Fuqitë e mëdha s’kujtohen ndonjëherë për Shqipërinë, por të kujtohemi ne

0
877

Viti i pavarësisë së Shqipërisë, që ne sot festojmë njëqind vjetorin e saj, nuk do të kishte ndodhur pa një punë të mundimshme të njerëzve të pendës dhe të pushkës, sepse pavarësia nuk erdhi nga lëmosha, siç pritej në Kosovë të ndodhte viteve të nëntëdhjeta, por me gjak e sakrifica. Njëri nga ata që dha gjithçka për lirinë e Shqipërisë, madje edhe jetën, është i madhi Luigj Gurakuqi, të cilin për herë të dytë e vranë zogistët me prishjen e shtatores në vitin 1993 në Shkodër, qytet të cilin shumë e deshi. Për këtë dhe shumë gjëra tjera do të bëjmë një intervistë për lexuesit tonë.

MORINA:- Në këtë vit shqiptarët festojnë njëqind vjetorin e Pavarësisë. Si e ndjeni vetën?

GURAKUQI:- Krenar për atë që kemi bërë për pasardhësit tanë, por për çdo shqiptar dita e 28 nëntorit nuk duhet të jetë vetëm një ditë festimi ku secili duhet të bëjë analizën e jetës se vet dhe, me dorë ne zemër, te pyes vetveten nëse ka bërë gjithkund e gjithmonë detyrën që kish përpara atdheut.

MORINA:- Ju nuk ishit i martuar?

GURAKUQI:- Jam martuar me Shqipërinë. Nuk e dija se do të mbijetoja gjithë atë furtunë të fundshekullit nëntëmbëdhjetë dhe të fillim shekullit njëzetë. Por edhe pas shpalljes së pavarësisë lufta nuk mbaroi, duhej luftuar për jetësimin e saj.

MORINA:- Fillimisht merreshit me shkrime, por në vitin 1907 iu bashkove Bajo Topullit?

GURAKUQI:- Ashtu është. Shkrimet e mia kishin karakterin e frymëzimit për çlirim kombëtar, mirëpo kur Bajo Topulli rroku armët, i thash vetës, i thërret të tjerët e vet ku je?

MORINA:- Çdo luftëtar i lirisë e ka edhe dike që e brumos me ideale dhe e përgatit që një ditë të jep kontributin e vet. Nëse nuk është fshehtësi ta zbuloni para lexuesit tonë?

GURAKUQI:- Kam pas nderin me qenë afritë prej Plakut të nderuem Jeronim De Rada. Tue u gjetë përpara t’amblit kangtar të Milosaut, të Skanderbeut Pafanë, tue ndie qortimet e këshillat e tija, tue ndigjue zanin e tij të fikët, qi bahej ma i plotë, e tue pa syt e tij të mekun kah ndezeshin e shkëlqeshin, tue përmendë Shqipnin, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue, bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë qi punoi sa e sa kohë për Atdhe!

MORINA:- Para se ta keni njohur De Radën, kishit edhe dikë tjetër që u frymëzoi të luftoni për Shqipëri?

GURAKUQI:- Më qohet mall me kene në shtëpi e me ndigjue babën tue kllzue, si përpara, me ngjarjet e Pashallarve të Shkodrës, trimnite e malcorëve… sende qi kishte ndi prej t’et e që edhe ai vete shumë kish pa.

MORINA:- Pasi u ndatë me Bajo Topullin, u kthyet në Shkodër dhe nga pritja që iu bë, vendosët që luftën e nisur të mos e ndalni deri në fitore, kishit ndonjë motiv të fortë për të mos u zmbrapsur nga idealet Tua?

GURAKUQI:- Në kohën kur ne kishim marrë për sipër fatin e atdheut, pa tjetër se duhej të kishim edhe përcaktimin tonë të qëndresës, sepse mund të ziheshim rob, mund të pësonim edhe ndonjë krizë me vrasjen e shokëve, plojat e përgjakshme që bënin pushtuesit, si ata osmanli, po ashtu edhe serb, malazezë, e grekë. Unë e zgjodha këtë: Veç nji qellim i naltë t’ban me durue e zemrën te forcon; nder kundërshtim s’vyen kurr me u ligshtue, mjerë ai qi nuk duron!

MORINA:- Ju me disa të tjerë ishit realist dhe Shqipërinë e shihnit me një sy tjetër. Në përgjigjen që i dhatë Filip Shirokës pasqyronit gjendjen e shqiptarëve, ndoshta kjo dhe ka qenë arsyeja që u përcaktuat edhe për luftë të armatosur?

GUARAKUQI:- Nëse një luftëtar i lirisë nuk e sheh gjendjen ashtu siç është, ai nuk di pse dhe si të luftojë, prandaj edhe i tregova Filipit të vërtetën, Kurh si sot s’â kén Shqypnija Kaq perzijé é tolhovit, Tjéter s’shef por vépra t’kqija ‘bit é saj jan ç’orodit; é fitu por véç’ mendojn, É mé u-vra mé shoqi-shojn, ‘na bié n’mend s’é anmiku i ndyt Permi né ghithñi prighon, i pa-da ja ma ngul shyt Tokve tona qi lakmon; É qi kqyr mé na shti n’t’ kêq, Mé mujt, t’dam, mé na zan n’léq.

MORINA:- Çka Ju shtyri që të përpiloni Memorandumin e Greçes?

GURAKUQI:- Lufta çlirimtare kishte filluar të përhapej në gjithë Shqipërinë. Të gjithë luftonim për pavarësi kombëtare, mirëpo mungonte një bashkërendim dhe bashkëveprim ndër vete. Kështu që në vitin 1911 vendosa të angazhohem për të nxjerr një Memorandum. Përpiluam tekstin në gjuhën shqipe dhe frëngjishte të cilin e nënshkruan edhe: Sokol Baci- Grudë, Dedë Gjo Luli- Hot, Dedë Nuika- Grudë, Dodë Prëqi- Kasdtrat, Tomë Nika- Shkrel, Cal Dedi- Selcë, Lulë Rapuka- Vukel, Llesh Gjergji- Nikç, Gjeto Mark Ujka- Hot, Mehmet Shpendi-Shalë, Avdi Kola- Gimaj, Nik Mëhilli- Shllak, Tup Cuni- Prekali, Binak Lulashi- Toplanë, Bash Bajrami- Nikaj dhe Bek Delia- Dukagjinë. Kjo i ngjasonte edhe një besëlidhjeje të këtyre trevave, që edhe më tepër e rriti moralin luftarak ndër shqiptarët.

MORINA:- Ku shtriheshin kufijtë e Shqipërisë?

GURAKUQI:- Shqipnia e shqiptar’t në kufijt që i ka falur zoti deri ku flitet gjuha e âmbel e zogjvet të shqipes.

MORINA:- Me rezultatet e Konferencës së Londrës Ju nuk u pajtuat?

GURAKUQI:- Na kane marrë qytete e na kanë lanë malësinë, na kanë marre viset me të çmueshme t’atdheut duke na lenë si një trup pa kokë. E si të pajtoheshim me këtë, jo vetëm unë por edhe të gjithë ata që kishim luftuar për pavarësinë e kombit?

MORINA:- Luftërat Ballkanike gati ishin në përfundim dhe filloi lufta e parë botërore. Atëherë ishit në Parisë, kur filloi të pushtohej Gjirokastra nga grekët?

GURAKUQI:- E vërtetë. Dhe nga atje ju pata shkruar: Jam gati, po te jete nevoja e te shihet e udhës, që të vij edhe të vritem për Gjirokastrën e për nderin e atdheut.

MORINA:- Pas mbarimit të luftës së parë botërore, fuqitë e mëdha u mblodhën edhe një herë për të diskutuar çështjen e Shqipërisë, Ju shprehet mllef për vendimet e tyre?

GURAKUQI:- Disa bashkëkombës filluan të arsyetonin vendimin e tyre, prandaj iu drejtova që të mos besojmë se Vilsoni u smuer, se Klemonso-it nuk i shkon buka e se zotin Lloyd George nuk e zén gjumi nga kujdesi i Shqipnisë, se Fuqitë e Mdhá s’kujtohen ndonjiherë për Shqipninë kur duen të zgjidhin konfliktet në mes vedi apo të ndreqin ngatresat e të tjerëve në dam të interesave të Shqipnisë.

MORINA:- Ju, jo vetëm se luftuat në organizimin e kryengritjes, por u morët edhe me probleme gjuhësore?

GURAKUQI:- Në kohën kur filluan të shtoheshin zërat për pavarësi dhe diku – diku veç kishte filluar lufta, ne nuk e kishim rregulluar alfabetin tonë, por komunikonim me alfabete të ndryshme, prandaj edhe i kemi hyrë punës që të kemi një alfabet të përbashkët. Kontribut të madh dhanë të gjitha shoqëritë brenda e jashtë atdheut dhe vendosem të takoheshim në Manastir.

MORINA:- Aty u caktuat të kryesoni Kongresin, mirëpo dikush nuk e pa me sy të mirë pozitën e juaj dhe parashtroi një kërkesë për ose – ose?

GURAKUQI:- Dihet se gjithçka nuk shkonte për së mbari. Mithat Frashëri kërkoi që Ai të jetë në krye të Kongresit, ose klubi i Selanikut tërhiqej. Mua aq më bënte se kush do të kryesonte Kongresin, me rëndësi ishte të zgjidhnim këtë problem jetik kombëtar dhe kjo u arrit.

MORINA:- U bënë disa qeveri dhe në secilën prej tyre kishit poste ministrash, çka të mundonte më së shumti?

GURAKUQI:- Ndasitë në toskë e gegë dhe muhamedan e të krishterë kanë ekzistuar dhe dikujt i konvenonte t’i zmadhonte ato, prandaj edhe kërkova në Parlament se nevojë e madhe âsht’ të pajtoni muhamedanë me të krishtenë. Duhet t’a marrim vesht të gjithë se jemi në rrezik të madh e mund të hupim për jetë të jets dhe që në mbledhje kombëtare të mos përmenden fjalët toskë e gegë dhe të krishtenë e mysliman.

MORINA:- Qeveria Jugosllave kishte shtuar terrorin te shqiptarët të cilët mbetën jashtë kufirit të Shqipërisë, ndërsa Ju shtruat çështjen e shqiptarëve në parlament?

GURAKUQI:- Qeveria Jugosllave nuk do te ndalet para asnjë mjeti për t’i ndërrue fytyrën Kosovës. Qeveria jugosllave nuk ka te drejtë për të na akuzuar për një gjë të tillë kur parlamenti shqiptar kërkonte vetëm në emër të njerëzisë e të humanizmit që të ndërpriten mizorit serbe ndaj shqiptarëve.

MORANIA:- Ndoshta…?

GURAKUQI:- Si mundte me thanë një qeveri (Jugosllave) e cila ka mbjell viset tona me varre të vllazenve tonë, se po i perzihemi në punët e mbrendshme të saj. Si mundte nji qeveri me thanë se po i përzihemi në punët e brendshme, kur shofim se për shkak të saj me mijëra fëmijë e gra sillen të shveshur e të zbathur këtu nepër Tiranë e ushqehen me sevapet e amerikanëve e tepricat e ushtrisë.

MORINA:- Çka është parlamenti për Ju?

GURAKUQI:- Parlamenti àsht nji vend i shenjtë, sepse këtu çkoqiten e mprohen interesat e kombit dhe të atdheut. Në parlament mâ mirë se askûnd mund të mbrohen ligjërisht ashtu si duhet të drejtat e popullit kundër shpërdorimeve t’organeve të qeverisë. Parlamenti duhet të nxjerr edhe ligje kombëtare e shtetërore, për jo vetëm rrojtjen e tij, por edhe përparimin e qytetnimin e vet.

MORINA:- Si e kuptoni funksionalitetin e Qeverisë, çka e dëmton atë më së shumti dhe si mund të shërohet?

GURAKUQI:- Nji qeveri konstitucionale nuk mundet me prishe asnje dhjeteshe pa e futun ne buxhet e pa aprovimin e parlamentit. Ndërsa nënpunësit e tepërm i sjellin popullit dame të shuma e të ndryshme, shtojnë shpenzimet për rroga të panevojshme, ndërlikojne veprimet e Administratës me formalitete burokratike, largojnë inteligjencen prej tregtisë dhe industrisë, fusin në punë edhe njerëz të paaftë…. Administrata e jonë, të jëtë si nji maqinë e lehtë, të ketë pak nëpunës, por të zotë, nëpunës të paguem mirë, por të marrun me konkurs.

MORINA:- Jeni të njohur edhe si liberal, që për kohën kur Ju vepruat, situata e deshi që pa tjetër të rrokën edhe armët?

GURAKUQI:- Ali Këlcyra me tha sei për qortim se jam liberal. I faleminderit dhe mund te jetë i sigurt zotni e tij se vdekja do te me ndaje nga mendimet e mija liberale Po mos t’a kishe ketë bindje, do t’u niseshe me vaporrin ma te pare perjashta, për te mos u kthyer ma kurrë në Shqipni.

MORINA:- Shqipëria sot është e ndarë në gjashtë pjesë, ndërsa në kohën e Jua ishte e ndarë në tri pjesë?

GURAKUQI:- Nga na dolën gjashtë?!

MORINA:- Nën Greqi. Jugosllavia u nda dhe kështu bashkë me të u ndan edhe territoret shqiptare: në Serbi, Kosovë, por jo ajo të cilën Ju e dini, në Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëria të cilën Konferenca e Versajës ia caktoi kufijtë.

GURAKUQI:- Maqedonia?! Kush është ky dobiq?!

MORINA:- Shkupi, Tetova, Gostivari, Struga, Ohri, Manastiri dhe shumë qytete tjera janë nën Maqedoninë.

GURAKUQI:- Nuk po Kuptojë!? Kam dëgjuar për Maqedoninë e Antikës, kohën e Aleksandërit të Madh. Por…

MORINA:- Një fis sllavësh vetën e quajnë maqedon dhe vendin ku e popullojnë Maqedoni.

GURAKUQI:- Po, për maqedonët kam dëgjuar, se edhe Goce Delqeve ka qenë maqedon… Ajme, sa poshtë paskëshim rënë! Nuk u përpoqët asnjëherë për të çliruar tokat tona?!

MORINA: Shqiptarët e kuptuan ndryshe nga Ju demokracinë në vitin 1990 dhe krijuan parti- krahinash dhe nuk u ulën asnjëherë për të kuvenduar se si të çliroheshin, edhe pse luftën nuk e kishin ndal asnjëherë. E kuptoni këtë?

GURAKUQI:- Sa po kuptojë, koha e demokracisë paska shkapërderdhur shqiptarët dhe nuk keni qenë në gjendje të ndiqni rrugën e Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, e të tjerëve, madje të bënit të paktën atë që bëra unë me Memorandumin e Greçes. Këtë nuk po mundem për ta marrë me mend, të luftosh pa ndërprerë, të humbësh dhe të ndahesh edhe në më shumë pjesë!?

MORINA:- Në fund të shekullit të kaluar dhe fillim të këtij shekulli shqiptarët përsëri i kapën armët, por paria zyrtare nuk e deshi dhe nuk mundësoi që armët t’i kishim të varura me një vend dhe për një qëllim. Shqetësuese?

GURAKUQI:- Jo vetëm shqetësuese, por edhe e turpshme. Tash po kuptojë, dështimi është se nuk keni qenë në gjendje të vritnin tradhtinë, siç thoshte Avni Rustemi. Keni lejuar që politikën t’ua bëjnë të tjerët, e interesi i tyre paska qenë i lidhur me armiqtë tanë, të cilët gjithnjë na kanë prerë, masakruar e përvëluar.

MORINA:- Sot kemi një pjesë të asaj Kosove nën mbikëqyrje ndërkombëtare, që do të thotë i është lënë shteg Serbisë të manovrojë ende. Ka ngjashmëri kjo me mbikëqyrjen e dikurshme të Shqipërisë pas Konferencës së Londrës?

GURAKUQI:- Ngjashmëri?! E çfarë do të pranoni ju të humbni sot, kur besojë se rrethanat kanë ndryshuar shumë. Çfarë do t’i hiqet kësaj Kosove, që edhe ashtu iu paska hequr mbi gjysma e territorit dhe thoni se jetoni në shekullin njëzetë e një. Që një shekull kanë lindur kombe të reja, e janë krijuar edhe shtete të reja, e shqiptarët presin që edhe më tej për të parë çka u mbetët nga aeropagu. Si duket edhe ata që e paskan bërë luftën qenkan mashtruar pas kolltukëve e ofiqeve që ua ofrojnë të huajt. Një jetë ka njeriu dhe atë duhet ta kalojnë me nder dhe jo të vendosin firma tradhtie, se çdo firmë shlyhet me gjak dëshmorësh. Evropa në relacion me shqiptarët nuk paska ndryshuar. Por ata nuk kanë faj. Fajin e keni ju vet. Ka qenë dashtë në këtë luftë të kusuriteshit me të gjithë fqinjët grabitqar e gjakpirës. Ka qenë dashtë tua bëni me dije Evropës, se pa zgjidhjen e çështjes shqiptare nuk do të ketë rahati dhe perspektivë as ajo vet.

MORINA:- Në këtë njëqind vjetor është planifikuar të bëhen manifestime të ndryshme kombëtare, si ju duket Juve?

GURAKUQI:- Manifestime, për çka!? Për të kremtuar në këtë njëqindvjetor ndarjen në gjashtë pjesë të truallit kombëtar?! Ky është turpi! Ka qenë dashtë të mendohet bashkimi i këtyre pjesëzave të kombit dhe atëherë do të ishte arsyetuar festimi i këtij viti dhe asaj date të shenjët për gjithë kombin. Luftëtarët e lirisë ose janë të syrgjynosur, ose janë të burgosur, ose u pamundësohet veprimi dhe paria e juaj krenohet me eliminimin e tyre për të bërë qejf, si Salep Sulltani te Noli.

MORINA:- Është planifikuar të ngritën edhe memorialë përkujtimi për burrat e kombit, duke i derdhur në bronz: Ahmet Zogun, Fan Nolin…

GURAKUQI:- Shqiptarët udhëhiqen nga zogistës, sa po mund të kuptojë! “E mjera Shqypni” thoshte Vaso Pashë Shkodrani, ende nuk paske arritur t’i heqësh prangat e robërisë!

MORINA:- Sipas Jush, si mundët një komb për të mbijetuar dhe fituar lirinë?

GURAKUQI:- Nji komb rron me tradita, me gojdhâna. Ay popull kur kujton e nderon të parët e vet, âsht’ me të vërtetë nji komb trim. Një popull që nderon burrat e vet, një popull që pavdekeson kujtimin e tyne, jo vetëm ndêr faqet e historisë por edhe mbi rrasa e në monumenta, ai popull tregon se ka ndêrgjegje, se ka ndiesi të holla, se njef miradijen e ka dishirë me u sjell e me u drejtue mbâs shembullit të të Mëdhajvet të vet. Ndërsa sa mësove, kjo nuk po ndodh, por po i bëjnë të pavdekshëm tradhtarët, larot, halldupët e kopukët.

MORINA:- Udhëheqësit mendojnë se po i shërbejnë çështjes kombëtare me këto veprime, sepse diplomacia ndërkombëtare po e kërkon këtë?

GURAKUQI:- Kjo është një fyerje për diplomacinë e mirëfilltë, sepse diplomacia e vërtetë mbështetet mbi udhën e mesme, t’cilen e gjejnë vetëm ata që, tue mbajt të patundun parimet, dijnë me pajtue të drejtat e nevojat e atdheut të vet, me kushtet e politikës së përgjithshme.

MORINA:- Një porosi për bashkëkombësit e tanë?

GURAKUQI:- Ne duhet të punojmë e veprojmë për vete, nëse me të vërtetë e duam Shqipërinë. Ata që i thonë vetës luftëtar të lirisë, le ta bëjnë një lloj Memorandumi, si ne dikur që bëmë atë të Greçes dhe të mos merremi me atë se donë apo jo të huajt. Shqiptarët duhet të kenë në shtet, një qeveri, një parlament, një ushtri dhe një polici, nën flamurin e shenjët të shpalljes së pavarësisë në Vlorë.

20. 02. 2012

 

Shkruan: Afrim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu