Fragment nga novela: “ Kush e vrau Lajmëtarin”

0
1060

libri kush 00_12_1382898708264079974

Biblioteka e pasur e professor Kalimashit!

– “Ah, sa mjerime me janë grumbulluar, sa dhembje e plagë zemre, sa katranosje më janë shtuar viteve të fundit, vetëm e vetëm pse s’pranoj të jem në lidhje me ndonjë klan! – kjo e panjohur e përzier me një ankth të trisht ia ndrydhte shpirtin, si ai gurmulliri që e ndrydhë dhe, e bën pluhur kokrrën e grurit. “ Si shumë kam dërdëllisur me ato ara-marat e mia nëpër pajtime gjaqesh e në ndeja odash. Mos jam bërë ndonjëherë si ai njeriu çapaçul. Mos u lavdërova paksa tepër para Lonit, për flakët e luftës që i kemi afër…Po sikur vërtet të ndodhi lufta!?…E professor Kalimashi të mos e rrokë në duar armën e lirisë, që aq shumë e pata trumpetuar vite më pare, se pushka është çështje jetë a vdekje…Ç’flasë  unë çapraze e gagëritëm si bretkosat. Po në mos e rroksha pushkën në duar, unë do të di t’i nderoj ato roje vigjilente të trojeve tona, ato shpresa besnike të lirisë, që do të jenë tmerri i çanaklëpirësve e i pushtuesve gjakatar. Dhe, përsëri i shfaqej një amulli mendimi. Po, ama, zemra i anonte nga agimet e bardha, nga e mira, nga e drejta, nga e moralshmja, nga virtyti, kjo e ngushllonte. Dikur u kujtua dhe e pyeti gruan e tij Hënën. –   Po ç’kemi ori grua për darkë, se ndodh që të na vijnë mysfir sonte?

Hëna ngriti vetullat përpjetë tek po palonte disa çarçafë pambuku të porsa lara, njëkohësisht dëgjohej shushuritja e ujit të çezmës. -Mish me bizele. Do ta bëjë edhe një sallatë të përzier.

Dang-ding, bëri zilja. Profesori e hapi derën, ishin Loni me Dodonën.

–   O, mire se vini!

–   Mirë se ju gjejmë! – ia kthyen ata.

–   Ejani de, ç’prisni!

Ata hynë brenda. Profesori ia prezantoi Hënës mysafirët e sapo ardhur. –  Si kaluat me shokët, a më falni edhe me shoqet? – tha profesor Kalimash Gjeloshi. -Mirë, mire! – thane që të dy.

Profesori e dinte se ata dy dashuroheshin prej kohësh. Ia pa pastaj flokët asaj ngjyrë gështënje, ata dy sy të blertë e vetullat fiskajë, ato buzë të holla e të kuqe si trëndafili. Ajo e shikonte me buzagaz Lonin. Profesori tek ata të dy shihte një dashuri të pastër bilur.

–   A patët ndonjë debat politik me shokët e shoqet?

–   Posi! – tha Loni. – Patëm dhe shumë madje. Profesor jam befasuar se ç’bibliotekë të pasur paskeni. Nuk priti përgjigjen e profesorit, por sërish vazhdoi:

–   Unë me Dodonën që sot e tutje do të jemi lexuesit e pasionuar të kësaj biblioteke. U ngrit në këmbë e nisi të lexonte titujt e librave, autorët e tyre: Hegeli, Heminguej, Homeri, Kadare, Kamy, Qosja, Hoxha, Beketi, Markezi, Agolli, Gëte, Aligeri, Niçe, Kazanzaqi, Marksi, Pushkini, Miltoni, Naimi, Noli, dhe, ndeshi në veprat e Lajmëtarit, fap shfletoi dramën: “Procesi”. E në mes të tjerash deklamoi këta rreshta: “…Shoku im është gjithë ai shqiptar, punëtor, fshatar, zejtar, intelektual popullor i cili është ngritur deri në atë shkallë të ndershme sa çështjen e çlirimit e bashkimit kombëtar e shfrytëzon kundër shovenizmit jugosllav…Çështje e bashkimit  me nënën Shqipëri, nuk e merr si punë, që mund të bëhet apo që mund të presë për më vonë”. Ndërsa profesori ishte ngritur në këmbë, kish kapur për dore Dodonën, e po i përsëritnin fjalë për fjalë atë që e lexonte Loni dhe, sikur të hynte ndonjë nga fqinjët e profesorit, do të mendonin se banesa e tij ishte shndërruar në teatër…! A mos ndoshta profesori dhe, mysafirët e tij kishin shkalluar?!

Ndërsa, Loni vazhdonte të lexonte: “…Por si luftëtar që duhet të marr zjarr me dhembje, me ngut,, me alarm…” Ky ishte një çast hareje në këtë banesë.

–  Ç’agjitator i flakt i bashkimit shqiptar, paska qenë Lajmëtari, – tha me një zë të butë Loni dhe, lexoi titujt tjerë nga veprimtaria e tij letrare: “ Konjush e Verdhë”, “Fluturojnë e Bien”, Shenjat e Shenjta”, që të gjitha këto ishin përmbledhje poezish…

Ç’përkushtim të madh paska pasur në planin e tij shoqëror e politik. Albert Kamy në librin e tij “Guri i Sizifit”,thoshte:”…Koha do ti jap jetë kohës dhe, jeta do t’i sherbejë jetës…Ajo është e gatshme të paguaj…” Dhe, ja kjo mbrëmje te Kalimashi dhjetë fish mu pagua, – pëshpërti më vete Loni.

Ata biseduan për shumë gjëra deri vonë.Biseduan për letërsinë, artet, muzikën, bile edhe për politikën. Të nesërmen Loni së bashku me Dodonën, ishin bërë gati të shkonin secili në punë të vetën.

– Daleni, more, ku po shkoni? – të hamë njëherë mengjesin, pastaj shohim e bëjmë, – thane Kalimashi e Hëna.

Po ata të dy kërkuan lejen e tyre se më s’mund të rrinin, se ishin që të dy të zënë me punë. Kështu me lejen e profesorit morën ato librat e Lajmëtarit dhe, disa gazeta ilegale që dilnin jashtë atdheut si “Zëri i atdheut”, “Liria”, dhe “Shqipet e lirisë” e disa të tjera. U ndanë me një dëshirë të madhe për t’u takuar sa më shpesh që të jetë e mundur. Ndërsa,Dodona po i  thoshte Lonit. – Sa mire që më njohe me profesorin, e pe sa njeri me shpirt të kulluar që ishte , sa zemërbardhë e i dashur dukej?

Dodona ishte ulur në minder dhe po lexonte ato gazetat ilegale që i kishin marrë të profesori. Ajo ia kishte hapur sytë dhe po lexonte, në mes të tjerash në gazetën: ”Shqipet e lirisë”, shkruante: “…Letërnjoftim për Lajmëtar Çlirimin…” përgjigje dhënë kësaj gazete në Lion të Francës, ku ai atë vit i kishte bërë një vizit kësaj gazete.

-“…Dita dhe viti i lindjes: 1 tetor 1945 Dukagjin.

-Profesioni: Gazetar, këngëtar, poet, dramaturg, nga pak edhe politikan.

-Pesha e trupit dhe, gjatësia: 81 kg. me gjith krevat.

-Ngjyra e syve dhe, e flokëve: E blertë, ngjyrë gështënje.

-Shenja në horoskop: Peshorja.

-Shkrimtari: Dritëro, S.Beket.

-Kompozitori: Bethoven, Bah, Hend.

-Artisti figurative (piktor-skulptor): Onufri, David Selanica, Van Gog, Odhise Paskali.

-Kënga e juaj: Një lule që më ka çelë mbrëmë.

-Shkencëtari: Anshtajni.

-Aktori: Piter o’Tul, Mia Farou, Reshat Arbana, Roza Anagnosti.

-Figura historike: Skënderbeu, Hasan Prishtina, Avni Rrustemi dhe Çerçiz Topulli.

-Prirjet: Muzikë, pikture, poezi, dramë.

-E meta: Gjërat i ndjej me gjith shpirt, i urrej demagogët dhe, kozmopolitët.

-Virtyti: prirja për t’ua falur gabimet njerëzëve që ndjejnë pendesë.

-Ç’ka ju bën të lumtur: Një letër nga Kosova, një fjaë e mire për Shqipërinë, një cikërrim njerëzie, mjafton ta përmbush me lumturi zemrën time.

-Ç’ka ju nevrikos: Shpifja, hipokrizia, shija dhe, mendimi i huajtur për hir të modes.

-Prej kujt turpëroheni: Prej gjeneratave që shkuan.

-Tipi i femrës suaj: Femra e prajshne, me prirje të mira.

-Libri: “Të mallkuarit e botës”, “Kush e solli Doruntinën”, “ Mërgata e Qyeve”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë” dhe, poema “Për nënën Shqipëri”.

-Poezia:  “Të birt e shekullit të ri”,  “ Hymn i flamurit”, ”Rroftë Shqipëria etnike”.

-Filmi: “ Nusja dhe shtetërrethimi”,” Nëntori i dytë”, “ Udha e shkronjave” dhe, “Liri a Vdekje”.

-Motoja: Suksesi në punë.

-Dëshira: Bashkimi i tokave Shqiptare me Shqipërinë dhe, bashkimi i  dy Gjermanive…

-Lulja më e dashur: I dua lulet.

-Ambienti më i dashur : Vendlindja.

-Hobi: Të ndjell kohën e ardhshme që të vijë sa më shpejt…

-Faji i juaj më i madh: Vështir është të jesh fajtor edhe gjykatës!

-Vepra juaj më  e madhe: Pa vepra të mëdha e të mesme.

-Rob i cilave shprehje jeni: Duhanxhi i pasionuar.

-Ambiciet: Të njerëzishme, të durueshme në ritmin e pandalshëm të punës produktive.

-Fjala e urtë: Bashkojmë mendjet dhe armët.

-Nga kanuni: Falja e gjakut. Plak mbi plak kanuni s’njeh.

-Një mendim filozofik: I njejti ujë i ujit të gjitha bimët, por ato nuk janë të njejta.

-Kë do më shumë: Prindërit  dhe, atdheun.

-Çka urreni tek njerèzit: Smiren, demagogjinë dhe, mendjemadhësinë.

-Ç’ka çmoni tek njerëzit: Mirësjelljen, punën me vlerë, vlerën artistike, çiltërsinë dhe, pak më shumë sinqeritetin.

-Porosia e juaj: “ Më pak fjalë, më shumë punë, që të jemi më të lumtur…”.

Ç’përgjigje të çiltra dhe, domëthënëse dhe, njëherit e dhëmçoi mollën me dhëmbët e saj të fildishtë, ndërsa në horizont po dukeshin ca re të katranosura. Ajo lexoi dhe artikuj të ndryshëm në ato gazeta, që të frymëzonin, të jepnin shpresa me ato mendime mjaft të thella, e me ndjenja të larta atdhedashurie… Ja edhe një tjetër shkrim i shkruar nga Lajmëtari po në atë gazetën që lexoi mbi letërnjoftimin e tij, ku ai ndër të tjera shkruante se:… “Do të derdhim edhe pikën e fundit të gjakut tone dhe, do të ngadhnjejmë mbi armiqtë e mbi çanaklëpirësit e çdo ngjyre”. Dhe, vazhdonte më tutje: “…E sëmura e Ballkanit, Jugosllavia, këmba-këmbës po i  afrohet shtratit të një vdekjeje të turpshme…Ç’kanë intelektualët në Kosovë që ta çajnë kokën dhe, t’i trazojnë të përbrendshmet duke dërdëllisur, duke mbajtur “ligjerata” të ethshme, se nuk po i  dalin dot zot  realizimit të të drejtave dhe, lirisë krijuese në kuadër të sistemit shovenist jugosllav…?!” Në fund të artikullit ishte shënuar  viti 1980 botuar në Lion.

Ç’mendime të parathëna dhe profetike! Po a s’janë këto: “Shenjat e shenjta”, të shenjëtorit tone?!

Shiko, pa shiko, ç’njeri paskemi pasur dhe unë deri më sot se kam ditur fare! Kush është Lajmëtari? Por mendja dhe zemra i rrihte atje se kush  e vrau Lajmëtarin?! Hej ju thaftë dora, ju thaftë. Dhe, kishin zënë t’i digjnin faqet.Përjashta farfurinte dielli.

 

Nga: Avdi Ibrahimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu