Gashi: Mbyllja e hetimeve për Astrit Deharin, skandal!

0
631

Gashi: Mbyllja e hetimeve për Astrit Deharin, skandal!

Familja Dehari është në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së një institucioni të një shteti që do t`i kryejë hetimet e pavarura. Kështu ka deklaruar për “Indeksonline” avokati i kësaj familje, Tomë Gashi.

“Familja Dehari shumë shpejtë do të dalë me një komunikatë që do ta bëj unë si përfaqësues juridik, lidhur me institucionin e përzgjedhur për kryerjen e hetimeve të pavarura për ekspertiza shtesë. Jemi në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së një institucioni të shtetit përkatës dhe shumë shpejtë do të informohet edhe opinioni”, ka thënë ai.

Gashi ka folur rreth mbylljes së hetimeve të rastit të vdekjes së Astrit Deharit, duke thënë se prokurori i rastit Metush Biraj ka të drejtë t`i mbyllë hetimet kurdo që e sheh të arsyeshme, por që kjo do të binte ndesh me Rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit 2016.

Sipas kësaj Rezolute, familja Dehari autorizohet të angazhojë ekspertë të pavarur për ekspertiza shtesë. Ndërsa, mundësinë e mbylljes së hetimeve para këtij veprimi, Gashi e ka quajtur skandal.

“Parlamenti i Kosovës e ka nxjerrë atë Rezolutë ku familja Dehari është autorizuar që të përzgjedhin një institucion me Bashkimin Evropian, apo SHBA-në që të angazhohen ekspertë jashtë Kosovës, për të kryer ekspertiza dhe hetimet të pavarura.Deri sa kjo nuk bëhet, prokurori ka të drejtë që t`i mbyllë hetimet në cilëndo kohë që ai mendon se i ka kryer të gjitha hetimet hetimore, dhe në cilëndo kohë që i ka grumbulluar informatat nga institucionet e pavarura, mirëpo kjo do të ishte një skandal në vetvete sepse në këtë mënyrë, Parlamenti i Kosovës do t`ia parandalonte Ministrisë së Drejtësisë të drejtën që fmailja Dehari të angazhojë ekspertë për hetime të pavarura nga shtete të BE-së apo SHBA-së”, është shprehur ai.

Ndryshe, Astrit Dehari kishte qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ishte duke u mbajtur në paraburgim në burgun e Prizrenit nën dyshimin se kishte marrë pjesë në sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Dehari ka vdekur më 5 nëntor, kurse institucionet vendore e kanë vlerësuar rastin si vetëvrasje, gjë që nuk është miratuar as nga familja Dehari, as nga partia aktivist i së cilës ishte Astriti. Familja pritet të angazhojë ekspertë të huaj që të merren me rastin e vdekjes së djalit të tyre në qelinë e burgut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu