Gjendja shëndetësore e grevistëve mbetet e rënduar

0
937

Ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe në ditën e 44-të po vazhdojnë grevën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ndërkohë që gjendja e tyre shëndetësore dukshëm është përkeqësuar.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar se Ligji për vlerat e luftës do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit grevist të ish-luftëtareve të UÇK-së ka thënë për Kosovapress, se ish-luftëtarët nuk do të largohen nga tendat pa realizimin e kërkesave, edhe nëse kjo grevë do të zgjasë me muaj.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se gjendja shëndetësore e ish-bashkëluftëtarëve është rënduar dhe se njëri nga grevistët për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore i është dashur të kërkojë ndihmë në spitalin ushtarak të Tiranës.

“Gjendja e grevistëve është rënduar shumë. Kemi pasur katër raste të intervenimeve të mjekëve. Po ashtu, sot tri raste. Një grevist, i cili është invalid i luftës pas trajtimit që ka bërë në Qendrën klinike universitare dhe gjendja e tij është keqësuar, sot ka udhëtuar për në spitalin ushtarak në Tiranë. Zyrtarisht nuk kemi pasur as një takim, as premtim, mirëpo ne jemi të vendosur deri në realizimin e kërkesave tona nuk do të tërhiqemi nga greva”, ka thënë Qeriqi.

Ish-veteranët e luftës së UÇK-së edhe në të kaluarën kanë mbajtur protesta dhe greva urie, me kërkesën për miratimin e ligjit për vlerat e luftës, madje ata kanë hedhur edhe koktej molotovi ndaj objekteve të qeverisë në shenjë pakënaqësie për zvarritjen e kësaj çështjeje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu