“Fqinjësi e mirë nuk nënkupton falje të territorit”

0
691

Pas deklaratës së të parit të Kuvendit, Kadri Veli ku thuhej se Mali i Zi është një ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën si dhe duhet ta pranojmë realiteti dhe demarkacioni me ta duhet të kalojë sa më shpejt, ka reaguar opozita.

Në një prononcim për GazetaBlic, zyrtari për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti ka thënë se fqinjësi e mirë nuk nënkupton falje e territorit.

“Fqinjësia e mirë nuk nënkupton që fqinji t’i marrë fqinjit territor, dhe besoj që Kadri Veseli kupton aq sa për ta kuptuar edhe ketë. Sigurisht që ne e vlerësojmë faktin që Mali i Zi është nga shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por do të përbente precedent nëse për ketë ne do të duhej të sakrifikonim territor. Ne sigurisht që duhet të kemi fqinjësi të mirë jo vetëm me Malin e Zi, por edhe mardhënie të mirë me Kosta Rikën që është shtet që na ka njohur po ashtu ndër shtetet e para, e edhe me shtetet që kanë njohur me vonë, e madje edhe me ato që mund të na njohin në të ardhmen”, tha Hoti.

Hoti në vazhdim të deklaratës së tij ka thënë se qytetarët nuk e besojnë këtë version të demarkacionit.

“Është ironike që Kadri Veseli të flasë për besim në institucione, kur ai dhe Hashim Thaçi, duke qenë krerë të klanit “Pronto”, kanë kapur këto institucione dhe i kanë shndërruar në vegla të tyre për interesat e tyre të ngushta partiake e familjare. Qytetarët nuk besojnë ne ketë version të demarkacionit, dhe ketë e kanë treguar edhe me peticion, edhe me protesta, sikurse nuk besojnë më as në qeverisjen kriminale të klanit “Pronto”, tha ndër të tjera Hoti.
Ai tha se është dokumentuar që ky version i Demarkacionit ia humbet Kosovës 8200 hektarë.

“Ekspertët e pavarur kanë dokumentuar se ky version i demarkacionit ia humbet Kosovës 8200 hektarë dhe ne s’presim që këtë ta thonë “ekspertët” e pushtetit, si soji i Hivzi Islamit dhe Tomorr Qelajt. Prandaj, ne jemi të vendosur që zgjidhja e vetme është në rishikimin e tërësishëm të demarkacionit” përfundoi Hoti.

Kurse sekretari i NISMA për Kosovën, Bilall Sherifi ka thënë se e njëjta logjikë e argumentit është përdorë edhe kur është ratifikuar Demarkacioni me Maqedoninë.

“E njëjta logjikë e argumentimit është përdorur edhe kur është ratifikuar demarkacioni me Maqedoninë. Se Maqedonia si vend fqinj na ka njohur prandaj të mos bëjmë shumë zhurmë por ta ratifikojmë. Tani pas kaq viteve, madje edhe ekspertet e Isa Mustafës, thanë dje se me demarkimin e kufirit me Maqedoninë Kosova ka humbur 3 km territor” tha Sherifi.

Sherifi ka thënë se në bazë të kësaj logjike del që njohjet nga vendet fqinje duhet paguar me dhënie të territorit.

“Pra sipas kësaj logjike del se Kosova njohjet nga vendet fqinje është duke i paguar me dhënie të territorit. Pra, si shkëmbim për njohje Maqedonisë ia paskemi dhënë 3 km territor, Malit të Zi mbi 8000 hektar. Po kur të bëhet demarkacioni me Serbinë si do t’ia bëjë Kosova, sa territor do të duhet t’i japë? Kjo qasje ndaj territorit të Kosovës duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë” ka përfunduar Sherifi.

Kufiri me Malin e Zi është një realitet që duhet pranuar dhe respektuar dhe demarkacioni me ta duhet të kalojë sa më shpejt. Kosovarët duhet ti besojnë institucioneve shtetërore dhe të jenë të bindur që me demarkacionin nuk dëmtohet dhe nuk i merret asnjë metër katror Kosovës ka thënë ndër të tjera i pari i Kuvendit, Kadri Veseli.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu