Gecaj: Një pjesë e fshatrave shqiptare në jug, një pjesë në veri

0
710

Veriu

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, thotë se tri fshatrat shqiptare i mbeten komunës së tij. Sipas tij, këtë nuk mund ta ndryshojë kush në botë. Por, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, thekson se një pjesë e fshatrave do t’i takojë Mitrovicës së Veriut, një pjesë tjetër Mitrovicës së Jugut.

Dy Mitrovicat, e Jugut dhe e Veriut, të bëra me Planin e Ahtisarit, që aktualisht ndahen nga ura e barrikaduar mbi Ibër, nuk janë marrë vesh ende për nënshkrimin e memorandumit për përcaktimin e kufijve administrativë.

Serbët që udhëheqin Veriun, pretendojnë se teksti i marrëveshjes për të cilin janë pajtuar me palën kosovare është ndryshuar.

Ata këmbëngulin që tri fshatrat me shumicë shqiptare, Suhadolli, Vinarci dhe Gushavci duhet të mbesin brenda kufijve të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Por, Agim Bahtiri, i ka bërë me dije Goran Rakiqit, se nuk mund të marrë asgjë më shumë nga ajo që është e paraparë me Pakon e Ahtisarit. Tri fshatrat, vazhdon ai, i takojnë Komunës së tij.

Në një prononcim për RTV Dukagjinin, Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut tha se marrëveshja mes palëve, pritet të nënshkruhet shumë shpejt, ndërkaq i ka bërë thirrje homologut të tij të reflektojë.

“Kjo pritet në cdo moment të nënshkruhet dhe unë i bëj apel Kryetarit të pjesës veriore të nënshkruaj, për aryse nuk humb asgjë, por edhe në qoftëse nuk e nënshkruan nuk mund të fitojë asgjë. Nuk ka kush në botë që mund ta ndryshojë këtë”.

Një version më ndryshe e ka dhënë Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.

Duke iu referuar hartave të Kombeve të Bashkuara, ai tha se një pjesë e fshatrave do të mbesin në jug dhe një pjesë në Veri.

“Unë personalisht nuk e njoh atë trinom, pra nuk i njoh ato fshatra, por një pjesë e atyre fshatrave do të mbesin në jug dhe një pjesë në Veri, pra do të mbesin në bazë të asaj vije që është e përcaktuar me Pakon e Ahtisarit”.

Neni 3 i Ligjit për Kufijtë administrativ të komunave, thotë se kufiri mes Komunës Mitrovica e Veriut dhe Komuna Mitrovica e Jugut, do të jetë vija e përcaktuar që do të kalojë nëpër zonën kadastrale të Suhodollit.

Me marrëveshjen e 25 gushtit për Lëvizjen e lirë, e lidhur në Bruksel mes Kryeministrit Isa Mustafa dhe Kryeministrit Aleksandar Vucic, parashihet që barrikada, “Parku i Paqës”, mbi Ibër të largohet dhe njëkohësisht të nënshkruhet memorandumi mes dy komunave për përcaktimin e kufijve administrativ. /Telegrafi/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu