Fushata e radhës e “Big Brotherit”

0
720

Nuk janë të pakët këta në Shqipërinë e sotme. Nga nevoja për mbijetesë ca të tillë janë kthyer në shitblerës votash; të tjerë në altoparlantë televizivë që këlthasin si makinat elektorale; ndoca janë përzgjedhur nëpërmjet listave të kandidatëve për deputetë që të simosmëkeqpërdoren nesër; ca pranojnë të rekrutohen nëpër partira jo sipas bindjeve dhe idealeve, po prej tahmasë dhe babëzisë që lyp lavdi e pasuri të pamerituar; ndërsa kallam kusuri, pa e ditur as vetë, bëhen mish për top, numra rendorë, mbushës sheshesh, klakerë, mercenarë të çartur e të verbër, të cilët nuk e dinë e ndoshta kurrë nuk do ta kuptojnë se ç’vlerë ka dinjiteti njerëzor, respekti për veten, vota dhe sjellja e tyre në jetën e përditshme. Ndër ta, më “profesionistë” e më fitimprurës sigurisht që janë trushpëlarësit mediatikë të vënë në shërbim të interesave elektorale të kryetarëve të partive. Në këtë klimë merr frymë bashkëjetesa.
Fakirfukarenjtë merren me autobusë dhe çohen nga qyteti në qytet, nga katundi në katund, ndërsa më “të shquarit” shkojnë me makinat e tyre nëpër studiot televizive për t’u simosmëkeqpërdorur me dashje e “vullnet të lirë” para syve dhe veshëve të popullit tele-përtypës. Pagesa e shpërblimi për secilën kategori ndryshon: nga një thes me miell, nga një pesëmijë lekësh ditor, nga një vend pune i siguruar/premtuar, deri te honoraret, tenderat, ofiqet, favoret e gradat e pashpallura, të cilat do të konvertohen nesër në poste, në vila e në prona të patundshme. Sa më i keqpërdorur, aq më i shquar je! Dhe më i pasur, natyrisht! Në këtë kategori nuk duhen harruar as hakersat që mbushin rrjetet sociale me shpifsharrje, me të cilat gjuajnë “armiqtë e partisë e të kryetarit” pas ferrave të anonimatit. Armata e simosmëkeqpërdorurve mban në pushtet cilindo diktator apo kriptodemokrat. Kjo tablo e sherrosur “televizive” që spikat e sundon mjedisin e sotëm publik e përjashton harmoninë sociale, besimin te Fjala dhe mirëkuptimi i ndërsjellë. Numri i pjesëmarrësve në miting, i flamurëve dhe i spoteve nëpër rrugë, shoqëruar me “argumentet” e të keqpërdorurve televizivë, krijojnë përshtypjen e fuqisë, të fitores, të sigurisë, e pse jo edhe të demokracisë ku populli zgjedh medemek më të mirët….Nuk ka pikë rëndësie ç’halle ka e ç’mendon qytetari i zakontë për këtë gurgule “demokratike” që quhet fushatë zgjedhore, e cila i ngjan një “Big Brotheri” mbarëkombëtar!
***
Mënyra se si po funksionon fushata zgjedhore e këtyre ditëve dëshmon se 23 qershori i ngjan një lloj “Big Brother”-i politik, në qendër të të cilit janë vënë të dy vëllezër-armiq të mëdhenj, dy kryetarë partish. Pakkush dyshon se edhe kësaj here “lojën” “Big Brother” ka mundësi ta fitojë ai që ka ditur të kryejë “sa më mirë e sa më bukur” trushpëlarjen masive të publikut, ai që është rrëfyer më kontravers, më djallëzor, më i pacipë, më gënjeshtar, me një fjalë ai që do të ketë grumbulluar rreth vetes sa më shumë të simosmëkeqpërdorur, hajdutë dhe manipulatorë votash, mercenarë të motivuar, “qëndrestarë”, të cilët do të votojnë pa e vrarë trurin dhe pa e pyetur veten përse e qysh. Tifozllëku i “Big Brotherit” nuk lejon të zgjidhet më i miri, më i ndershmi, por më pak i ndyri, më pak i keqi!…
Sa më shumë afrohet 23 qershori, aq më i ankthët dhe i belbët bëhet shqetësimi i kësaj pandehme hamletiane, së cilës nuk i shpëton dot asnjë shqiptar i ndërgjegjshëm: Si do të sillet vallë “vëllai i madh”, në rastin konkret Berisha, po qe se do ta humbasë “lojën” e “Big Brotherit”? A do të vjedhë edhe kësaj here votat? A do të mbyllin edhe kësaj here sytë ndërkombëtarët, duke thënë se kishte ca gabime, po zgjedhjet ishin një hap më përpara se të mëparshmet? A do të ketë trazira e tensione? Sidoqoftë, dilemat më thelbësore do të jenë këto:
1. Nëse humbet zgjedhjet, a do të dorëhiqet Berisha nga politika dhe nga partia e a do të dalë në pension, duke ia besuar partinë një njeriu të ri e besnik të “familjes”? 2. A do të kundërshtojë rezultatin me protesta dhe bojkot? 3. A do të kërkojë në tregun e klientëve dhe të mercenarëve të blejë të tjerë deputetë, ndonjë Dovjan, një tjetër Xhuvel apo një Metë e të thotë se ka fituar, se është bërë shumicë me metoda “legjitime”? 4. A do të mbajë “grusht-shtrënguar” rreth vetes partinë që të vazhdojë lojën e vjetër me “mamurrsa” të revoltuar, jashtë skenës së “Big Brotherit”, që me politikën e rrugës, të përmbysë, pas disa muajsh, “qeverinë e neobllokmenëve”, e cila nuk i realizoi premtimet, nuk rriti rrogat e pensionet, por nuk ka as për t’i paguar ato, pasi arka e shtetit do të ketë mbetur bosh?..5.A do të hidhen sërish në erë shtyllat e tensionit të lartë që qytetarëve t’u vijë në majë të hundës?…6. Apo mos vallë (këtë nuk e beson kush!) do të presë qetësisht, paqësisht e me durim të kalojnë edhe katër vjet të tjera në opozitë, duke duruar sulmet, tradhtitë e ish klientëve, akuzat e drejtësisë për burgosje, si dhe duke mbajtur shënim gabimet e kundërshtarit që të rikthehet, për herë të tretë në pushtet, duke thyer një rekord botëror?!
Nuk ka astrolog e politolog të parashikojë ç’mund që ndodhë pas një vakie të tillë. Madje as vetë Berisha nuk e di si do të sillet nëse kjo KQZ e cunguar do të guxojë të certifikojë humbjen e tij. Punë e kotë të hamendësohet. Është si të hidhet fall me filxhanin e kafesë së plakës Nurihan. Paparashikueshmëria është fuqia dje arma e tij. Kjo mund të vërtetohet lehtë. Mjafton të pyesësh cilindo qytetar të këtij vendi, të majtë e të djathtë e do të kuptohet se të gjithë kanë për të pranuar se “me siguri Berisha me njëmijë për qind do ta ketë një plan të fshehtë nën mëngë”….Zotëron gjithandej dyshimi se ai do ta kthejë, me manipulim, apo me marifete të llojllojshme, të cilat ai dijë t’i bëjë mjeshtërisht, si i ka vepruar rëndom, duke dalë i fituar, edhe kur ka humbur…Me këtë “aftësi “ të rrallë ai i motivon dhe i mobilizon të simosmëkeqpërdorurit e vet, e njëkohësisht arrin t’i shkurajojë kundërshtarët. Nuk ka pikë rëndësie nëse kjo quhet meritë, apo hile, mjafton që ai dhe të keqpërdorurit e tij të mbeten në pushtet edhe për një mandat tjetër!
Sidoqoftë, cilado të jetë përgjigja, nuk është kjo “thembra e Akilit”; nuk qëndron e nuk fshihet këtu fuqia e tij e njëmendtët. Duke qenë politikan i hyrjabyrjes, ai vepron dhe operon më shumë me instinktin e frikës e të panikut, se sa me mjete të qashtra e të sakta politike. Në këtë kuptim ai nuk është as i lirë dhe as i pavarur në vendimmarrje. Sepse në realitet është më i simosmëkeqpërdoruri, ku e ku më tepër se ata që ka poshtëruar, rrahur, burgosur, vrarë, shtypur, tradhtuar, nëpërkëmbur e keqpërdorur në këto vite të tranzicionit.
Vështruar me këtë sy Berisha është i simosmëkeqpërdorur më së pari nga vetja, sigurisht. Nga abuzimet dhe nga keqpërdorimet e pafundme që i ka bërë fuqisë, pushtetit, të drejtës, urdhrit, qeverisjes, rregullit, komandës, ligjit, nepsit të pakontrolluar për sundim…Duke qenë i pari dhe më i padiskutueshmi (më saktë: më i pagjykueshmi!) i shoqërisë postkomuniste, ai nuk ka ditur të mbajë as edhe një ekuilibër minimal pas dehjes që i ka sjellë mbipushteti.
Ky është paradoksi i kësaj demokracie deledash (hibride, e quajti këto ditë Freedoom House), por më së shumti kjo është edhe drama e tij vetjake. Të cilën ai nuk e shmang dhe as nuk e përballon dot. Se është tepër vonë. Nuk e shpëton as roli i vonuar i aktorit komik tek “Apartamenti XL”, as dashuria e shtirur për Edit Piaffin. Koha dhe vetvetja janë armiqtë e tij të vërtetë, më të papajtueshmit me fatin e tij të mëtutejmë; jo dhe aq opozita…Këtë të vërtetë ai nuk ka mundur ta kuptojë as pas traumës kombëtare të 1997-ës! Nuk janë zgjedhjet e lira e të ndershme ato që do t’i japin mësim-ndëshkimin e merituar, se sa gabimet, krimet, dëmet, zararet e zullumet që ka bërë gjatë 23 viteve, me apo pa dashje, kjo nuk ka rëndësi!
Duke qenë për 23 vjet në majë të piramidës, pa e ditur dhe pa e kuptuar, pasi ka mbjellë përçarje dhe urrejtje, Berisha ka simosmëkeqpërdorur jo pak shpresa, ëndrra dhe iluzione, qindra mijëra shqiptarë, në mos disa milionë, vartës e kundërshtarë, ndjekës dhe opozitarë, por ama,- hë për hë kjo mund të duket e pabesueshme! -më së tepërmi ai ka simosmëkeqërdorur veten, të nesërmen e vet, shansin që iu dha në vitin 1991, të drejtën për të mbetur i nderuar dhe i respektuar në histori nga të gjithë shqiptarët…Nuk ka kohë të kthehet prapsh. Nuk ka mundësi të ndreqë gabimet dhe fajet. Në politikë inercia e kohës së humbur e të djerrur me keqqeverisje dhe abuzime të pashembullta nuk të lejoka të vetëkorrigjohesh; ashtu si do të jetë dështim të mbulohet me pudër fytyra e një plake që ka pas punuar gjatë në shtëpi publike…
Tanimë Berisha nuk ka më asnjë mundësi të rikuperohet moralisht, sidomos pas këtyre tetë viteve në qeverisje autoritare, për të qenë, nesër, për së gjalli, një pensionist i lirë e i nderuar, me nipër e mbesa, me shokë e miq, pa antiplumb, pa badigardë e pa frikë nga ndëshkimi i historisë…Njëlloj si mbreti Makbeth, ai ka dënuar e ndëshkuar, pa e kuptuar, më së pari veten dhe fatin e tij! Se, edhe sikur të dojë “të çlirohet” nga politika e partia, atë nuk e lejojnë jo vetëm familjarët, por më së shumti mercenarët, rrjetet mafioze të ndërtimit e të biznesit, dmth të simosmëkeqpërdorit e tij që ai të dorëzohet “pa kushte”…Si mund të na lësh rrugëve ne, komandant? Ku do të mbytemi ne hjekësat po humbëm pushtetin, favoret dhe pasuritë ?…Këto pyetje nuk do të bëhen me delikatesë, kur është fjala për të larë gjynahet para një drejtësie të vonuar, por jo të munguar….
E pra, kjo është e vetmja prognozë e saktë që mund të bëhet hë-për-hë për të, cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve: Sindroma e Makbethit!

 

Nga: KIÇO BLUSHI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu