“Gabim i madh vendimi i LDK-së që të garojë në zgjedhje me Hotin, të sigurt e kanë vendin e tretë”

0
153
“Gabim i madh vendimi i LDK-së që të garojë në zgjedhje me Hotin, të sigurt e kanë vendin e tretë”

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në mbledhjen e mbajtur sot, ka vendosur që kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, të jetë kandidat i saj për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare, raporton GazetaBlic.

Hotin si kandidat të LDK-së për këto zgjedhje e ka konfirmuar edhe kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, në një konferencë për medie.

E ky vendim i LDK-së s’po konsiderohet si i drejtë nga analistët politikë. Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, për GazetaBlic ka thënë se LDK me këtë kandidaturë, sipas tij, do ta ketë të sigurt vendin e tretë në zgjedhjet e parakohshme.

“Gabim i madh atë që e ka bërë LDK-ja. LDK e ka provuar me Hotin në vitin 2017 dhe ka pësuar humbje, ku edhe ka mbetur e treta. Pra, gabim i rëndë i LDK-së që ta qes Hotin si kandidat për kryeministër duke parë që edhe në atë kohë s’ka pasur rezultat të mirë, e po ashtu edhe tani kur e dimë se kanë ndodhur shumë gjëra. Të sigurt e kanë vendin e tretë, por prapë mbetet me u pa pjesa tjetër e listës së LDK-së, pasi mundet me pas kandidatë që kanë popullaritet mundet me i rritë pak votat, por me gjasë LDK-ja do të dalë në vendin e tretë dhe me një rezultat të dobët”, është shprehur Demhasaj për GazetaBlic.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Rexhepi këtë vendim të kryesisë e ka quajtur politik.

“Vendim politik, i arsyeshëm ndaj kryeministrit në detyrë”, është shprehur Rexhepi për GazetaBlic.

Në anën tjetër, tashmë kandidati i kësaj partie për kryeministër të vendit, Avdullah Hoti ka thënë se ndihet i kënaqur me vlerësimin që i ka bërë partia e tij.

Madje, Hoti ka shprehur bindjen e tij se do të jetë favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje.

“Jam tepër i kënaqur që LDK ka bërë vlerësime të mira. Me sfidat që kemi pas gjatë kësaj periudhe, kemi arritur rezultate të mira, kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme. Jam vërtetë mirënjohës për besimin që e kam marrë nga LDK që të vazhdojë tutje që të jem kandidat për kryeministër në këto zgjedhje.  Jam i bindur se jemi favoriti kryesor për t’i fituar këto zgjedhje”, ka shtuar ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu