Gazetarët e Kosovës nesër në protestë

0
845

gazetaria e Kosoves

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thirrur nesër një protestë në shenjë kundërshtimi ndaj kërcënimit që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka bërë gazetarit të portalit Insajderi, Vehbi Kajtazi.

Shkëlqim Hysenaj nga AGK, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se gjatë ditës së nesërme janë të ftuar të gjithë gazetarët që të marrin pjesë në një protestë para objektit të Qeverisë së Kosovës.

“Veprimi i kryeministrit Mustafa është një veprim i papranueshëm dhe nuk do të duhej që në asnjë formë të tolerohet si situatë. Protesta ka si kërkesë kërkim faljen e kryeministrit për këtë veprim të tij që e tejkalon çdo limit, pasi kur fyerja vjen nga një autoritet i lartë, siç është kryeministri, nuk mund të pritet përmirësimi i situatës sa i përket lirisë së medieve në vend”, ka thënë Hysenaj.

Hysenaj, ka shtuar, se kryeministri i një vendi duhet të jetë përkrahësi më i madh i krijimit të hapësirës së nevojshme për gazetarët, duke ndikuar në krijimin e sigurisë dhe duke ndikuar në efikasitetin e organeve të drejtësisë.

Insajderi të dielën ka raportuar se njëri prej dy vëllezërve të kryeministrit Isa Mustafa ka kërkuar azil në dy shtete të Bashkimit Evropian: Francë dhe Gjermani. Vëllai i kryeministrit, Ragip Mustafa, kishte migruar me valën e refugjatëve për shkaqe shëndetësore.

Raportimi i Insajderit ka nxitur kryeministrin Isa Mustafa që të telefonojë autorin e hulumtimit, Vehbi Kajtazin, të cilin e ka kërcënuar dhe ofenduar:

“Alo, Isa Mustafa jam”, është prezantuar kryeministri. Ti a nuk pate me çka me u marrë a veç me vellain  tem a?”, ka thënë Mustafa.

Gazetari i ka thënë se artikulli është publikuar për shkak se bëhet fjalë për migrimin e vëllait të kryeministrit dhe tregon për gjendjen e keqe në sektorin e shëndetësisë.

“Vëllau jem nuk osht në dorën teme, por në dorën e sëmundjes. Ka kancer në fyt more qen bir qeni. Ki me pagu shtrenjtë këtë”, ka thënë Mustafa duke e mbyllur telefonin.

Fyerjet e kryeministrit Mustafa kanë ngjallur debat publik. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka cilësuar si skandaloz reagimin e të parit të qeverisë.

Kajtazi publikon numrin nga i cili thotë se e thirri Mustafa (Foto)

Pas mohimit të kryeministri të Kosovës, Isa Mustafa, se e ka kërcënuar gazetarin e Insajderi.com, Vehbi Kajtazin, pasi që ky i fundit kishte publikuar një shkrim për vëllanë e Mustafës dhe largimit të tij nga Kosova në rrugë ilegale, ka reaguar përsëri Kajtazi.

Kryeredaktori i portalit Insajderi ka publikuar një foto në të cilin është e regjistruar një thirrje nga numri +37745960631, numër ky me të cilin Kajtazi thotë se është kontaktuar dhe kërcënuar nga kryeministri Mustafa.

KlanKosova ka thirrur në numrin +37745960631, por askush nuk është përgjigjur.

Në ndërkohë Kajtazi ka thënë se rastin e ka dorëzuar në polici, nga njësitet e të cilëve pret efikasitet.

Kerrcenimi ne viber

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu