Prishtinë, 7 shtator – Gani Gecit, ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, s`ka kush që ia heq nga mendja se çdo gjë që publikohet kundër tij, është e fabrikuar nga ish-Shërbimi Informativ i Kosovës.
Madje ai është shumë i bindur se edhe në raportin e fundit të publikuar nga Wikileaksi, ku ish-ambasadorja amerikane në Kosovë, Tina Kaidanow, e cila atë e cilëson si “bandit”, ka gisht SHIK-u.
Në kabllogramin diplomatik të publikuar nga Wikileaksi, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë është përshkruar si njëri i dhunshëm. Por ish-deputeti Geci, në një rrëfim për Express, thotë se këtë epitet e ka “bakshish nga njerëzit e SHIK-ut”, për të cilët beson se tashmë janë të akuzuar për krime të ndryshme.
“Këtë ma kanë bërë njerëzit e PDK-së gjegjësisht të SHIK-ut dhe një pjesë e LDK-së”, thotë Gani Geci për gazetën “Express”.
Ai thotë se në kabllogram përmendet rrahja e ish-kryetarit të Komisionit për buxhet të Kuvendit të Kosovës, Gani Kocit, e që sipas Gani Gecit, nuk e ka bërë kurrë, e madje nuk ishte as deputet në atë mandat.
“Gani Kocin unë e kam dajë dhe kam raporte shumë të mira me të. Unë nuk isha deputet në kohën kur flitet për rrahjen e tij”, thotë ish-deputeti Gani Geci.
Ai sqaron se me zyrtarë amerikanë ka takime të rregullta javore, por nuk tregon se me kënd apo për çfarë takohet.
“Unë nuk jam spiun i asnjë ambasade, unë nuk i spiunoj shokët, unë çka flas, flas publikisht”, thotë Geci.