Garë e fortë për kryeministër

0
773
Partitë politike janë duke menduar dhe punuar seriozisht për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen sivjet, në mënyrë të veçantë për kandidaturat për kryeministër.

Tashmë në LDK dhe AAK dihen kandidaturat për kryeministër. Isa Mustafa do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër, ndërsa Ramush Haradinaj nga AAK-ja. Në PDK dhe Lëvizjen Vetëvendosje! ende nuk dihet se kush do të jenë kandidatët për kryeministër, por gjasat janë të mëdha që për postin e kryeministrit të jenë liderët e këtyre partive.
Njohësit e rrethanave politike garën e partive politike në zgjedhjet e sivjetme parlamentare rreth garës së kandidatëve për kryeministër e kanë vlerësuar në mënyra të ndryshme. Analisti politik Behxhet Shala ka thënë për “Epokën e re” se gara zgjedhore parlamentare, kur është fjala për postin e kryeministrit, nuk do të dallojë aspak nga zgjedhjet e kaluara. “Fushata për zgjedhjet parlamentare ka filluar, por nominimet për kryeministër nuk janë asgjë, sepse rruga prej nominimit e deri te zgjedhja kryeministër është shumë e gjatë dhe e pasigurt. Së pari një parti duhet t’i fitojë zgjedhjet, ta bëjë shumicën parlamentare dhe krejt në fund vjen kryeministri”, ka deklaruar Shala. Ai ka thënë se të gjitha partitë politike do t’i kandidojnë liderët e tyre për kryeministër. “Subjektet politike në Kosovë e kanë vetëm një shtyllë. Kjo shtyllë është kryetari. Njerëzit brenda partive marrin frymë qysh të marrë kryetari. Një praktikë të tillë e gjënë vetëm në Korenë e Veriut. Prandaj të gjitha partitë politike do t’i kandidojnë liderët e tyre për kryeministër. LDK-ja e ka nominuar kandidatin për kryeministër. AAK-ja do ta ketë Ramush Haradinajn, AKR-ja Behgjet Pacollin, Vetëvendosja! Albin Kurtin. PDK-ja mund ta ketë Thaçin apo dikë tjetër”, ka deklaruar Shala, duke shtuar se nominimet e kandidatëve për kryeministër janë një unitet i rrejshëm. “Nuk është e mundur që dikush brenda një partie t’i marrë 99 për qind të votave. Kjo dëshmon se në partitë tona politike nuk ka fare demokraci të brendshme”, ka thënë Shala. Në këtë kontekst, Shala ka thënë se është edhe nominimi i kryetarit të LDK-së për kryeministër. “Nominimi i Isa Mustafës për kryeministër ka një efekt psikologjik. Ju e dini se Isa ka hyrë në zgjedhjet lokale me moton ‘Sot komuna, nesër Kosova’. Kjo do të thotë se Isa komunën e Prishtinës e humbi, tash i ka mbetur Kosova nëse do ta fitojë. Kandidatura e tij është bërë për t’i qetësuar kundërshtarët e tij brenda LDK-së. Po ashtu, kandidimi i Isës tregon se njerëzit e kësaj partie janë servilë ndaj liderit”, ka thënë Shala. Sipas Shalës, nominimi i liderëve për kryeministër nuk do të ketë kurrfarë atraktiviteti në zgjedhjet parlamentare. “Nuk ka këtu atraktivitet. Atraktivitet do të kishte sikurse të kishim ndonjë kandidat të ri për kryeministër i cili do të ofronte program të mirë dhe një alternativë që s’e kanë kandidatët e tjerë. Këta kandidatët që po i përmendi unë është sikurse me qit çdo ditë fasule për drekë”, është shprehur Shala.
Mazreku: Gara zgjedhore do të jetë e vështirë
Edhe analisti tjetër politik Avni Mazreku ka folur për përgatitjet e partive politike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ai ka thënë për “Epokën e re” se për shkak të kandidatëve për kryeministër gara në mes të subjekteve politike në këto zgjedhje do të jetë e fortë. “Rrethanat aktuale politike dhe rrethanat e reja politike që do të krijohen në Kosovë garën për kryeministër do ta bëjnë shumë të ashpër, rrjedhimisht konkurrenca do të jetë e fortë në mes të rivalëve të paracaktuar politikë”, ka thënë Mazreku, duke shtuar se faktorët e ri politikë do të jenë përcaktues të garës politike për zgjedhjet nacionale. “Nëse flasim nga dimensioni i PDK-së, e cila ka shënuar rënie të vazhdueshme, do të bëj përpjekje maksimale për ta siguruar praninë e vet edhe për katër vjet, gjë që jam mjaft skeptik. Ndërsa LDK-ja beson shumë në rënien e PDK-së si rezultat i çarjeve në këtë parti dhe beson se inercioni politik do t’i sjellë rezultat. Në anën tjetër, faktorët e ri politikë do të jenë determinues të garës politike për qeverisjen e vendit”, ka thënë Mazreku.
Fitorja e zgjedhjeve parlamentare nga cilido subjekt politik, sipas Mazrekut, do të jetë e ngushtë. “Kjo garë do të varet nga formulat e pas zgjedhjeve sepse besoj fuqishëm se në këto zgjedhje nuk do të ketë fitues të pakontestueshëm. Fitorja do të jetë e ngushtë dhe niveli i konkurrencës do të jetë i ngushtë. Besoj se i gjithë ky proces do të ndikojë në avancimin e demokracisë”, është shprehur Mazreku.
(Lirim GECI)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu