Një gjë është e sigurt, Blloku LDK-VV-AAK-Nisma, nuk është më ai i javës së kaluar. Ky ndryshim ka ardhur nga partia më e madhe në këtë Bllok, LDK-ja.
Paralajmërimet e LDK-së për rishikim të marrëveshjes, çdo ditë e më shumë po rriten, prandaj mundësia e rrënimit të marrëveshjes së pas 8 qershorit është afër.
Mirëpo, një largim i mundshëm i LDK-së nga Blloku, apo rishikimi i marrëveshjes e ka futur në siklet AAK-në e Ramush Haradinajt.
Nëse prishet marrëveshja apo ridizajnohet, atëherë pozita e kryeministrit për Haradinajn do të mbetët vetëm dëshirë.
Brenda LDK-së gjithnjë e më shumë po kërkohet rishikimi i marrëveshjes, duke kërkuar që LDK-së t’i takojë pozita e kryeministrit e jo AAK-së siç ishte deri me tash.
“Ne nuk do të lëshojmë pe sa i përket marrëveshjes që kemi arritur. Pozita e kryeministrit, kryeparlamentarit dhe presidentit është përcaktuar, dhe neve si AAK na takon kryetari i Qeverisë”, ka thënë një burim në AAK për Indeksonline.
Sipas këtij zyrtari, AAK-ja nuk e dinë si do të veprojë në rast se ridizajnohet marrëveshja apo prishet koalicioni.
“Ne sigurisht se nuk e kemi paraparë një situatë të tillë, prandaj momentalisht jemi pa përgjigje, mirëpo ne besojmë fuqishëm se gjërat do të shkojnë në drejtimin që janë specifikuar në marrëveshje me LDK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen”, ka thënë ky zyrtar.