Gazeta gjermane: Thaçi po kritikohet për pazare të fshehta me Beogradin

0
284
Gazeta gjermane: Thaçi po kritikohet për pazare të fshehta me Beogradin

Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë të arritura nën presionin e ambasadorit amerikan në Berlin i quan vetëm shenja të qëllimeve të mira.

Në numrin e së shtunës gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” raporton për nënshkrimin e një letre përmes së cilës Serbia dhe Kosova zotohen për hapjen e linjës hekurudhore mes dy vendeve.

“Ky është një sinjal për ekonominë në SHBA dhe Europë për të investuar në rajon”, tha Richard Grenell, ambasador i SHBA në Berlin dhe nga tetori i vitit të kaluar i dërguar i posaçëm i Donald Trumpit për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

Pas nënshkrimit të letrës, njofton “Süddeutsche Zeitung”, Thaçi tha se ky ishte një hap i madh drejt një marrëveshjeje përfundimtare historike. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sipas gazetës gjermane, ishte më i përmbajtur.

“Süddeutsche Zeitung” shkruan se kritikët e akuzojnë presidentin kosovar Hashim Thaçi se më këso pazaresh të fshehta me Beogradin po përpiqet të sigurojë një imazh ndërkombëtar të sjellësit të paqes, ndërkohë që atij, si prijës i dikurshëm i UÇK-së, i kanoset një ftesë nga një gjykatë për krime të luftës në Hagë.

Gazeta thekson se amerikanët dhe europianët janë parimisht të një mendimi mbi nevojën e zgjidhjes së konfliktit mes Kosovës e Serbisë. Por dallimi ekziston te fakti se administrata e Trumpit ka sinjalizuar se mund të përkrahë ndryshimin e kufijve të Kosovës, ndërsa në Berlin dhe Bruksel këto plane kanë shkaktuar frikë të madhe për shkak se ndryshimi i kufijve të Kosovës do të zgjonte apetite edhe në vende të tjera të Ballkanit.

“Süddeutsche Zeitung” shkruan se kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti ka premtuar pastrimin e vendit nga korrupsioni dhe nepotizmi. Këtu, sipas gazetës, hyjnë edhe pazaret nëpër bodrume si ato mes presidentit Thaçi dhe kolegut të tij serb.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu