuk dija shqip. Më dukej sikur i bënin leksion njëri-tjetrit. Aleksi fliste për 10 minuta. Pastaj fliste Fredi. Pastaj Boni. E dëgjonin njëri-tjetrin sikur i shpjegonin njëri-tjetrit diçka. Nuk e ndërprisnin njëri-tjetrin.


Unë nuk doja të përzihesha pasi mendova se diçka e rëndësishme po ndodhte. Në Dhjetor të atij viti kishim bileta nga një miku ynë për garën e Grand Prix, gara e Zelandës. E mbaj mend mirë pasi gara e Grand Prix mbahet midis Krishlindjeve dhe Vitit te Ri.

Jeni i sigurtë për këtë?


Po midis Krishlindjeve dhe Vitit të Ri. Dhjetor 1981. Unë shkova në gara me Aleksin pasi një miku ynë garonte.Ishte një ditë e shkëlqyer. Pas garës Aleksi më thotë” Vincent a e ke pasaportën në rregull? E ke të vlefshme?


I thashë po sigurisht po pse? Mund të shkojme diku më tha. Më duhet ndihma jote.Në atë moment mendova kush isha unë që të mos ia jepja ndihmën time? I thashe më thuaj çfarë të duhet. Më tha më duhet ekspertiza jote dhe vazhduam të ecnim.


Po i thashë, asnjë problem. Më tha më duhet që ti të fillosh sa më shpejt të blesh materiale. Nëse të duhen lekë më thuaj. Kështu që unë bleva tuba alumini dhe materiale të tjera që përdor për silenciatorë. Me këtë u mora gjithë janarin. Çdo gjë që më duhej Aleksi e blente.


Kështu që fillova punën duke bërë silenciatorët por nuk po bëja dot kanalet tek tubat pasi Aleksi nuk më tregonte se çfare kalibri do të kishin armët,. 22 mm, 9mm, 45 mm.

Mendonit se kishte diçka që nuk shkonte teksa Aleksi të kërkonte të bëje silenciatorë për të?

Shikoni sigurisht që doja ta pyesja por duhet të më kuptoni edhe mua.Unë e di kur të flas dhe kur jo, e di kur ti fillon të flasësh më shumë se ç’duhet

Por ju kishit dyshime apo jo?


Sigurisht qe po. Seriozitetin e madh që po ndodhte e lidhja me situatën e nëntor-dhjetorit dhe tashmë ishim në janar. Ndërkohë Dino Haznedari vjen nga Italia. Unë e kisha takuar dhe ai ishte një njeri me sjellje dhe veshje të përkryer.


Për herë të parë që shihja kostume Armani ishin të Dinos. Byzylyke dhe unaza të shtrenjta Dino, thonjtë i kishte të përsosur dhe dukej që bënte manikyre. Ishte perfekt.


Ky njeri dukej sikur nuk kishte bërë asnjë punë të rëndomtë në jetën e tij. Aleksi ma prezantoi dhe më shpjegoi se ai ishte tregtar dhe përfaqësonte shumë kompani italiane si “Tartarini” që shiste pajisje që konvertonte gazin, pajisje ushqimore për furra, pajisje rafinerie, etj.


Ai shkonte shpesh në Lindjen e Mesme, Arabi Saudite, Bahrein, Kuvajt, dhe shiste pajisje. Unë u gëzova që e takova këtë person dhe Aleksi më tha që ky mund të të ndihmojë në biznes. Diku në mars apo prill nuk më kujtohet saktë Aleksi më prezantoi dikë që quhej si Xhevdet. Unë nuk e kuptova mirë emrin, por ai më zgjati dorën dhe më tha-më thërrit Billi.


Ndoshta menduan që unë nuk e shqiptoja mirë emrin Xhevdet. Më vonë e mora vesh që ai ishte Xhevdet Mustafa. Ai qëndroi në shtëpinë e Aleksit dhe vinte çdo ditë tek ofiçina.


Një ditë më erdhën dhe më kërkoi, pasi Aleksi e dinte që unë kisha lidhje me një kompani diamantesh, që miku im Billi do të shesë disa gurë. Bëra disa telefonata dhe pyeta nëse një miku im mund të vinte të shiste disa gurë diamantë. Me makinën e Aleksit shkuam në qytet dhe takuam personin e kontaktit tim dhe i treguam diamantet.


Personi pasi i mori gurët dhe i pa mirë më tha që këto gurë duhet të jenë marrë nga diku pasi kanë akoma papastërti. I thashë që nuk janë të mijtë dhe ai i organizoi ato sipas ngjyrës etj. I tha çmimin në dollarë zelandezë Xhevdetit, por Xhevdeti donte vetëm dollarë amerikanë. Gurët kushtonin shumë diku tek 40 mijë dollarë amerikanë.


Në 1981 këto ishin shumë para. Një grua që punonte për kompanine i solli paratë nga banka pasi Xhevdeti donte vetëm kesh dhe nuk pranoi as çek që ata i ofruan.


Pas kësaj ai iku nga Zelanda por më kujtohet që më dha kartëviziten e tij ku thoshte “May Import-Eksport” në Staten Island në Neë York.


Para se Mustafa të vinte në Zelandë, Aleksi kishte shkuar në Neë York. Se përse nuk e di por ai iku papritur. Një të diel në mëngjez më mori nga Neë York dhe më tha: “Vincent unë do kthehem shpejt këtë javë”. Unë nuk e dija që kishte ikur. Më tha që do të shpjegoj sa të vij. “Ai udhëtimi që të kam thënë do të ndodhë. Vazhdo punën”.

Ndërkohe a kishit ju dyshime për çfarë po ndodhte?

Sigurisht që në këtë kohë unë mendova se diçka e rëndësishme po planifikohej. Aleksi erdhi nga New York dhe menjëhere ai u shfaq në dyqanin tim të vogël dhe pasi mbylli derën më tha – bëhu gati do shkojmë në Itali. Do të vish me ne dhe ne do të të paguajmë për ndihmën tënde.

Kur ai të thoshte në, kush ishin këta NE?


Unë nuk e pyesja kush ishte NE unë vetëm dëgjoja. Më pyeti- a je në rregull me këtë gjë? Në rregull- i thashë.

Ju ofruan para dhe nëse po sa do të të paguanin për të marrë pjesë në këtë operacion?


100 mijë USD. Sigurisht që u influencova nga kjo. 100 mije USD në atë kohë ishin shumë. Nuk e dija se si do ta shpjegoja këtë por gjithsesi isha i kënaqur. Përsëri në atë kohë e pyeta për kalibrat e armëve por më tha që do t’i bënim në Itali.


Më tha që të sjell çdo gjë që më duhej. Unë nuk e dija që ata ishin përpjekur të blenin armë në atë kohë po kështu nuk e dija që nuk i gjenin dot armët.

Kur ishte momenti që e raportuat këtë operacion tek eprorët tuaj të zbulimit?


Pas kësaj kërkese. Kur e pyeta se përse duheshin armët më tha që duhet të eliminojmë dikë. Duhet të vrasim dikë.I thashe ne rregull dhe nuk doja te shfaqja dyshime.


E kuptova që ishte çështje shumë serioze pasi ky njeri që unë kisha punuar për disa vjet dhe e njihja mirë tani më kërkonte të vrisnim dikë. Më shpjegoi diçka që personi që do vrisnim kishte bërë disa gjëra shumë të këqija.


I kishte vrare disa njerëz të familjes i kishte torturuar apo futur edhe në burg. Mendova që kishte arsye pse donte ta vriste. Sigurisht e besova pasi se nëse dikush vriste dikë nga familja ime unë do bëja të njëjtën gjë megjithëse nuk vij nga kultura shqiptare.


Mbaj mend që më tha: “Vincent tashmë jam 56 vjeç nuk jam më i ri dhe dua të më ndihmosh me disa gjëra, p.sh. blesh disa radio ushtarake etj.”. “Po- i thashë -i njoh mirë këto gjëra”.


Në këtë kohë unë shkova në zyrën e zbulimit ushtarak dhe i kërkova shefit tim të më vinin në lidhje me Shërbimin Sekret SIS. Për ta kuptuar SIS është Shërbimi Sekret i cili merret me sigurinë e Zelandës ashtu si M I6 britanike apo CIA, KGB apo Mosadi Izraelit.


Janë i njëjti nivel. Pas një telefonate ata më dërguan një oficer të ri i cili erdhi dhe më takoi. Jo ai që prisja unë, por në këto punë çfarë mund të presësh? Me këtë oficer takoheshim gjithmonë në një Motel por asnjëherë në zyrë.


Më merrnin në makinë dhe shkonim në takim. Aleksi nuk kishte asnjë dijeni për këto takime. I shpjegova oficerit të SIS që një grup shqiptarësh më kërkojnë që t’i trajnoj dhe t’iu përgatis armatime për të vrarë dikë.Ku më pyeti, në Zelandë? Jo i thashë në Itali.


Por nuk jam i sigurtë që është Italia ose një vend tjeter. Më pyeti sa vetë janë dhe iu thashë që janë tre vetë nga Zelanda dhe një nga Italia dhe një nga Amerika. Më tha që do fliste me shefat e tij. Pas një jave erdhi dhe më mori për dreke dhe shkuam në motel.


Në dhomë ishte shefi im Kreg nga SIS, një oficer britanik i MI6 i cili vinte nga ambasada britanike dhe një oficer i CIA i ambasadës amerikane në Aukland.


Unë munda të kuptoj disa gjëra aty flitej vetem me emra pa mbiemra. Kreg ishte me xhinse dhe këmishë, oficeri britanik me kostum, ndërsa amerikani me pantallona dhe xhaketë normale.


Më kërkuan t’iu thoshja atë që dija. Qëndruam për një kohë të gjatë duke folur. Oficeri britanik kishte disa pyetje pasi Aleksi më kishte kërkuar që të merja një vizë jugosllave dhe britanike.


Më duket se atëherë një vizë jugosllave kushtonte 28 dollarë dhe ai pagoi me çek. Viza jugosllave më erdhi me postë ndërsa vizën britanike e mora ne Aukland. Oficeri britanik më pyeti se ku do shkonim?


Ju thashë në Itali, do fluturojmë në Rome po nuk e di çfare do bëjmë më shumë po e di që do vrasim një person. Kush do ta vrasë më thanë? Ti? Ju thashë që nuk e di nëse ata duan që unë të qëlloj, por jam i sigurtë që këta persona nuk dinë të gjuajnë me armë. Janë lopçarë nuk dinë të gjuajnë me armë. E dija që kishin aftësi të kufizuara për të gjuajtur.


Për shembull Aleksi nuk kishte qëlluar që kur kishte qenë partizan në luftë. As Dino dhe as Kaceli nuk dinin të qëllonin me armë. Edhe Mustafa nuk më dukej me eksperiencë. Unë e kuptoj mirë se kush ka eksperiencë nga mënyra se si e mban armën dhe si e përdor atë. Unë e kuptoj nëse ke mbajtur armë apo jo duke parë sa i sigurtë je me armën.


Shefi im i pyeti të tjerët se çfarë mendonin. Oficeri i CIA-s më tha:-“Shumë mirë bëre, do të jetë një shmangie vëmendje nga ajo që po përgatisim”. Sepse më mbeti në mendje kjo frazë.

Domethënë ju dhanë pëlqimin e tyre për këtë mision?


Oficeri britanik më tha që t’i mbaja në kontakt të vazhdueshem duke na informuar për çdo gjë. Çdo gjë e vogël që do të ndryshojë nga plani na thuaj menjëherë më porositi ai. Nëse mëson se kush është shënjestra, ku do të bëhet atentati na thuaj menjëherë. Përpiqu të na tregosh dhe të na mbash në kontakt.


Si ta bëj këtë – pyeta? Më thanë që të shkoja në Ambasadën e Zelandës dhe të merrja kontakt me oficerin e sigurimit. Kreg do ta njoftojë atë menjëherë por kujdes se mund të të përgjojnë. Më thanë një kontakt telefoni me oficerin e Shërbimit Sekrete SIS në Romë. Kjo ishte çka më thanë dhe në një farë mënyre më dhanë bekimin e tyre. Sigurisht që ne dyshonim se operacioni përgatitej për në Shqipëri.


Në fakt më pyetën nëse do ishte Shqipëria por unë ju thashe që nuk më thonë vendin. Kjo drekë më bëri përshtypje se SIS nuk para harxhon para. Janë kopracë ndërsa atë ditë meqenëse ishte oficeri i CIA-s shtruan një drekë sigurisht jo formale dhe mjaft të këndshme.


Ndërkohë unë u përgatita për çdo gjë deri në pikën që nuk kisha se çfarë të bëja më. Përgatita patentën ndërkombëtare, mora çertificatë për zhytje pasi e pyeta Aleksin nëse do bënin zhytje. Unë doja të zbuloja informacione. Por Aleksi nuk më tregonte asgjë. Ishte shumë i zgjuar.

Ndoshta ai dyshonte se ju po informonit Shërbimin Sekret të vendit tuaj?

Unë nuk i thashë asgjë atij për takimin tim por ai edhe mund të dyshonte. Me pa një herë që dikush më mori me makine para dyqanit por tani që kam mësuar më shumë për Aldon mendoj se po ai kishte dyshime.


Diku në korrik apo gusht Fred Kaceli, manaxher i një klubi nate erdhi në dyqanin tim me një çantë të Linjës Ajrore Singapor.


Fredi më zgjati çantën ku brenda ishte një biletë avioni dhe 1 mijë dollarë zelandezë në cash. Më tha: “Ja ku e ke bileten dhe ca para per shpenzime”. Unë ndërkohë mora në telefon njerëzit e Sherbimit dhe iu thashë- jemi gati për nisje. Në 16 gusht shkova në aeroport.


Nuk pashë njeri në radhë por kur hyra në avion e pashë Aleksin në një radhe tjetër, Fredin në një radhe tjetër dhe kështu që nuk folëm fare me njëri-tjetrin. Sa arritëm në Singapor ata erdhën dhe më takuan tek dalja. Shkuam në Hotel “Singapura”. Ishim të tre në një dhomë dhe e kujtoj mirë që ata gërhisnin shumë. Mbeta pa gjumë gjithë natën.


Ditën tjeter pasi hengrëm mëngjez, morëm një taksi dhe më thanë që duhet të shkojmë të blejmë disa radio marrëse-dhënëse. Singapori ishte i njohur për cilësinë e pajisjeve elektronike. Kontrollova disa dyqane deri sa gjeta një dyqan me pajisje profesionale. Më kujtohet që ishin radio izraelite. Po kështu blemë disa dylbi. Shkuam në Hotel dhe atë natë duhet të ketë qenë data 17 u nisem nga Singapori për në Romë.


E mbaj mend që avioni u ul në Bahrein për tu furnizuar. Ishte një udhëtim i gjatë gati 18 orë. U ulëm në aeroportin e da Vinçit. Më ra në sy diçka shumë e çuditshme. Unë kisha vula për çdo vend që kisha shkuar përveç Italisë. Në Romë pasi morëm valixhet pashë që askush nuk na kontrolloi megjithëse kisha në valixhen time silenciatorët si dhe pajisje të tjera.

Ju vulosën pasaportën në aeroport?


Jo askush nuk më vuri vulë në pasaportë. Shumë e çuditshme. Jashtë na priste Dino me makinë. Ai na bëri një xhiro nëpër Romë dhe pastaj morëm autostradën që shkon në Foxhia.


Diku hëngrëm drekë dhe pastaj u drejtuam për në Bari pastaj Brindizi dhe Leçe. Unë nuk e kisha idenë fare se ku po shkonim pasi isha i lodhur. Më në fund arritëm në San Foka. I pyeta, këtu do rrimë?


Do rrinim në një vilë të madhe diku rreth tre kilometra në një fshat të vogel turistik ku ishte një si ndërtesë moderne. Kam edhe një foto me vete. Kështu që shkuam në këtë vilën moderne e cila kishte dy dhoma. Ne e gjetëm Mustafën aty. Mendova se pasi kishte ikur nga Zelanda kishte ardhur në Itali tek Dino dhe qëndronte aty.
(Vijon)

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu