Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci është liruar nga paraburgimi dhe masa i është zëvendësuar me arrest shtëpiak.
Kjo është bërë me kërkesë të Prokurorisë ndërkaq vendimi është marrë nga një gjyqtar i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Këtë e ka konfirmuar për “Zëri-n”, zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Bajramcurr Hasani, i cili ka thënë se nëse prokuroria kërkon një masë të tillë atëherë siç tha ai, “ne nuk kemi si të veprojmë ndryshe”.
“ Me kërkesë të prokurorit të prokurorisë themelore të Mitorvicës gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë vendim që të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj Gani Gecit dhe të njëjtit ti caktohet masa e arrestiti shtëpiak. Kjo kërkesë ka ardhur nga Prokuroria dhe nëse Prokuroria kërkon një masë të tillë ne nuk kemi si të veprojmë ndryshe”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës Bajramcurr Hasani për “Zëri”
Kryeprokuori i Gjykatës së Mitrovicës Shyqyry Syla, aktualisht nuk gjendet në Kosovë mirëpo, personi i cili e zëvendëson atë prokurori Ismet Ujkani, ka thënë për “Zëri”, se nuk është i informuar në lidhje me këtë kërkesë dhe se vendimin për lirimin e Gani Gecit e ka dëgjuar përmes mediave.
Ndryshe, Gani Geci është i dyshuari kryesor për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, vrasje kjo e cila ndodhi me 4 gusht të këtij viti në qendër të Skenderajt.