Getja, në 1787 në Romë dhe poezia e një studenti shqiptar

0
484

 

Mikom Zeqo

Gëtja – nga për faqësuesit më të mëdhenj të letërsisë për parimtare botërore, në librin e tij “Italiansche Reise” (botuar më 1870) ka shkruar përshtypjet e udhëtimit që bëri në Itali në vitet 1786-1788.
Në libër thuhet se më 13 janar 1787 Gëtja ndodhet në Romë ku “në prani… të një auditori të madh u mbajt një konferencë… pastaj u paraqitën 30 seminaristë dhe deklamuan njëri pas tjetrit poezi të shkurtëra, secili në gjuhën e vet amtare”.
Gëtja shënon se poezia e dytë që u deklamua para tij ishte “epirotisht” d.m.th. shqip. Gëtja thekson: “Poezitë m’u dukën të ndërtuara të shumtën në metrikën kombëtare dhe të deklamuara po në mënyrën kombëtare”.
Këtë fakt, për të cilin së pari bën fjalë studiuesi V. Kamsi, duhet ta shohim të lidhur me veprimtaritë kulturore e dëshmitë e poezisë shqipe në shekullin XVIII. Pa dyshim, kjo e dhënë e Gëtes ka rëndësi të veçantë në këtë aspekt.
Jo vetëm tregon interesimin e këtij poeti e shkrimtari të madh për kulturën e popujve të tjerë, për mundësitë e tyre popullore, për mënyrat poetike e prosoditë kombëtare, që u bënë objekt studimi nga vetë Gëtja e kohëtarët e tij evropianë, si J. G. Herderi që kërkonte në poezinë popullore, në folklor “shpirtin e hershëm të popujve”, por edhe njohjen e kulturës shqiptare e jehonat e saj te personalitetet e kulturës evropiane.
Këto takime në fakt janë më të hershme.
Mjafton të përmendim se një shekull para Gëtes një poet arbëresh i quajtur Daniel Korteze në 1638 boton një poezi të shkurtër në shqip kushtuar Klod Nikolla Pereshit, personalitet francez, dijetar, mik i filozofit materialist Gasendi dhe i Galileut, të cilin e mbrojti kur u burgos u persekutua nga inkuizicioni.
Në një libër kushtuar Pereshit me shkrime në gjuhë të ndryshme të Evropës, është në faqen 118 edhe poezia e arbëreshit Daniel Kortezit.
Në shekullin XVIII kemi disa poetë të shqipes, si; Nikollë Brankati, arbëresh; Xhusepe Barkia, Nikollë Filia, Françesk Avati, Nikollë Athanas Suli – gjithashtu të njohur për veprimtarinë poetike në gjuhën amtare.
Në 1762 Jul Variboba boton kryeveprën e tij poetike – veprën më të rëndësishme të poezisë shqipe në shekullin XVIII.
Tani le të bëjmë pyetjen kush ishte poeti i ri që deklamoi përpara Gëtes poezinë e tij? Çfarë përmbajtje kishte kjo poezi? Gëtja shënon karakterin e formën kombëtare. Pra, një poezi e kultivuar, por e frymëzuar nga poetika popullore.
Nuk mund të themi asgjë të saktë dhe më shumë për poetin anonim shqiptar. Ç’u bë me këtë poet i cili në 1787 ishte në moshën e rinisë? A shkroi më tej poezi apo shkrime të tjera shqip? Të mos harrojmë se poetët e mëdhenj të shqipes duken sidomos një shekull më vonë: De Rada, Naimi etj. Poeti anonim shqiptar i shekullit XVIII është një motiv i traditave tona kulturore, i përpjekjeve të popullit tonë, i afirmimit të vetëdijes së tij kombëtare. Kërkime më të kujdesshme arkivore lidhur me subjektin e mësipërm mund të nxirrnin në dritë ndoshta një ditë edhe emrin e njeriut që në praninë e Gëtes tha poezinë e tij shqipe.
* * *
Teksti i mësipërm është shkruar në 1988. Miku im, përkthyesi dhe studiuesi i njohur Fotaq Andrea, mbasi u njoh me këtë tekst më shkroi: “Në shkrimin tënd të 1988, më tërhoqi vëmendjen shënimi i Gëtes për këngën epirote
dhe kërkova në bibliotekën e Strasburgut librin e tij “Udhëtim në
Zvicër e në Itali.” Gjeta pikërisht letrën e 13 janarit 1787 shkruar nga Roma, ku flet siç thua ti për këngën epirote (shqiptare) krahas këngëve të tjera. Gëteja në letër fillimisht flet për një statujë të Minervës në pallatin Justiniani, tek e cila ndenji një kohë të mirë duke e admiruar dhe për të cilën iu tha se ka qenë nderuar si shenjtore, aq sa me kohë nga puthjet e shumta të njerëzve te dora e saj, kjo pjesë e statujës qe zbardhur krejt, ndërkohë që pjesa tjetër e statujës ishte e murrme.”
Po ju jap të plotë pjesën ku Gëteja flet ndër të tjera për poezinë epirote, sidomos për një pikë të veçantë ku ia vlen të ndalemi edhe ju edhe unë.

“Ditën e Mbretërve, thotë Gëteja, festa e përshëndetjes që u bëhet Gentilisëve (fisnikëve), ne shkuam te Propaganda Fide. Atje, në prani të tre kardinalëve e të një auditori të gjerë dëgjuam fillimisht një fjalim lidhur me çështjen se në cilin vend
Virgjëresha Mari kishte pritur Tre Magët, në stallën e bagëtive, apo gjetiu. Më pas, u lëçitën disa poezi latine po për këtë çështje dhe më pas, rreth 30 seminaristë u shfaqën njëri pas tjetrit për të lëçitur poemthat e tyre, secili në gjuhën e vendit të vet: malabere, epirote, turke, moldave, helenike, persane, kolkike hebraike, arabe, siriane, kofte, sarracine, armene, madekase, islandeze, boiene, egjiptiane, greke, etiopiane, poezi hartuar sipas prozodisë (metrikës) së vendit dhe recituar sipas deklamacionit kombëtar…
Greku u shfaq si një yll mes natës…. Auditori qeshte me zëra nga më të çuditshmit dhe një ekzibicion i tillë u shndërrua kështu në farsë (përfundoi në tallje)”.
Pra është fjala për çunakë seminaristë, ndër të cilët edhe një shqipo. Asgjë pra e veçantë. Por ja tani çudia, tek po le Gëten të flasë:
“Ja edhe një historiçkë, që tregon se me sa lirshmëri trajtohen gjërat e shenjta në Romën e shenjtë.
I ndjeri kardinal Albani, merrte pjesë një ditë në këtë ceremoni. Një nga nxënësit, tek u kthye nga kardinalët, nisi të thotë në gjuhën e vet: “Gnain, gnain!” që tingëllonte pak a shumë si “canaglia” (pra ndoshta qerratenj!) Kardinali u përkul drejt njërit prej sivëllezërve të vet e i thotë: “Na njohu!”…. Pra një nxënës shqiptar i është drejtuar Papës së ardhshëm Albanit me fjalët shqipe: “Gnain, gnain!”
Unë do thoja se kemi të bëjmë këtu ndoshta me fjalët: “Nja,” “nja” të hundorizuar, në gegërishte, pak a shumë si “qe, qe!” e shqipes së Shqipërisë së mesme, pra në kuptimin “Ja, ja,” d.m.th “Ja, ku jeni, ju njoh”, gjë që vërtetohet nga vetë përgjigja e kardinal Albanit: “Na njohu!”.
Me një fjalë, është shprehur habi dhe admirim nga fëmija shqiptar dhe nuk kemi të bëjmë këtu me sharje, që një nxënës seminarist të fyejë pa shkak eprorët e tij, sidomos bashkëpatrioti i vogël bashkëpatriotin e madh, papën e ardhshëm Albanin.
Dhe sakaq, asnjë nga auditori nuk e ka kuptuar habinë dhe admirimin e fëmijës shqiptar!”

Kështu F.Andrea plotëson kuadrin intim dhe konkret të ngjarjes, e bën më të prekshme dhe interesante subjektin. Sidoqoftë është i vetmi rast që dëshmon se Gëtja, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të njerëzimit ka patur një takim me shqiptarët, madje përpara tij është recituar një poezi në gjuhën shqipe shumë më përpara De Radës dhe Naim Frashërit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu