Fondi për veriun, vulosja e autonomisë

0
737

(E plotësuar) Nëse është e vërtetë ajo që e thotë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, se të hyrat në pikat doganore në veri (1 dhe 31) do të krijohet në një fond i veçantë që do të shfrytëzohet vetëm për nevojat e serbëve në veri, atëherë marrëveshja e djeshme në Bruksel, ka legalizuar autonominë për veriun.

Kështu të paktën mendojnë përfaqësuesit e opozitës, por edhe analistët politikë të Kosovës. Sipas tyre, fondi i veçantë për veriun, tejkalon kompetencat e Prishtinës zyrtare dhe legalizon atë që quhet ekstraterritor. Mirëpo, kryeministri Hashim Thaçi ka mohuar se fondi do të krijohet nga të hyrat në veri. Madje Thaçi ishte optimist se me marrëveshjen e djeshme edhe strukturat paralele në veri kanë marrë fund.

Sidoqoftë, për të qartësuar këtë marrëveshje, opozita kërkon nga kryeministri Hashim Thaçi, që të raportojë në Kuvend për detajet e marrëveshjes së fundit, pasi që deklaratat e tij dhe të homologut serb janë shumë kontradiktore.

Kryeministri Thaçi ka njoftuar se nga dita e premte (dje) doganat e Kosovës do të paguhen njëjtë në katër pikat kufitare, përfshirë edhe në pikat 1 dhe 31 në veri, sipas ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës. Kurse kryeministri serb Daçiq ka njoftuar se paratë e mbledhura nga doganat në veri do të mblidhen në një fond, që do të themelohet nga Bashkimi Evropian dhe ato do të shfrytëzohen vetëm për veriun e Kosovës.

Daçiq po ashtu një ditë pas takimit, të premten ka hedhur poshtë deklaratën e Thaçit, se Beogradi ka pranuar të heqë strukturat ilegale serbe nga veriu i Kosovës.

 

E për të gjitha këto deklarata kontradiktore, akuzohet edhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i bisedimeve, e cila nuk ka bërë të qartë detajet e marrëveshjeve.

Me një komunikatë me pak fjalë, zyra e baroneshës Catherine Ashton ka bërë të ditur se vetëm është arritur një marrëveshje e përkohshme për mbledhjen e taksave doganore, taksave tjera dhe TVSH-së. Si dhe është paralajmëruar se muajin shkurt do të jetë takimi i radhës.

Fondi për veriun, vulosja e autonomisë

Shpend Ahmeti, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se krijimi i një fondi të veçantë për veriun, është treguesi më i mirë për një autonomi për serbët në veri.

“Kjo ka qenë edhe frika jonë qysh nga fillimi i këtyre bisedimeve. Në këtë takim është akorduar se të gjitha doganat që do të mblidhen në veri, do të shkojnë në një fond të veçantë zhvillimor për veri, e kjo na dëshmojë se tashmë ka nis të krijohen bazat e para të një autonomie për këtë pjesë të Kosovës”, tha Ahmeti.

Kurse Ismet Beqiri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon nga kryeministri Thaçi që sa më parë të paraqitet në Kuvendin e Kosovës për të shpalosur detajet e marrëveshjeve. “Kryeministri Thaçi e ka për obligim që të raportojë në Kuvend dhe të na njoftojë rreth marrëveshjeve. Ne nuk mund të flasim sipas asaj që është thënë nëpër media”, tha shkurti Beqiri për “Zëri”.

Nexhmedin Spahiu, analist politik, thotë se nëse është e vërtetë kjo që e thotë Daçiq, atëherë kjo i bie që veriu i Kosovës të jetojë në kurriz të pjesës tjetër të Kosovës, dhe kjo nuk guxon të ndodhë.

“Me këtë i bëhet diskriminim shumicës së vendit. Derisa taksat e kosovarëve shpërndahen gjithandej edhe për serbët e veriut, atëherë pse të ardhurat që krijohen nga doganat në veriu të i merr vetëm pjesa e veriut. Kjo ndarje nuk guxon të ndodhë”, tha Spahiu.

BE po ofendon qytetarët e Kosovës

Adrian Arifaj nga Instituti KIPRED, thotë se komunikata e lëshuar nga BE është një ofendim për qytetarët e Kosovës, pasi që aty janë vetëm disa rreshta, pak fjalë e asnjë sqarim. Sipas tij, BE këtë po e bën me qëllim, sepse po i konvenon.

“Kështu BE më lehtë po i shet marrëveshjet, duke lejuar që secilës palë të interpretojë marrëveshjet sipas qejfit të vet. Kjo është një mos respekt për qytetarin sepse këtu bëhet fjalë për Kosovën për jetët tona”, u shpreh Arifaj, duke mos dashur që të komentojë marrëveshjet për shkak se ato janë akoma të pasaktësuara.

Analisti tjetër, Behxhet Shala thotë se BE është ajo që punët i kryen para takimeve, marrëveshjet i bën para takimeve, pra për ato nuk pyetet as Kosova e as Serbia, por vetëm BE. “Dhe BE me qëllim lejon që palët të interpretojnë marrëveshjet sipas dëshirës së vet, ku secila palë e paraqet veten si fitues dhe kjo u siguron atyre një qetësi në vendin nga vijnë, pra që të mos komprometohen para qytetarëve të tyre”, tha Shala.

Duke folur për fondin për veriun, Shala tha se kjo ka qenë edhe prej fillimit qëllimi i Serbisë, sepse nëse ata do të pranonin që të hyrat nga veriu të derdhen në buxhetin e Kosovës, automatikisht do të pranonin realitetin e Kosovës.

“Unë e kam thënë edhe para disa viteve dhe e them edhe sot, se veriu definitivisht po shkon drejt një statusi special, e kjo tashmë po shihet”, shtojë ai.

BE dhe Prishtina hesht

Maja Kocijancic, zëdhënëse e baroneshës Ashton, nuk ka dashur të shtojë asgjë më shumë se ajo që është thënë në komunikatë. Ndërsa zyrtarë të Prishtinës, nuk kanë komentuar fare deklaratat e Daçiqit lidhur me fondin. Ata nuk kanë komentuar as lidhur me deklaratën e kryeministrit serb, i cili e mohon deklaratën e Thaçit se Beogradi do të nis largimin e strukturave të sigurisë në veri.

Në një prononcim për media serbe B92, Daçiq thotë: “Nuk është e vërtetë që kemi filluar largimin e forcave tona në veri. Ne kemi filluar bisedimet se si duket veçantia, pozita speciale e popullit serb në Kosovë në situatën kur nuk flitet për statusin final”. Ai madje ka shtuar se institucionet serbe në Kosovë, janë institucione të Serbisë, dhe ato edhe do të njihen edhe nga Prishtina.

 

Nga Besiana Xharra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu