Fundoset Mocioni

0
713

Kuvendi e fundosi vendimin për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Por, ka marrë një vendim të ri, që obligon Qeverinë të zbatojë reciprocitetin me Beogradin në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për 14 janarin kanë shpërthyer akuzat mes pozitës dhe opozitës. Vetëvendosje njoftoi se nuk do të heq nga protesta e paralajmëruar për të dielën.

Kuvendi i Kosovës për herë të parë ka shfuqizuar të premten një vendim të vetin dhe ka përkrahur propozimin e koalicionit qeveritar për mocion të ri rreth reciprocitetit me Serbinë.

Në seancën e jashtëzakonshme për ngjarjet e 14 janarit, deputetët me 58 vota për, 41 kundër dhe një abstenim e kanë miratuar vendimin e ri dhe kanë shfuqizuar mocionin e votuar në dhjetor të sponsorizuar nga Vetëvendosje, me të cilin ishte paraparë reciprocitet i plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë.

Sipas pikës katër të tekstit të votuar, shfuqizohen të gjitha vendimet e mëhershme të Kuvendit në lidhje me reciprocitetin.

Por, aty është specifikuar se Qeveria në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore duhet të vendosë për masa reciproke me Serbinë në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Qeveria obligohet t`i raportojë Kuvendit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit”, thuhet ndër të tjera në vendimin e ri të Kuvendit.

Kundër nismës, për të cilën është debatuar për më shumë se pesë orë, kanë dalë tri partitë opozitare: LDK’ja, Vetëvendosje dhe AAK’.

E më pas votimi ka shtyrë Lëvizjen Vetëvendosje që të mos heq dorë nga protesta e paralajmëruar të dielën në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë.

Kjo lëvizje ka mbajtur një mbledhje urgjente dhe ka vendosur të vazhdojë protestat.

“Pas ngjarjeve të fundit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme. Në këtë mbledhje është vendosur se protesta e 22 janarit do të mbahet tek Dheu i Bardhë dhe në Merdare”, thuhet në vendimin e Vetëvendosjes.

Para se të votohet mocioni i ri, shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci ka kërkuar nga deputetët të votojnë nismën e Qeverisë pasi “ajo e hap rrugën e Kosovës drejt BE’së”.

“Ju ftoj të gjithëve të mbështesni këto rekomandime, të cilat vlerësojmë se i hapin rrugën e perspektivës vendit tonë”, ka thënë Grabofci.

Opozita nuk e ka përkrahur nismën e koalicionit qeveritar dhe ka qëndruar në Kuvend duke votuar kundër.

Ndërsa Ismet Beqiri i LDK’së ka dhënë disa sqarime se pse janë kundër nisës së PDK’së.

“Ne konfirmojmë se do të votojmë kundër këtij mocioni. Kemi votuar një mocion më herët dhe nuk shohin asnjë ndryshim në kuptimin pozitivë që do të ketë arsye të bëhet një mocion tjetër”, ka thënë Beqiri pak para se të votohej.

Visar Ymeri i Vetëvendosjes ka thënë se mocioni i ri ka ardhur si prej qielli dhe nuk është në frymën e debatit të zhvilluar.

“Është absolutisht i papranueshëm për ne edhe si tekst edhe si tendecë. Mocioni të cilin e paraqiti kryetari i grupit parlamentar të PDK’së nuk ishte reflektim i debatit që e patëm këtu. Dhe ky mocion tash është sikur me ardh prej qielli”, ka thënë ai.

E, Ardian Gjini ka thënë po provohet të zhbëhet diçka që ka ndodhur më herët.

 

Stalini, Ali Shukria e Sinan Hasani

Se kush ka merita më shumë në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ideologjia komuniste Stalini, Lenini e Ali Shukria dhe Sinan Hasani janë përmendur nga pozita dhe opozita në debatin e organizuar për ngjarjet e 14 janarit, ku Vetëvendosje provoi të bllokojë dy pikat kufitare me Serbinë.

Kryeministri Hashim Thaçi përsëri ka folur për historinë, kur u është drejtuar deputetëve të Vetëvendosjes. Ka përmendur ideologët e komunizmit, duke thënë se koha e tyre ka kaluar.

“E di që disa paraqiten si gardianë të patriotizmit, e di që dikujt i ka mbetur merak të ishte siç do të dëshironte të ishte, por nuk mund të jetë… Por, e theksoj se Kosova europiane është ajo që kanë luftuar gjenerata. Ndërtimi i rrugëve dhe hapja e kufijve është udhërrëfyes për perspektivë europiane. Ka kaluar koha e Leninit, Stalinit dhe besa e Musolinit”, ka thënë Thaçi para deputetëve.

Por, Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se shfuqizimi i vendimit të Kuvendit për reciprocitet me Serbinë po shënon rikthimin e Qeverisë sikur në vitet e paraluftës.

Ai ka thënë se takimet e fshehta të Thaçit me Boris Tadicin vërtetojnë veprimet që po merren më vonë.

“Tani kjo qeveri po shkon edhe më larg, duke u munduar ta zhvlerësojë këtë vendim demokratik të Kuvendit për reciprocitet të plotë me Serbinë. Kjo qeveri po bëhet si ajo e Ali Shukriut dhe e Sinan Hasanit”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij.

Kurti ka shtuar se Kosova është bërë shtet që e heq fjalën republikë nga emri i vet karshi Serbisë, është bërë shtet pa integritet që eliminon pikat kufitare ndaj Serbisë, duke i shndërruar në pika kaluese.

Kryeministri Thaçi, duke folur për protestën e Vetëvendosjes, ka thënë se ka qenë e panevojshme, duke i bërë përgjegjës për dhunën e shkaktuar. E ka përmendur edhe protesta të tjetra të Vetëvendosjes, duke i lënë fajtorë për vrasjet që kanë ndodhur më 2007, ku patën humbur jetën dy qytetarë.

“Sot fëmijët po rriten jetimë. Duhet t`ju vijë marre”, iu ka drejtuar Thaci Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë se Kryeministri Thaci po ushtron pushtetin prej diktatori dhe po përdor dhunën sa herë që po i rrezikohet posti.

Përplasen për 14 janarin

Ndryshe, në debatin e organizuar për protestën e Vetëvendosjes, deputetët e PDK’së, LDK’së dhe AAK’së kanë dalë kundër bllokimit të pikave kufitare nga ana e një partie politike. Në të njëjtën kohë kanë kërkuar që dhuna e përdorur nga policia të mos përsëritet.

Visar Ymeri i Vetëvendosjes thënë se tendenca e qeverisë për normalizim të marrëdhënieve me Serbin sjell nënshtrim politik e ekonomik ndaj Serbisë.

Ai, duke e quajtur mocionin e PDK-së si qesharak, ka vlerësuar se me këtë mocion Kosova po i nënshtrohet Serbisë.

“Mocioni kërkon nga Kuvendi t’i nënshtrohemi Serbisë dhe t’i rrahë qytetarët”, ka thënë Ymeri.

Nënkryetarja e LDK’së, Teuta Sahatçia ka thënë se protesta në Merdarë dhe në Dheun e Bardhë i ka dhënë një pamje të keqe Kosovës.

“Pjesa kapitale e fajit i takon Qeverisë për shkak të nënçmimit të vazhdueshëm të Kuvendit”, ka thënë Sahatçia.

”Më 14 janar u rrah Parlamenti. Por, edhe Vetëvendosja e ka pjesën e vet të përgjegjësisë”, ka shtuar ajo.

E deputeti i Koalicionit për Kosovë të Re, Muhamet Mustafa ka propozuar formimin e në komisioni nga Kuvendi për të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, zbatimin e reciprocitetit dhe hetimin e ngjarjeve të 14 janarit.

Propozimi i tij nuk është marrë parasysh fare.

Për ditën e protestës ka folur edhe ish-kryepolici dhe deputeti i PDK’së, Behar Selimi. Ai ka thënë se nuk duhet të akuzohet policia.

Por, ka pranuar se diçka jo e mirë kishte ndodhur atë ditë.

“Janë dy tri pamje të rënda për vendin”, ka thënë Selimi.

Deputeti tjetër i PDK’së, Hydajet Hyseni ka kritikuar Qeverinë dhe Vetëvendosjen.

“Dallimi në mes asaj që pamë në Merdarë dhe në Afrikë është shumë i vogël”, ka thënë Hyseni.

Ndryshe, deputeti tjetër i PDK’së, Bekim Haxhiu ka thënë se përkrahja për Vetëvendosjen ishte vetëm 0.02 për qind, derisa ka cituar deklaratat e ndërkombëtarëve që kanë dalë kundër protestës.

E, Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka mbrojtur veprimet e policisë, duke thënë se gjithçka ishte brenda ligjit.

Derisa ka ngjallur të qeshura kur ka thënë se gazi lotsjellës që është përdorur nga policia në protestë ka afat deri më 2014.

 

Nga Faton Ismajli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu