Fragment nga libri i Bajram Kurtit- Profesor Qazim Berisha- Yll i pashuar në plejadën e heronjve të arsimit dhe edukatës

0
470

 

Bashkimi forcon atdheun

(Concordia patria firmat)

Në vitin 1966 u hapën shkollat e mesme, normalja dhe gjimnazi në Therandë, si paralele të ndara të normales dhe gjimnazit në Prizren. Edhe profesorët udhëtonin nga këto dy qendra shkollore.

Kjo mundësoi që të përfshihen pothuaj të gjithë nxënësit që kishin mbaruar shkollën fillore, madje të pranoheshin edhe nga shkollat tjera fillore jashtë komunës sonë. Fillimi i vitit shkollor kishte vështirësi, sepse udhëtimi i profesorëve ishte problematik për kohën.

Pata nderin t’i takoj asaj gjenerate, që më vonë do të jetë edhe bartëse e disa proceseve në shkollë dhe më gjerë. Kuadri ishte në nivel, por kënaqësia më e madhe ishte të njihesha me profesorin e nderuar, ndoshta nja nga mësuesit (filozofët) dhe poliglotët e rrallë të kohës, Qazim Berishën. Ne kishim dëgjuar për Te nga nxënësit që vijonin mësimin në gjimnazin e Prizrenit, që na e paraqitnin si të rreptë, sepse kërkonte disiplinë dhe ishte i shtrenjtë për nota. Erdhi edhe dita e parë që do të mbanim mësim me Te dhe të gjithë nëpër banka rrinim të strukur, se na kishin thënë, se po qese të merr një herë në sy vaj halli. Koha e orës mësimore kishte filluar dhe Ai nuk dukej ende. Ne filluam të lëviznim nëpër klasë, kur për një moment u hap dera, u duk një kokë me flokë të çrregullta pak të rëna dhe vetëm pëshpëriti:

– Fol për ujkun, ujku pas dere (në gjuhën latine)- dhe e mbylli derën.

Këto fjalë për ne ishin të panjohura dhe u ngritëm të gjithë në këmbë për të shkuar nga dera duke buzëqeshur. Përsëri u hap dera, hyri një burrë i shtyrë në moshë, me një palë rroba mesatare, me një çantë bukur të madhe për trupin e Tij dhe me një zë të qetë e të butë na u drejtua,

– Uluni të dashur, unë jam profesor Qazim Berisha dhe së bashku këtë vit do të mësojmë gjuhën latine.- Ishte një prezantim i shkurtër dhe i shpejtë.

E përcillnim lëndën e Tij me përkushtim, pak nga frika, por edhe na dukej lëndë tërheqëse, sepse Ai arrinte ta bënte këtë me përkujdesën më të madhe, duke ilustruar për ato që shpjegonte, që sa më mirë ta përvetësonim.

Pasi kaluan disa njësi mësimore, sipas emrave në ditar, pata fatin të dal i pari për të shkruar në dërrasë të zezë. Kisha edhe frikë, sepse asnjëri nuk e dinte për kriterin e notave dhe metodën se si pyeste. Më tha t’i shkruaja tri fjali në gjuhën latine:

– Historia është mësuesja e jetës

– Bashkimi forcon atdheun

– Hëna është satelit i tokës

Me përkujdesën më të madh i shkrova që të tria fjalitë. Në klasë kishte rënë një heshtje. Edhe miza po të fluturonte do të dëgjohej. U afrua afër meje, me shtat ia kisha kaluar dhe me bërryl u mbështet në mua.

– I dashur e di çfarë ke shkruar?

Unë i habitur fillova edhe një herë të shikojë se mos kisha bërë ndonjë gabim. Me mimikë i dhashë për të kuptuar se nuk shoh farë gabimi. Ai sikur u xhindos, filloi të më mëshonte me grushte lehtas në cep të krahut, me rryl filloi të më trus afër qafës dhe dikur u largua nga unë dhe filloi të shkonte te secili nxënës duke iu bërtitu dhe me grushte lehtas dhe duke i pyetur se çka kisha bërë. Unë vidhja shokët me bisht të syrit që të më korrigjonin se ku kisha gabuar. U binda se gabime nuk ka dhe profesori pasi e kreu me të gjithë nxënësit, mu afrua qetas, tash kishte ndryshuar edhe pamjen edhe qëndrimin dhe edhe një herë më tha:

– Nuk e din se çfarë ke bërë?… Jo Ti nuk e di… E, i dashur, e di Ti se sa gjaku është derdhur në këtë Suharekë që gjuha latine të shkruhet zyrtarisht!?

E ku ta dija unë atëherë peshën e këtyre fjalëve, kur dihej se çfarë historie kishim mësuar në shkollë? Më vonë do ta kuptojë se nëpër çfarë peripecish kishte kaluar shkolla shqipe dhe kombi shqiptar.

Më vonë, sa herë takoheshim, gjithnjë kur u ndanim, nuk lente pa ma përkujtuar, se bashkimi forcon atdheun (konkordia patri firmat), sepse kishte nuhatur se merresha me politikë.

Me te kaluam vetëm një vit shkollor, sepse vitin tjetër erdhi ta zëvendësonte një tjetër. Herë pas here takoheshim në Prizren, në fillim i ndrojtur, por më vonë krijuam raporte shoqërore dhe shumë herë e kam pyetur për problemet shoqërore, historike etj. Ai ishte i pa lodhshëm dhe nuk përtonte dhe nuk i dhimbsej koha nëse kishte arritur të sqarojë gjërat për të cilat ishe i interesuar.

Pas kryerjes së shkollës së mesme kisha kontakte më të shpeshta me të, isha më i pjekur dhe pyetjet nuk ishin naive sikurse kur isha nxënës gjimnazi.

Kur kishte tema bukur me peshë, të natyrës së historisë jo të largët të cilat konsideronte se dikush tjetër ishte më me kompetencë, më orientonte dhe më sugjeronte të thirresha në emër të Tij. Këtë pothuaj asnjë herë nuk e kam preferuar, por këmbëngulja që nga Ai të marr përgjigje. Një herë më pati sugjeruar të bisedoja me Xhavit Lopardin dhe më porositi që ta gjeja kur kishte lucia intevala (momente të ndriçuara, sepse organet e UDB e kishin torturuar në skajshmëri dhe vështirë e kishe që ta shtyje të përqendrohej në bisedë). Për të kisha dëgjuar dhe e njihja si endacak, shëtitës i vetëm, i heshtur, me rroba të vjetra dhe më kishin fol edhe të tjerët, mirëpo nuk e kam ditur se edhe profesor Qazimi e vlerësonte. Qytetarët e Prizrenit e trajtonin si njeri të çmendur, si njeri të rrugëve etj., por nuk ishte ashtu. Ky referim më zgjoi kureshtjen dhe mu deshtë kohë për ta takuar Xhavitin. E takova dhe në Shadërvan u ulëm me një tavolinë dhe nga Ai pata mësuar shumë gjëra që nuk më kishte rënë t’i lexoja as në shtypin ilegal të kohës. I tregova profesor Qazimit, u gëzua si fëmijë dhe më porositi të mos i ndahesha, se në këtë fushë mund të mësoja shumë nga Ai. Kur më arrestuan në vitin 1981, veç tjerash më patën pyetur edhe për kontektet që i kisha pasur me Xhavitin.

Një herë më duhej përkthyer një dokument për vëllanë nga gjuha gjermane, për të marrë kuptimin, kur papritmas e takoj profesor Qazimin. Përshëndetemi dhe i qëllimin e shkuarjes në Prizren, mori dokumentin, e lexoi në gjuhën shqipe dhe ma dha, duke shtuar.

– Para hotel Therandës është një lustraxhi këpucësh, shko te Ai se është përkthyes zyrtar, ose mund të shkon edhe te profesoresha, Elvane.

– Profesor, ajo që më interesonte e mora vesh, kjo më mjafton

– I dashur duhet zyrtarizuar përkthimin, unë vetëm ta lexove shqip- dhe më shtyu në drejtim të hotelit.

Unë kisha kryer punën me Te dhe nuk më interesonte më tepër.

Se sa ishte i përkushtuar të ishte parimor për të udhëzuar në zënien e diturisë, të mos humbte as një orë mësimi, është edhe një anekdotë për Të.

Këshilli i Gjimnazit- “Jovanka Radivojeviq- Kica” diskutonte zgjedhjen e drejtorit. Për kandidatë kishte profesor Luigj Lumezin. Këtij nuk ia kishte qejfi të pranonte këtë detyrë, por të refuzonte do t’i delte problem me Komitetin e Partisë, prandaj u mundua të gjej një arsye:

– Ju lutëm mos ma vëni këtë barrë, ka tjerë profesor që mund të jenë më të suksesshëm se unë. Unë nuk mundëm, ta zëmë, t’i them profesor Qazim Berishës, pse je vonuar.

– Jo i dashur.- Foli qetas profesor Qazimi- Nëse unë vonohem pesë minuta në mësim, dërgo një nxënës te varret dhe shiko nëse është duke u hapur një varr i ri, e nëse jo, dërgo në spital për të verifikuar a gjendem aty, dhe që të dyja për fat janë shumë afër.

Demonstratat e vitit 1981 kishin bërë jehonë dhe pushteti kishte vu në përdorim gjithë arsenalin propagandistik e policor, duke rekrutuar njerëz të rinj, të cilët qoftë nga frika, qoftë nga paraja apo edhe nga dhënia e mundësisë për të qenë dikush, për të parandaluar tensionimin e situatës politike. kishin filluar edhe diferencime në çdo mjedis, duke filluar nga kreu i Komitetit Krahinor e gjerë në celulat nëpër fshatra. Këto diferencime bëheshin edhe në shkolla të gjitha niveleve, të cilat kishin për qëllim të ngushtonin veprimtarinë e iredentës dhe zbulonin nacionalist të rinj. Ne disa që nuk ishim burgosur ende, përcillnim situatën në terren dhe mundoheshim të ju ndihmonim. Edhe në gjimnazin e Prizrenit kishin shkuar aktivistët e Komitetit për të detyruar profesorët që të diferencoheshin nga demonstruesit. Asnjëri nga profesorët nuk lëshonte zë, sepse në mesin e tyre ishte profesor Qazim Berisha, të cilit i frikoheshin nëse jepnin mendim negativ për protestuesit, e në anën tjetër ishte komiteti i partisë, i cili menjëherë ua ndërpriste marrëdhënien e punës edhe mund t’i burgoste nëse nuk e bënin një gjë të tillë.

Qazim Berisha pa hezituar merr fjalën:

– Një jogurt dhe një gjysmë buke kushtojnë një dinar e gjysmë- mëngjesi. Një jogurt dhe një gjysmë buke bukë kushtojnë një dinar e gjysmë- dreka. Një jogurt dhe një gjysmë buke kushtojnë një dinar e gjysmë- darka. Gjithsejtë këto bëjnë katër dinar e gjysmë. Katër dinar e gjysmë është shpenzimi ditor vetëm bukë e jogurt, herë tridhjetë bëjnë 135. Pa i llogaritur shpenzimet tjera për jetën e një studenti. Dhe nëse llogaritni kështu, do të vini në përfundim se a kanë pasur apo jo të drejtë të protestojnë ata.

U krijua një heshtje. Përfaqësuesit e Komitetit, dike e ditur mentalitetin e profesor Qazimit, pa bërë zhurmë u ngritën e ikës.

Pas daljes nga burgu u takuam edhe disa herë. Një herë i pata thënë që të merrej me shkrime, qoftë në shtypin ilegal me nofkë apo edhe atë të huaj, sepse gjuhët nuk paraqitnin problem për Te. Më pati thënë, se nuk është i pendës dhe ka kush merret me to. U mundova mjaft për ta bindur, por kot. Më vonë kam mësuar se edhe shokët tjerë kishin insistuar që Ai të merrej me shkrime, por pa sukses.

Me daljen në skenë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ai ishte në spital, ku iu kishte nënshtruar një operacioni. Kisha kundërthënie me shokët rreth kësaj, të cilët insistonin që të kyçesha edhe unë në këtë subjekt politik. Mora vesh se kishte dal nga spitali profesori dhe ishte më mirë, i mora disa shokë dhe shkuam në shtëpinë e Tij për ta vizituar. I blemë nga pak dardha, banane, portokaj dhe trokitëm në derën e Tij. Pak vonoi derisa e qeli derën. Nëpër të gjithë dhomën ishin të hapura gazeta në gjuhë të ndryshme dhe mbi tavolinë kishte një shishe raki rrushi, së cilës gati i kishte rënë në fund. U përshëndetëm dhe ia ofruam dhuratën. Kur i pa, mu drejtua:

– I dashur, Ti e di që unë gjatë tërë jetës time nuk kamë ngrënë kaq shumë kokrra pemësh.

E kuptoi se ne nuk kishim shkuar vetëm për ta parë që kishte dal nga spitali, por kishim edhe një hall tjetër. Na shikoi drejtë në sy.

– Hë, i dashur, çfarë helli keni?

– Profesor, Ju e dini se ka dal një subjekt politik, pra Lidhja Demokratike e Kosovës, çfarë mendimi keni për te?

– A po blen populli rrëgalla (orendi)?

– Po.

– Kur të ndalën së bleri rrëgalla (orendi të kushtueshme), ne do të çlirohemi!

Me këtë na dha për të kuptuar, se biseda rreth kësaj teme kishte përfunduar. Njëri nga ne u mundua ta ngacmojë për të fol edhe diçka. Mirëpo, Ai nuk binte lehtë në provokime dhe mu drejtua:

– I dashur, isha i kartë rreth kësaj?

– Po profesor, të faleminderit.

Pas një kohe i ngritëm dhe u thash se përgjigjën time e morët nga profesori. Duhet ndal blerjen e orendive dhe këto para të shkojnë në armatim

Ky ishte takimi i fundit me profesor Qazim Berishën, se më vonë u burgosa dhe pastaj kalova në Prishtinë, që në mungesë të profesor Ukshin Hotit të udhëhiqja Partin e Unitetit Kombëtar Shqiptar- UNIKOMB.

Një ditë duke kaluar nëpër Prizren, pash një rrugë që mbante emrin e Tij, edhe pse ky emër është nderë të ishte mbi ndonjë derë shkolle të Prizrenit, ku edukoi me dhjetëra gjenerata, po thuaj në të gjitha lëndët, ku e lypte nevoja në mungesë të kuadrove, por me rëndësi që dikujt iu kujtua që edhe ky emër të jetë i respektuar, e koha do të bëjë të vetën.

Prishtinë, 12.10.2009

Fragment nga libri “Të merituarit hyjnë në histori”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu