Frashëri: Komunistët përfituan nga gabimet e Ballit Kombëtar

0
909

(Vijon nga numri i djeshëm)

Militantët e saj të bazës ish in patriotë. Ata e pranuan platformën e demo-kracisë popullore të shtyrë nga ideale romantike – të bindur se me zbatimin e saj do të eleminoheshin pabarazia shoqërore dhe varfëria, pa patur nevojë për ideologjinë marksiste. Në një kohë rekord, ata u angazhuan në rezistencën e armatosur dhe jo të armatosur kundër okupatorit – në demonstrata politike dhe në mbledhje konspirative, në guerrilet urbane dhe në çetat e armatosura, të cilat shërbyen si shkollat e edukimit politik dhe ushtarak antifashist. Për hir të vetëmohimit të militantëve të saj, të cilët ranë në luftë si heronj, PKSh-ja bëri për vete për kauzën e saj jo vetëm rininë e shkollave, por edhe fshatarë dhe qytetarë, burra dhe gra, pleq e të rinj të cilët nuk ishin komunistë. Në pranverën e vitit 1942, ata formuan repartet e para luftarake partizane duke bërë për vete dhe mjaft shefa të çetave të drejtuar nga nacionalistë të veçuar. Ndonëse ndërkohë me hyrjen më 9 nëntor 1941 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftë kundër agresorëve nazifashistë, pra me krijimin e kampit të madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan, situata ndërkombëtare kishte ndryshuar në dëm të bllokut nazifashist, qarqet nacionaliste të djathta vazhduan të mbeteshin të gozhduara pas politikës së pritmërisë. Me politikën e tyre të pritmërisë, ata u dhanë mundësi komunistëve të dilnin në plan të parë të lëvizjes patriotike antifashiste. Sa më tepër nacionalistët dhe monarkistët hezitonin të ndërmerrnin aksione të armatosura kundra pushtuesve, aq më tepër rritej prestigji i Partisë Komuniste dhe i militantëve të saj në jetën politike shqiptare. Politika e tyre e pritmërisë pësoi një tronditje të thellë, kur më 16 shtator 1942 u mblodh Konferenca e Pezës. Aty u pa haptas dëmi që nacionalistëve u kishte sjellë qëndrimi i tyre deri atëherë oportunist ndaj okupacionit të huaj.
Sipas termave të propozuara nga komunistët në Konferencën e Pezës, lufta për çlirimin e vendit nuk lidhej me Bashkimin Sovjetik, por me koalicionin e madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan për të krijuar një “Shqipëri të lirë, të pandarëshme, të pavarur dhe demokratike”. Forma e regjimit që do të kishte Shqipëria pas luftës do të përcaktohej nga zgjedhjet elektorale të lira. Për sa i përket çështjes së Kosovës, u vendos që ajo të zgjidhej në përputhje me parimet e të drejtave të të gjithë popujve dhe me kontributin që do të jepnin kosovarët në luftë për çlirimin e tyre nga okupatorët fashistë. Për drejtimin e veprimtarisë së frontit patriotik që u vendos në Pezë, u zgjodh një Këshill i Përgjithshëm Nacional Çlirimtar, i përbërë nga tetë anëtarë, nga të cilët tre qenë komunistë, tre demokratë të pavarur dhe dy zogistë. Kryetar i këshillit u zgjodh një nga anëtarët demokratë të këshillit, kurse sekretar i përgjithshëm një nga anëtarët komunistë të këshillit. Siç dihet, disa nga nacionalistët antikomunistë nuk u solidarizuan me Konferencën e Pezës. Fill pas saj, ata u bashkuan me organizatën Balli Kombëtar, e cila u formua dy muaj më vonë, në mes të nëntorit 1942, nën drejtimin e Mithat Frashërit.
Krijimi i Ballit Kombëtar ishte një sfidë që i bëhej Partisë Komuniste nga qarqet e nacionalistëve të djathtë. Sfida në parim nuk binte në kundërshtim me programin politik të Konferencës së Pezës, mbasi edhe Balli Kombëtar synonte shprehimisht mëkëmbjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe vendosjen pas çlirimit të një regjimi demokratik. Si rrjedhim, krerët e Ballit nuk kritikonin programin e Frontit Nacional Çlirimtar, por vinin në dyshim realizimin e tij. Sipas tyre, udhëheqësit e Partisë Komuniste sadoqë deklaronin se synonin mëkëmbjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe vendosjen e demokracisë popullore – këtë synim e shihnin me dyshim mbasi ata, pohonin ballistët, vareshin nga Kominterni. Si të tillë, pohonin krerët ballistë, programin e PKSh-së e diktonin interesat e Bashkimit Sovjetik, më saktë ato të titistëve jugosllavë, të cilët, sipas tyre, kishin luajtur një rol të rëndësishëm në themelimin e PKSh-së. Ndryshe nga krerët e Partisë Komuniste, të cilët u treguan të gatshëm të bashkëpunonin me nacionalistët e djathtë – Balli Kombëtar i udhëhequr nga ideologët e djathtë tregoi se ishte pushtuar nga një urrejtje patologjike ndaj komunistëve.
Edhe udhëheqësit e Partisë Komuniste, nga ana e tyre, i shihnin me dyshim udhëheqësit e Ballit Kombëtar. Ata i akuzonin krerët ballistë si oportunistë, të cilët me platformën e tyre se nuk kishte “ardhur koha” për luftë të armatosur i shërbenin jo çështjes kombëtare, por okupatorit fashist italian. Si shembull ata përmendnin emrat e disa krerëve të Ballit Kombëtar që kishin shërbyer si ministra dhe si funksionarë të lartë në qeverinë kuislinge të Mustafa Krujës, pra si personalitete që nuk ishin të prirur të zhvillonin as në të ardhmen ndonjë luftë kundër okupatorit.
Pavarësisht nga akuzat që ato i drejtonin njëra-tjetrës të dy rreshtimet kryesore të veprimtarisë antifashiste dalloheshin në pikën më të rëndësishme të programit të ditës – nga lufta kundër okupatorit të huaj. Deri në fillim të vitit 1943 Partia Komuniste kishte një bilanc të pasur në fushën e luftës së armatosur dhe të paarmatosur kundër okupatorit italian, kurse BK njihej në opinionin publik vetëm nga emri. Veç kësaj, ajo që i dha epërsi politike Frontit NÇL, prapa të cilit qëndronte Partia Komuniste, ishte dhe programi i tij, i cili synonte bashkëpunimin me të gjitha kategoritë jofashiste të shoqërisë shqiptare dhe vendosjen në Shqipëri të regjimit të demokracisë popullore. Madje, nuk vonoi të dilte në shesh marrëveshja e fshehtë që Balli Kombëtar lidhi me okupatorin fashist italian, marrëveshje e njohur me emrin protokolli “Dalmazzo-Këlcyra”, nënshkruar më 15 mars 1943 – me të cilin Balli Kombëtar zotohej se nuk do ta kundërshtonte operacionin që ushtria italiane do të ndërmerrte kundër Ushtrisë NÇL në jug të Shqipërisë.
Pikërisht te politika e pritmërisë që ndoqi Balli Kombëtar qëndron gabimi i parë serioz i tij. Kjo për arsye se politika e pritmërisë i dha mundësi Frontit NÇL të fitonte prestigjin e një organizate patriotike aktive.
Këtu është vendi për të vënë në dukje forcën e madhe që kanë idetë e mëdha kur ato pajtohen me aspiratat popullore. Idetë e mëdha, qofshin edhe me vlera epokale, nuk vlejnë nëse ato mbahen të mbyllura në sëndyqe. Siç e ka provuar historia, ato vënë në lëvizje popujt dhe shërbejnë si armë të fuqishme, madje disa herë më të fuqishme se armët e zjarrit, për të përmbysur epokat kur ato plotësojnë aspiratat që popujt kanë në gjirin e tyre.
Gabimi i dytë i Ballit Kombëtar, i cili ishte më i rëndë se i pari qëndron te fakti se kur pritej që krerët e saj qoftë edhe me vonesë të shkëputeshin nga politika e pritmërisë, pra kur pritej që organizata e tyre të fillonte luftën e armatosur kundër okupatorëve të huaj, – ata vendosën të kundërtën. Në tetor 1943 ata i dhanë fund pritmërisë jo duke hyrë në luftë kundër okupatorëve nazistë gjermanë por duke ndërmarrë luftën kundër Frontit NÇL, për fat të keq jo vetëm për vetëm, por duke bashkëpunuar me okupatorin hitlerian. Kthesa e Ballit Kombëtar ishte fatale. Bashkëpunimi i çetave balliste me repartet hitleriane, i cili mori karakter zyrtar gjatë Operacionit ushtarak të Dimrit, 1943-1944, në vend që të sillte, ashtu siç pritnin ballistët, shpartallimin e Ushtrisë Nacional Çlirimtare, solli të kundërtën – shpejtoi degradimin e vetë Ballit Kombëtar. Edhe pasi Ushtria NÇL e përballoi me sukses fushatën ushtarake të përbashkët gjermano-balliste, as Fronti NÇL, as PKSh-ja nuk hoqën dorë nga programi politik i vendosjes pas çlirimit të regjimit demokratik popullor në Shqipëri. Në asnjë moment dhe në asnjë rast nuk u fol për vendosjen në Shqipërinë e çliruar të regjimit komunist. Madje, dy pikat madhore të programit të luftës – çlirimi i plotë i vendit dhe vendosja e demokracisë popullore – u sanksionuan ligjërisht edhe në Kongresin e Përmetit më 24 maj 1944. Dëshmi janë aktet ligjore të miratuara nga kongresi, ndër të cilat më kryesori, krijimi i Komitetit Antifashist Nacional Çlirimtar me atributet e një qeverie të përkohshme. Siç dihet, në qeverinë e kryesuar nga Enver Hoxha, bënin pjesë krahas komunistëve edhe disa demokratë, të cilët nuk ushqenin simpati për doktrinën komuniste. Në Kongresin e Përmetit u premtuan të gjitha të mirat që ka demokracia popullore – respektimi i pronës së qytetarit, pajisja e fshatarit me tokë, përparimi i shpejtë i vendit, vendosja e lirisë së fjalës, së mendimit, të banesës, të lëvizjes, të organizimit dhe të fesë e të tjera e të tjera. Në sajë të këtyre parimeve dhe premtimeve u rreshtuan brenda një kohe të shkurtër në Frontin NÇL mjaft nacionalistë demokratë, socialistë, republikanë, jokomunistë. Në sajë të këtij programi, Fronti NÇL e fitoi betejën. Më 29 Nëntor 1944 Shqipëria u çlirua nga zgjedha e huaj. Formalisht pavarësia kombëtare u rivendos. Parimisht u rivendos edhe pushteti demokratik popullor, i përbërë nga aleanca midis komunistëve dhe demokratëve jokomunistë.
* * *
Fitorja e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare përfaqësonte një kapital politik të përmasave të mëdha. Nuk ka dyshim se merita e fitores i detyrohej luftës patriotike që PKSh-ja udhëhoqi pa asnjë lëkundje. Në të njëjtën kohë nuk duhet harruar se ajo e monopolizoi fitoren e luftës në sajë të politikës së gabuar që zhvilluan dy partneret e saj – Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit. Fitoren që korri, PKSh-ja e shfrytëzoi për dekada me radhë. Për hir të programit demokratik popullor që Fronti NÇL shpalosi fill pas fitores – në zgjedhjet e para kushtetuese të cilat u zhvilluan më 2 dhjetor 1945 morën vota si deputetë afërsisht gjysma e kandidatëve të Frontit që ishin demokratë jokomunistë; madje disa prej tyre e përbuznin doktrinën komuniste. Më 10 janar 1946 Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë jo Republikë Socialiste, por Republikë Popullore. Tre muaj më vonë po ajo Asamble miratoi Statutin Themeltar të Republikës Popullore të Shqipërisë, pak a shumë me ato parime që kishte shpallur Fronti NÇL, të cilën e kishte mbështetur Partia Komuniste gjatë viteve të luftës.
Deri këtu çdo gjë shkoi pothuajse vaj. Por, fill pasi Shqipëria u shpall Republikë Popullore dhe menjëherë pasi u miratua kushtetuta e regjimit demokratik popullor, Enver Hoxha filloi ta shkelte programin demokratik popullor, ndonëse ai i siguroi fitoren e luftës dhe të përgatitej në mënyrë gati tinzare për të realizuar projektin tepër ambicioz për të kaluar nga demokracia popullore në regjimin komunist të modelit stalinist. Madje, ai kërkoi në mënyrë të habitshme që ky kapërcim të realizohej menjëherë. Edhe pse Shqipëria nuk i plotësonte kushtet për këtë hap ambicioz, theksonte ai, Partia Komuniste Shqiptare duhej “t’i digjte etapat” – shprehje frëngjisht “bruler les etapes” – për të treguar se reformat duheshin kryer me nxitim të përshpejtuar.
Udhëheqësit e Partisë Komuniste me Enver Hoxhën në krye duket se harruan se në Shqipëri mungonin parametrat e domosdoshëm për një regjim komunist. Ata harruan se porosia që dha Kominterni në fillim të Luftës së Dytë Botërore për të vendosur në përfundim të saj jo regjimin komunist në trajtën e diktaturës së proletariatit, por regjimin e demokracisë popullore të përafërt me programet e partisë social-demokrate, ishte zgjidhja më e përshtatshme për Shqipërinë.
Projekti i tij ndeshi në kundërshtimin e njërit prej anëtarëve të Komitetit Qendror. Ky ishte Sejfulla Maleshova, i cili kishte qenë sekretar i grupit komunist shqiptar në Bashkimin Sovjetik në kohën kur u miratua studimi i Lazar Fundos mbi programin e revolucionit popullor në Shqipëri. Sejfulla Maleshova, i cili në parim e pranonte epërsinë e ekonomisë socialiste ndaj ekonomisë kapitaliste, nuk u pajtua me këtë platformë të Enver Hoxhës. Shqipëria, arsyetonte ai, ishte ende në fillimet e ekonomisë kapitaliste, kurse sipas tezës së Marksit, ekonomia socialiste do të ndërtohej vetëm kur kapitalizmi ta kishte kryer ciklin e zhvillimit të tij dhe të kishte hyrë në fazën e degradimit. Në kushtet e Shqipërisë së prapambetur, theksonte ai, epërsinë e vet ndaj ekonomisë kapitaliste, ekonomia socialiste duhej ta tregonte jo me anën e dhunës politike, por në mejdanin e tregut. Për këtë arsye, ai parashtroi tezën e “dy ekonomive paralele”, domethënë zhvillimin e ekonomisë socialiste pa e shkallmuar ekonominë kapitaliste, por krah për krah me të. Sipas tij, Shqipëria kishte të drejtë të shtetëzonte vetëm pronat e mëdha të kapitalistëve të huaj, të cilat ishin krijuar si rezultat i koncesioneve antikombëtare nga ana e regjimit të Zogut. Ai ishte kundër shtetëzimit të ndërmarrjeve kapitaliste shqiptare. Ato duhej të bashkëpunonin me pushtetin e demokracisë popullore me kusht që të viheshin nën kontrollin e shtetit. Në të njëjtën kohë, sipas pikëpamjes së tij, shteti shqiptar i demokracisë popullore duhej të krijonte ndërmarrje ekonomike shtetërore, domethënë socialiste. Kështu do të zhvillohej në kushtet e ekonomisë së tregut, gara midis pronës socialiste dhe pronës kapitaliste, të cilën Sejfulla Maleshova kishte bindjen se do ta fitonte e para dhe jo e dyta. Në të njëjtën kohë ai kishte bindjen tjetër se kjo garë do ta vinte ekonominë socialiste në rrugën e vitalitetit dhe jo të burokracisë.
Enver Hoxha e hodhi poshtë platformën e Sejfulla Maleshovës, madje e akuzoi atë, sipas zakonit të tij, si një “kalë të Trojës” së borgjezisë imperialiste brenda në Partinë Komuniste të Shqipërisë. Si rrjedhim, e persekutoi atë në mënyrë çnjerëzore staliniste. Enver Hoxha me shokët e vet nuk e merrnin në konsideratë, ndoshta ngase nuk e njihnin, tezën e klasikëve të marksizmit, të cilët mendonin se pushteti socialist, i cili përfaqëson superstrukturën, pra faktorin politik, nuk mund të ndërtohet mbi një shoqëri kur ajo nuk e ka bazën në parametrat social ekonomike të përshtatshme për një pushtet socialist. E thënë me dy fjalë, baza ekonomike duhet të paraprijë strukturën politike. Enver Hoxha pohonte të kundërtën. Duke iu referuar ngjarjeve të vitit 1946 ai ka shkruar më 1982 se PKSh-ja vendosi të ndërmerrte atë vit ndërtimin e shoqërisë socialiste duke u mbështetur në faktorin politik. Tekstualisht ai ka shkruar: “Bindja jonë për të ndërtuar shoqërinë socialiste në Shqipëri buronte nga fakti se ne kishim në dorë pushtetin politik”. Enver Hoxha nuk pranoi, sikurse e thotë vetë, as porositë e miqve të tij, të cilët e këshillonin të mos “nxitohej për të djegur etapat” (E. Hoxha. “Titistët”, Tiranë 1982, f. 277). Se cilët qenë këta miq të tij që e këshillonin, ai bën aluzion për udhëheqësit e partive komuniste simotra të Evropës lindore. Përmend me emra vetëm udhëheqësit jugosllavë: mareshalin Tito, Eduard Kardelin, Milovan Gjilasin, të cilët thotë ai, na porositnin “të mos nxitonim e të digjnim etapat” (E. Hoxha. Po aty, f. 277).
Në kundërshtim me porosinë që i dhanë kolegët komunistë të Evropës, Enver Hoxha gjatë viteve 1946-1947 ndërmori të ashtuquajturat reforma të mëdha socialiste. U kryen shtetëzimet e objekteve industriale dhe minerare, jo vetëm të huaja por edhe shqiptare. Tregtia e jashtme u monopolizua nga shteti. U kalua në shtetëzimin e të gjitha punishteve të vogla industriale dhe të njësive tregtare. U shtetëzuan mjetet e transportit. Shtetëzimi përfshiu edhe farmacitë, hotelet dhe çdo lloj aktiviteti ekonomik. Pas reformës radikale agrare filluan paralajmërimet për kolektivizimin e bujqësisë. U vendos pashaportizimi i banorëve pranë qendrave të tyre të banimit. Vetëkuptohet se u ndalua çdo nismë private në fushën arsimore, kulturore, artistike, sportive. U ndalua me ligj shtypi i lirë. Udhëtimet jashtë shtetit u ndaluan rreptësisht. Po ashtu edhe vizitat e të huajve në Shqipëri. Policia fitoi të drejtën të kryente me nismën e saj kontroll në të gjitha banesat qytetare pa mandat gjyqësor. Banorët u detyruan të informonin policinë për çdo mik apo të afërt që strehohej në shtëpinë e tyre qoftë edhe për një natë.
Kapitull me rëndësi të jashtëzakonshme në dëm të lirisë së qytetarit ishte ashpërsimi artificial i luftës së klasave. Në vitin 1945 në gjyqet e ngritura për dënimin e kolaboracionistëve pushteti popullor pati mbështetjen e opinionit. Një vit më vonë u kalua, në kundërshtim me opinionin popullor, në arrestime, gjyqe, burgime dhe internime pa gjyqe të demokratëve nacionalistë që kishin bërë pjesë në radhët e Frontit NÇL, kurse në vitin 1947 u kryen dënimet me vdekje edhe të deputetëve që kishin ndihmuar Luftën Nacional Çlirimtare dhe kishin miratuar shpalljen e Republikës Popullore, vetëm se nuk pajtoheshin me largimin e pushtetit nga programi i shpallur gjatë luftës.
Projekti i Enverit mbi ndërtimin e socializmit në Shqipëri është i habitshëm po të kemi parasysh se ai vetë pranon se në vitet 1945-1946 nuk merrte vesh nga ekonomia. Madje, jo vetëm ai por edhe anëtarët e tjerë të Komitetit Qendror ishin defiçitarë në fushën e ekonomisë në përgjithësi dhe të ekonomisë socialiste në veçanti. Ata ishin në këtë fushë, sipas fjalëve të vetë Enverit “nxënësa”. “Ne, – shkruan E. Hoxha, – kishim të qartë orientimin për ta zhvilluar vendin sipas parimeve të marksizëm-leninizmit, por se si konkretisht s’kishim eksperiencën e duhur, për disa madje mungonte fare. Nako Spirun, për shembull (i cili ishte kryetar i Komisionit të Planit, pra përgjegjësi kryesor për ekonominë e Shqipërisë – K.F.) e mbanim si ndër më ekspertët… Por Nakoja nuk kishte arritur të mbaronte as studimet e larta për ekonomi, le pastaj përvoja që i mungonte krejt”. (Po aty, f. 288). Për të kuptuar nivelin doktrinor që kishin anëtarët e Komitetit Qendror në vitet 1946-1947 kur morën përsipër të ndërtonin ekonominë socialiste në Shqipëri, po sjellim si dëshmi ato që shkruan vetë E. Hoxha në veprën e tij “Titistët”.


(Vijon nesër)

 

Prof. Kristo Frashëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu