Fuoristrada e policisë çoi në Tropojë minat për Haklajn

0
1084

Në mesin e qershorit 1999, konflikti i armatosur në Kosovë përfundoi me largimin e ushtrisë pushtuese sërbe. Në situatën e re të krijuar, veriu i vendit e humbi rëndësinë që pati në dy vitet e fundit, kur u kthye në trampolinën kryesore për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Trupat e UÇK-së merrnin furnizime në armatime, mjete logjistike dhe hynin direkt në frontin e luftës, nëpërmjet korridoreve të hapura në kufirin verior të Shqipërisë. Fundi i luftës së Kosovës bëri që autoritetet shtetërore të ndryshonin qëndrim ndaj situatës në Tropojë. Tashmë askujt në Tiranë nuk i interesonte të kishte në veri të vendit një zonë të tërë krejtësisht jashtë kontrollit. E ca më tepër, të kishte nëpër këmbë një grup personash të armatosur, të aftë të shkaktonin trazira me pasoja për rendin dhe sigurinë publike. Ujërat e turbulluara nga lufta e Kosovës, nisën të kthjellohen, por Fatmir Haklaj ende nuk e kishte kuptuar se misioni i tij kishte mbaruar dhe se ai nuk i duhej më askujt. Nëpërmjet tij dhe njerëzve të armatosur që komandonte, Shërbimi Informativ dhe qeveria shqiptare kishin furnizuar ilegalisht me armë, logjistikë e gjithçka tjetër, UÇK-në. Po nëpërmjet tij ishte penguar fuqizimi dhe më pas hyrja e trupave të FARK-ut në Kosovën e çliruar duke favorizuar haptazi UÇK-në. Aleancat këtej e matanë kufirit tashmë ishin të qarta, qeveria socialiste mbështeste UÇK-në, ndërsa opozita e djathtë përkrahte trupat e FARK-ut të financuara nga qeveria Bukoshi. Në rrethanat e reja të krijuara, strukturat e rendit dhe sigurisë donin të shpëtonin nga Fatmir Haklaj e njerëzit e tij një orë e më parë.

Paralajmërimi
Më 23 korrik 1999, Fatmir Haklaj njoftohet nga disa miq të tij në Tiranë, se drejt Tropojës po udhëtonte një fuoristradë e policisë që dyshohej se transportonte disa mina me sistem komandimi në distancë. Informatorët i bënë me dije Haklajt, se me këtë mjet udhëtonin një drejtor policie, dy efektivë të forcave speciale të Ministrisë së Brendëshme dhe një person i katërt, personazh i njohur në kryeqytet, që kishte shërbyer për disa kohë dhe si shoqërues i shefit të opozitës, Berisha. Ngarkesa e tyre dyshohej se ishte identike me minat e shpërthyera në atentatet e 6 majit dhe 5 korrikut 1999. Organet hetimore janë njoftuar për emrat e personave nga familjarë të Haklajt dhe SHIK-u. Mesditën e të shtunës së 31 korrikut 1999, efektivat e policisë së Tropojës që ishin të paisur me radio, dëgjuan një bisedë të ashpër mes shefit të tyre Fatmir Haklaj dhe një personazhi të njohur, i afërm i drejtorit Hyka. Ky i fundit ishte futur në valët e policisë së Tropojës dhe e kërcënoi haptazi Haklajn, duke i thënë se do ta vrisnin shumë shpejt. Pavarsisht kërcënimeve që po i bëheshin ditën për diell, Haklaj nuk e vuri ujin në zjarr po vazhdoi të qarkullonte lirisht nëpër Tropojë.
Atentati
Mëngjesin e të mërkurrës së 4 gushtit 1999, Fatmir Haklaj u nis nga kulla e tij në Kërnajë, drejt komisariatit të Bajram Currit, i shoqëruar nga një grup personash. Ata udhëtonin në dy mjete. Përpara qëndronte fuoristrada, tip “Land Rover”, me ngjyrë të bardhë që drejtohej nga Sejdi Dema, pronar i mjetit. Bashkë me Demën në “Land Rover” udhëtonin dy vëllezërit Haklaj, komandanti i grupeve të gatëshme të policisë së Tropojës, major Fatmir Haklaj, dhe vëllai më i madh i familjes, Hamdi Haklaj. Pas tyre vinte autoambulanca e spitalit të Bajram Currit, e drejtuar nga Ndue Gjeloshi. Në ambulancë ishin Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja. Me ta udhëtonte rastësisht dhe gruaja e Ibër Nokshiqit bashkë me djalin, nusen e djalit, si dhe tre fëmijët e tyre. Rreth orës 8.40 minuta të mëngjesit, dy mjetet që zbrisnin nga Kërnaja, kaluan fshatin Cërnicë dhe morën bregun e Valbonës për të hyrë në Urën e Kojit. Pa kaluar dy minuta u dëgjua një shpërthim i fuqishëm që vinte nga vendi i quajtur Brinja e Cërnicës. Mina ishte vendosur në shpatin shkëmbor të rrugës dhe shpërthimi ishte horizontal. Objektivi ishte “Land Roveri” ku udhëtonin Sejdi Dema, dhe vëllezërit Fatmir e Hamdi Haklaj. Për fat të mirë fuoristrada ishte e blinduar dhe i rezistoi shpërthimit. Dy vëllezërit Haklaj dhe drejtuesi i mjetit nuk pësuan dëme.
Mina e dytë
Të tronditur nga ajo që panë, vëllezërit Haklaj dhe Feriz Kërnaja zbritën nga makinat dhe me armë në dorë po kontrollonin sipër dhe poshtë rrugës, për të zbuluar pozicionin nga u komanduan minat. Por këtë radhë, ata nuk e dinin se autorët ishin përgatitur që Fatmir Haklaj të mos u shpëtonte i gjallë, pavarsisht nga numri i madh i viktimave që mund të shkaktonin. Duke kujtuar se ishte vetëm një vatër eksplozivi, eskorta e Haklajt u shpërnda para dhe pas vendit të shpërthimit. Në të vërtetë autorët kishin punuar si xhenierë profesionistë, duke minuar të paktën pesë vatra shpërthimi me 10 mina të vendosura 2 nga 2, që kapnin një rreze veprimi prej më shumë se 800 metrash rrugë. Ata nuk shpërthyen minën e parë të vendosur në shpatin e shkëmbit, por e lanë eskortën e Haklajt të hynte brenda grackës. Shpërthimi i parë u realizua te mina e tretë. Pas shpërthimit Fatmir Haklaj, Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja po kontrollonin me armë në dorë nga pas mjeteve për të gjetur autorët. Pak çaste më vonë u dëgjua një shpërthim i dytë që vinte nga një vatër eksplozivi disa metra larg shpërthimit të parë. Fuqia e madhe e minave flaku tej rrugës, Halil Haklajn dhe Feriz Kërnajën, që gati u coptuan nga shpërthimi. Goditja e dytë e plagosi keq në kokë dhe Fatmir Haklajn, që nuk e mori vesh se në çfarë prite kishte rënë dhe nga komandoheshin minat.
Mina e tretë
Hamdi Haklaj ka hapur zjarr me breshëri Kallashnikovi, fillimisht në ajër dhe më pas drejt një kodre përballë vendit të pritës ku dyshonte se ishin pozicionuar autorët. Jehona e shpërthimeve të fuqishme dhe bataret e armëve u dëgjuan deri në Bajram Curri. Me të dëgjuar shpërthimin e parë, në drejtim të pritës u nis një fuoristradë e policisë së Tropojës. Në të udhëtonin dy efektivë të policisë, njëri prej tyre ishte Fatmir Daka. Sapo fuoristrada e tyre kaloi urën e Kojit dhe u ngjit brinjës së Cërnicës u dëgjua një shpërthim i tretë, i njëjtë për nga fuqia me dy të parët. Fuoristrada u përmbys nga forca e
madhe e minës, ndërsa dy policët që ndodheshin në të, mbetën të plagosur. Njërin prej policëve të plagosur, e nisën me urgjencë drejt spitalit, kolegët e tij që erdhën në ndihmë të viktimave. Polici tjetër, Fatmir Daka, pavarsisht plagëve që kishte marrë vazhdoi më këmbë edhe për 400-500 metra drejt vendit ku ndodheshin të shtrirë vëllezërit Haklaj.
Mina e katërt
Kur Daka u afrua 50 metra nga vendi i shpërthimit të parë, Hamdi Haklaj e thirri të merrte “Land Rover-in” e blinduar të Sejdi Demës dhe të transportonte drejt spitalit të Bajram Currit, Halilin, i cili ishte ende i gjallë. Fatmir Daka e lëvizi “Land Rover-in” e blinduar vetëm 4-5 metra, për shkak se autorët e pritës aktivizuan minën e katërt. Fuqia e madhe e shpërthimit e tronditi dhe njëherë Land Roverin e blinduar, por serish nuk arriti ta nxirrte atë jashtë rruge. Daka u plagos serish, këtë radhë më rëndë se në minën e tretë, duke marrë plagë në kokë. Ai u dëmtua nga mina për shkak se po i jepte Land Roverit mbrapsht me derën e makinës hapur. Gjithsesi ai mbeti gjallë vetëm për faktin që mjeti ishte i blinduar dhe i rezistoi shpërthimit. Të mbetur pa makina, Hamdi Haklaj, Sejdi Dema dhe disa banorë të fshatit që erdhën në ndihmë, u detyruan ta transportonin me batanije Halil Haklajn deri në Cërnicë, ku ai vdiq. Trupi i coptuar i Feriz Kërnajës që gjeti vdekjen në vend dhe Fatmir Haklaj i plagosur rëndë, u transportuan me ambulancë drejt spitalit të Bajram Currit nga Ndue Gjeloshi.
Autorët
Për nga mënyra e realizimit, eksplozivi i përdorur, përfshirja nën rrezen e minave të gati një kilometër rruge dhe sigurinë që treguan gjatë komandimit të disa shpërthimeve në distancë të ndryshme kohore, edhe mafiozët që ekzekutuan gjyqtarin e famshëm italian Xhovani Falkone, duken si amatorë përpara autorëve të këtij atentati të sofistikuar. Ky lloj atentati, me një organizim perfekt dhe fuqi shpërthimi kaq të madhe, nuk ishte parë ndonjëherë në Shqipëri. Autorët kishin përgatitur gjithçka qysh më parë, duke minuar dhjetë vatra eksplozivi në shpatin e shkëmbor të rrugës. Nga dhjetë vatra, ata aktivizuan vetëm 4, për shkak se nuk patën nevojë për 6 minat e tjera. Masivet shkëmbore të shkëputura nga shpërthimi i fuqishëm i 4 gushtit, janë ende dhe pas 8 vitesh të palëvizur në shtratin e lumit Valbonë. Për ta dalluar nga larg vendodhjen e saktë të minave, autorët kishin vendosur thasë të bardhë para tyre ose orientoheshin nëpërmjet gurëve kilometrikë. Mekanizmi që aktivizoi minat ishte pothuajse i panjohur dhe shpërthimi i tyre komandohej nga një distancë e madhe.
Dëshmitarët

http://www.youtube.com/watch?v=rxhNa3njcKc
Hamdi Haklaj, djali i madh i familjes që mbijetoi pa marrë asnjë dëmtim, në deklarimet që ia ka vënë në dispozicion prokurorisë thotë se kishte arritur të shikonte me dylbi, por dhe me sy të lirë pozicionin ku ishin vendosur atentatorët. Ata ishin të vendosur në majën e fortifikuar me bunkerë, të kodrës përballë brinjës së Cernicës, e quajtur Koki. Pas minave autorët janë parë të lëvizin në drejtim të fshatit Koçanaj. Në pozicionin nga komandonin minat, Hamdiu ka parë një komando të përbërë 9 persona, të gjithë të veshur me uniforma ushtarake kamoflazhi dhe të armatosur. Ai ka arritur ti njohë gati të gjithë, pasi rezultojnë të jenë nga Tropoja, me përjashtim të një personi me trup të gjatë që më pas rezultoi se ishte Anton Gjergji, efektiv i forcave speciale në momentin e atentatit dhe ish-truprojë i kryeministrit Nano. Në grup bënte pjesë dhe një efektiv tjetër i forcave speciale, si dhe ish-ushtarakë apo oficerë policie. Në mbështetje të tyre ishin dhe disa të afërm të familjeve me të cilët Haklaj ishte futur në gjakmarrje. Atentati ka ndodhur në mëngjes dhe gjatë tërheqjes, autorët janë parë dhe nga persona të tjerë duke përfshirë disa fshatarë të Koçanajt. Minat rezultojnë se kanë ardhur nga Mali i Zi dhe janë blerë në Shkodër me një vlerë prej 6500 marka secila. Vlera monetare e konsiderueshme e arsenalit luftarak të përdorur, është një tjetër fakt që dëshmon se autorët kanë qenë mjaft të organizuar dhe të sigurtë në veprimet që kryen.

(vijon në numrin e ardhshëm)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu