Fotaq Andrea: Zbulohet portreti i rrallë i Skënderbeut

0
1140

Jeta e arbëreshëve në Itali që nga viti 1413 deri në vitin 2007 vjen e përmbledhur në një antologji të vetme, që mban autorësinë e Fotaq Andreas. Libri në fjalë, që shpërfaq 7 shekuj jetë të shqiptarëve të përtejdetit, do të promovohet në Muzeun Historik Kombëtar të premten më 4 maj, ora 18:00, me ç’rast çelet edhe ekspozita “Shpirti i Arbrit në shekuj”. I ardhur me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në kuadrin e programeve të Ministrisë së Kulturës dhe nën përkujdesin e prof. Luan Malltezit, libri sjell një këndvështrim sa historik, aq edhe enciklopedik, shkencor e kulturor. Autori Fotaq Andrea shkruan në parathënie se ideja për hartimin e kësaj antologjie u hodh dhe u ndoq nga afër nga prof. Francesco Altimari, profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, dhe i filologjisë arbëreshe, pas çeljes së ekspozitës me gravura të vjetra “Shqiptarët në shekuj” në fund të muajit maj 2009 në Kozenca.
Boshti kryesor i antologjisë është sipas Andreas vlera e mirëfilltë shqiptare zhvendosur historikisht në Apenine, kryesisht në Kalabri e Sicili, ku ndodhet pjesa më e madhe e ngulimeve arbëreshe. “Figura e stradiotëve shqiptarë, me kapelën e tyre historike ‘albanua’, tek shtrëngonin radhët rreth prijësve të tyre, do të shkëlqente në kalorësinë e lehtë italiane e evropiane, si dhe në gardat e mbretërive të Evropës, duke nxjerrë nga gjiri i tyre emra të shquar kapedanësh shqiptarë, Mërkur Buan me shokë, gjer te gjeneralizimi Gjergj Basta, strategu i hartimit të Traktatit evropian të Kalorësisë së lehtë”, – shkruan Andrea, teksa kërkon të nxjerrë në pah vlerat e këtyre shqiptarëve. Sipas tij, figura të shquara arbëreshe, si piktorët e famshëm të Rilindjes Italiane, Alban, Karpaçi, Bazaiti, do të rreshtoheshin përkrah filozofit L. Tomeu dhe poetit M. Maruli, anëtarë të Shkollës shqiptare të Venedikut “Santa Maria degli Albanesi”, themeluar që më 1442. “Këto figura do të vendoseshin kështu në altarin e nderit të Rilindjes italiane, ashtu sikurse do të vendoseshin më pas në altarin e shenjtërisë edhe vetë papa shqiptar Klementi XI dhe kardinalët Albani”, – shkruan Andrea, ndërsa vëren se në rrjedhë të historisë italiane, arbëreshët shihet të shtrëngojnë radhët rreth Garibaldit për pavarësinë dhe bashkimin e Italisë, si dhe të nxjerrin nga gjiri i tyre politikanin dhe dy herë kryeministrin e Italisë Francesco Cripsi. Arbëreshët sipas Fotaq Andreas përfaqësojnë anën më shpirtërore edhe si një nxitje për veprim, për të bashkuar energjitë në ndihmë të Shqipërisë. Si një syresh përmendet Jeronim De Rada me “Milosaon” dhe veprat e tjera që do të ngacmonte vëmendjen dhe ndjeshmërinë e personaliteteve të shquara të Evropës për t’u interesuar nga afër për fatin shqiptar, nga Lamartini e nobelisti i ardhshëm Mistral e gjer tek Louis Benloew, Dora d’Istria e Legrand, por ai do të vendoste lidhje të fuqishme me vetë patriotët shqiptarë të shekullit XIX, duke e bërë Rilindjen arbëreshe pjesë përbërëse e të fuqishme të vetë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kësisoj, energjia arbëreshe do vihej në themel të zgjimit kombëtar, për të shkundur vargonjtë e pushtimit, drejt një Shqipërie të pavarur.
Vepra
Autori shënon në parathënie se antologjia “Arbëreshët e Italisë” përfshin shtatëdhjetë e pesë autorë dhe burime franceze, përzgjedhur si për tematikën e veçantë të shkrimit, për të dhënë një kuadër sa më të gjerë të botës arbëreshe, ashtu dhe për analizën e dukurive historike, etnografike, gjuhësore, artistike, etj. që ka shoqëruar procesin e shpërnguljes e të vendosjes së kësaj diaspore shqiptare në Itali, duke mbuluar një periudhë historike prej mbi shtatë shekujsh. “Përfshihen në të mbi treqind e pesëdhjetë ilustrime, edhe këto me tematikë të gjerë, që nga portretet e figurave historike, gjer te peizazhet, kostumet, madje dhe faksimile dorëshkrimesh të fushës epistolare. Është përcaktuar simbolikisht viti 1413 si pika e parë e kontaktit të Arbrit me Venedikun dhe Italinë, vit kur i është lëshuar diploma e qytetarit venecian Gjon Kastriotit, të atit të Skënderbeut”, -sqaron Andrea. Portreti i Heroit Kombëtar, si figura qendrore e shpirtit shqiptar, epirot dhe arbëresh, gjen mishërimin e vet në një mori autorësh, qoftë studiuesish, qoftë artistësh, dhe për herë të parë botohet këtu një portret i Skënderbeut nga Giorgione, i cilësuar ky si piktori i parë i madh venecian i Cinquecento-s italiane. Fotaq Andrea shkruan se “kriteri themelor i ndërtimit të veprës është kriteri tematik, mbi bazën e kronologjisë historike (dhe jo koha kur është hartuar shkrimi nga ana e autorit). Vepra është ndërtuar në tre pjesë: Pjesa e parë – shekujt XV-XVII; Pjesa e dytë – shekujt XVIII-XIX; dhe Pjesa e tretë – shekulli XX e në vijim”. Ndërsa pjesa e parë shërben si një prelud për krejt veprën, ku figura e Skënderbeut në Itali dhe pushtimi otoman i vendit pas vdekjes së tij pasohen nga përpjekjet për të rifituar pavarësinë, pjesa e dytë përbën kockën e fortë të vëllimit. “Ata janë punëtorë, mikpritës… dinë si të respektohen prej hordhive të egra, ndaj të cilave ruajnë gjithnjë vigjilencën. Bashkimi dhe qetësia që sundojnë ndër ta (Arbëreshët), duhet të shërbejnë si model për vendin që u ka dhënë strehë”, – shkruan Duret de Tavel, Kalorës i Legjionit të Nderit të Francës. Andrea sqaron se udhëpërshkrues, shkrimtarë e studiues të tjerë të shquar francezë, si Houel, Malte-Brun, Didier, A. Dumas, Lejean, M. Du Camp, etj. pleksin penën e tyre me penelin e piktorëve të shquar si Corot, Deveria, Magaud, për të kristalizuar figurën e arbëreshëve, në mjedisin e tyre, me doket e zakonet që kanë.
Letërkëmbimi
Vlen të përmendet letërkëmbimi i zbardhur në libër, ku veçohen letrat mes Lamartinit dhe Mistralit për De Radën, si dhe korrespondenca e tij me mjaft filologë të shquar francezë. Andrea vëren se në këtë pjesë të Antologjisë, dalin në pah portrete figurash të mirënjohura arbëreshe, si Francesko Kripsi dhe At Mateo Liberatore. Autori i antologjisë ka vënë në libër edhe një studim interesant mbi gjuhën shqipe të Princit L.L.Bonaparte të vitit 1884, “Arbëreshët në Terra d’Otranto”. “Pjesa e tretë, më pranë kohëve moderne, përqendruar rreth shekullit XX, ka për objekt kryesisht studimet filologjike rreth gjuhës, letërsisë dhe historisë shqiptaro-arbëreshe, ku shquhen në radhë të parë shkrimet analitike të M. Rocque, F. Thiriet, A. Zotos, A. Ducellier, H. Bresc, J.de Miceli e N. Clayer”, – shkruan Andrea në parathënie. Libri nxjerr në pah një shkrim kritik të M.B.Romoeuf rreth veprës së shkrimtarit të njohur arbëresh Carmine Abate, ilustruar me mjaft afreske dhe vepra po të piktorëve arbëreshë, ku nuk mungojnë ilustrimet nga fshatrat arbëreshe të piktorit të shquar I. Kodra e N. Martini.

 

Nga Fatmira Nikolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu